Veçoritë e Kuranit të shpallur në Meke

February 22, 2023

Tiparet e Kuranit të zbritur në Meke dhe atij të zbritur në Medine

1-Kurani i zbritur në Meke është shpallja që i ka zbritur të Dërguarit të Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, para se të shpërngulej në Medine, edhe nëse kjo shpallje i ka ndodhur Profetit në ndonjë vend tjetër përveç Mekes.[1]

2- Kurani i shpallur në Medine është shpallja me të cilën u dërgua Xhibrili te Muhamedi, salAllahu alejhi ve sel-lem, pas shpërnguljes së tij, edhe nëse ka ndodhur që t’i ketë ardhur shpallje në Meke (pas emigrimit) siç është shpallja që i erdhi në haxhin e lamtumirës.

Një shembull i kësaj është fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” |El Maide: 3|

Një burrë prej Hebrejve erdhi te Umer Ibën Hatabi dhe i tha: O prijësi i besimtarëve! Ekziston një ajet që e lexoni në librin tuaj, që nëse do kishte zbritur mbi ne hebrejtë atë ditë do ta konsideronim si ditë feste. Umeri i tha: Cili ajet? Ai tha: “Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” |El Maide: 3| Umeri i tha: Unë e di edhe ditën në të cilën ka zbritur ky ajet dhe vendin ku ka zbritur. Ky ajet i ka zbritur Profetit të Allahut, salAllahu alejhi ve sel-lem, në Arafat ditën e xhuma.[2]

Them: Ky ajet hedh poshtë pretendimet e atyre që thonë se ka risi të mira në Islam. Imam Maliku ka thënë: Kushdo që fut një bidat (risi) në Islam duke supozuar se është diçka e mirë, ai ka pretenduar se Muhamedi salAllahu alejhi ve sel-lem e ka shkelur mesazhin e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” |El Maide: 3| Pra, ajo që nuk ishte pjesë e fesë në atë kohë nuk mund të jetë pjesë e fesë në këtë kohë.

Veçoritë e Kuranit të shpallur në Meke.

Në përgjithësi tematika e Kuranit të shpallur në Meke përbëhet nga sa vijon:

1- Përmban thirrjen në njëshmërinë e Allahut të cilën adhuruesit e idhujve e mohuan, siç thotë Allahu për ta: “Sepse kur atyre u thuhej: Nuk ka të adhuruar tjetër (të vërtetë) veç Allahut!” – ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?” |Es Safat: 35-36|

Arabët e kuptonin domethënien e fjalës “Nuk ka të adhurar të vërtetë përveç Allahut”, dhe se kushdo që i thotë këto fjalë ai e braktis adhurimin e dikujt tjetër përveç Allahut. Megjithatë, disa muslimanë në ditët e sotme nuk e kuptojnë se domethënia e kësaj fjale  është; “Nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut” prandaj ata e thonë me gjuhët e tyre por e kundërshtojnë me veprimet e tyre. Kjo ndodh kur ata i luten dikujt tjetër veç Allahut, ose kur i referohen për gjykim tjetër ligji veç ligjit të Allahut, ose duke u zotuar për dikë tjetër veç Allahut dhe shumë veprime të tjera të shirkut (idhujtarisë).

2- Paralajmëron nga shirku (bërja ortak Allahut) siç është duaja (lutja) ndaj dikujt tjetër përveç Allahut. Në Kuranin famëlartë Allahu i Lartësuar thotë: “Përveç Allahut mos iu lut tjetërkujt nga ata që nuk të sjellin as dobi e as dëm. Nëse do ta bëje këtë, atëherë ti do ishe vërtet keqbërës (idhujtar).” |Junus: 106|

3- Përmend zhvlerësimin e adhurimit të evlijave për të cilët pretendojnë se ata (evlijatë) i afrojnë tek Allahu dhe kërkojnë ndërmjetësimin e tyre tek Allahu. Kësaj kategorie Allahu i Lartësuar u thotë: “Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë përveç Tij, duke thënë: Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu, – Allahu me siguri do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë patur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.” |Ez Zumer: 3|

Si dhe fjala e Allahut që thotë: “Ata adhurojnë në vend të Allahut atë që as nuk u bën dëm e as nuk u sjell dobi, dhe thonë: Këta janë ndërmjetësit tanë te Allahu! Thuaj: A po i tregoni Allahut për diçka që Ai nuk e di në qiej dhe në tokë? Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” |Junus: 18|

