Shejh Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, dallohej për thellësinë e kuptimeve që sillte në mësimet e tij, qofshin ato të transmetuara në radio, në komentet mbi veprën “El Xhelalejn”, apo në ligjëratat që mbante në xhami. Në fillim i lexohej një pjesë nga Kurani, e më pas ai e komentonte me përpikmëri. Ajo që e bënte të veçantë ishte mënyra e thelluar e nxjerrjes së kuptimeve, plot hollësi të çmuara dhe të pazakonta që përçonin dobi të mëdha.
Nuk e them këtë vetëm për shkak të dashurisë e respektit që kam për të, ndonëse pa dyshim e duam dhe e vlerësojmë si një imam në dijen islame dhe në fikh, por e them për hir të së vërtetës dhe për të njohur vlerat që i takojnë me të drejtë.
Kam bërë një përpjekje për të ndjekur dhe krahasuar shumë prej veprave të tefsirit në mënyrë kronologjike, duke përfshirë edhe ato të dijetarëve bashkëkohorë. Ndër të fundit që lexoja ishte pikërisht libri (tefsiri) i shejh Ibën Uthejminit. Shpesh më vinte të pyesja veten: “Çfarë mund t’i ketë mbetur për të thënë?” Shpesh i lexoja librat e tjerë vetëm për të plotësuar angazhimin që i kisha vënë vetes për të përfunduar leximin e më shumë se pesëdhjetë veprave në këtë fushë.
Disa prej këtyre librave ishin shumë të gjatë por nuk përmbanin asgjë që nuk ishte thënë më parë. Shumë prej përfitimeve ose ideve të tyre ishin thjesht përsëritje nga autorët e mëhershëm, ose trajtonin çështje gjuhësore, gramatikore apo stilistike shpesh në mënyrë të stërzgjatur që të lodhnin gjatë leximit.
Por kur i rikthehesha veprës së shejhut, Allahu e mëshiroftë, gjeja gjithmonë përmbajtje të re dhe të vyer që meritonte të shënohej. Pyetja që lind natyrshëm është: A harxhonte shejhu kohë për përgatitje të gjatë? Me siguri jo, sepse koha e tij ka qenë përherë e mbushur. Angazhimet e tij ishin në radio, pastaj komentimi i “El Xhelalejnit” në mëngjes, “Lika el Meftuh”, ku të gjitha këto ishin cikle mësimore që kanë ekzistuar prej kohësh. Prej viteve të hershme përpara se të bëhej i njohur, ai zhvillonte çdo ditë së paku pesë mësime në mëngjes gjatë pushimeve verore.
Një prej këtyre ishte komentimi i tefsirit të “El Xhelalejnit”, të cilin e pasuronte me shpjegime të thella dhe nxjerrje të mrekullueshme nga Kurani. Sot këto i dëgjojmë nëpër incizime dhe ruajtje të mësimeve të tij.
Koha e tij ishte e mbushur me mësime; pesë në mëngjes, një pas akshamit në fikh, një ndërmjet ezanit dhe ikametit për një disiplinë tjetër, si dhe takime të shumta me dijetarë, nxënës, anëtarë të institucioneve fetare dhe shoqata. Përveç kësaj, merrte pjesë në emisionin “Drita në rrugë”, dhe kishte angazhime të tjera të shumta.
Kur përgatitej ai? Ne edhe me vetëm një mësim në javë, shpesh e kemi të vështirë të merremi me gjë tjetër.
Megjithatë tek mësimet e tij gjen gjithmonë thellësi, hollësi, përfitime dhe perla diturie. E gjithë kjo nuk është gjë tjetër veçse dhuntia e Allahut të cilën Ai ia dhuron atij që do.
✍ Shejh Halid es Sebt
Dosje: ibn Uthejmin, tefsir