Pra, Ai i gjykoi si jobesimtarë dhe idhujtarë të gjithë ata që i drejtojnë çdo formë adhurimi dikujt tjetër përveç Allahut, siç është lutja në këtë rast, edhe nëse qëllimi i tyre është afrimi me Allahun ose kërkimi i ndërmjetësimit prej tyre tek Allahu. Megjithatë, kjo ide e prishur fatkeqësisht ka depërtuar në këtë kohë tek shumë muslimanë. Nëse pyet sot një musliman: Pse u luteni këtyre evlijave? – Ai do të përgjigjet: Unë dua t’i afrohem Allahut me këtë dhe të kërkoj ndërmjetësimin e tyre tek Allahu!

4- Fton për të besuar në ditën e fundit, për të besuar në ringjalljen e njerëzve nga varret e tyre, si dhe daljen për të dhënë llogari besim të cilin e mohuan jobesimtarët në Meke. Prandaj Allahu u kundërpërgjigj ndaj tyre duke thënë: “Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë! Dhe kjo është e lehtë për Allahun.” |Et Tegabun: 7|

5- Përmban sfidimin ndaj arabëve pavarësisht elokuencës së tyre, që të sjellin një sure si ajo që gjendet në Kuran. Allahu i ka sfiduar ata në thënien e Tij: “Apo thonë se atë (Kuranin) e shpiku ai (Muhamedi). Thuaju atyre: Sillni atëherë një sure të ngjashme me të.” |Junus: 38|

6- Tregon historitë e atyre që përgënjeshtruan dhe refuzuan; siç ishte populli i Nuhut, Hudit, Salihut, Shuajbit, Musait dhe të tjerë. Allahu i Lartësuar duke i kërcënuar idhujtarët Mekas thotë: “Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate me shumë shtylla të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!” |El Fexhr: 6-14|

7- Nxit për durim, siç thuhet në fjalën e Allahut: “Duroji llomotitjet e atyre dhe largohu nga ata në mënyrë të hijshme!” |El Muzemil: 10|

8- Përmend luftimin e idhujtarëve përmes Kuranit dhe diskutimin me ta në formën më të mirë, siç thuhet në fjalën e Allahut: “Por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani).” |El Furkan: 52| “Dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” |En Nahl: 125|

9- Vendos dëshmitë universale dhe logjike mbi njëshmërinë e Allahut në Rububijetin e Tij, e që rrjedhimisht më pas kërkon njëshmërinë e Tij në adhurim. Një shembull i kësaj është fjala e Allahut: “A nuk e shikojnë devenë sesi është krijuar, qiellin sesi është ngritur lart, malet sesi janë fiksuar dhe tokën sesi është shtrirë?” |El Gashijeh: 17-20|

10- Kurani i shpallur në Meke dallohet nga stili i tij në përdorimin e fjalëve të forta që kumbojnë për atë që i dëgjon, ndërsa pjesët e tij godasin përmes paralajmërimeve dhe ndëshkimeve që përmenden. Shembuj të kësaj janë:

“Gjëmimi i tmerrshëm!” |El Karia: 1|

“Por, kur të vijë ushtima.” |Abese: 33|

“A ke dëgjuar për ngjarjen gjithëpërfshirëse (kiametin)?” |El Gashijeh: 1|

“Kur të ndodhë ngjarja (kiameti).” |El Vakia: 1|

“Jo, jo! Nëse ai nuk tërhiqet nga kjo Ne do ta kapim për ballukesh (për ta hedhur në zjarrin e xhehenemit).” |El Alak: 15|

Fjala kel-la (jo, jo) nënkupton një paralajmërim dhe parandalim.[3]

 Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————-

[1] Që do të thotë se çfarë ka zbritur para emigrimit për në Medine konsiderohet si Kuran mekas, edhe nëse mund të ketë ndodhur që shpallja t’i ketë zbritur në ndonjë vend tjetër jashtë Mekes, si p.sh. në Taif apo në rrethinat e Mekes. Sh.p.

[2] E përcjell Buhariu. Pra ky ajet edhe pse ka zbritur në Meke pas çlirimit të saj, surja është quajtur medinase sepse ajetet e tjera kanë zbritur pas emigrimit të Profetit alejhi selam në Medine. Sh.p.

[3] Për më tepër shih “Ulum el Kuran” të el Katanit.

Loading...