Veprat e ditës së xhuma që kanë shpërblime të mëdha

Transmetohet nga Selman el-Farisij (radijAllahu anhu) se Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk lahet ndokush ditën e xhuma dhe pastrohet në mënyrën më të mirë që mundet, i lyen flokët me vaj nga vaji i tij apo lyhet me erë të mirë nga shtëpia e tij. Më pas niset për në xhami dhe nuk ndan mes dy personave (në xhami), më pas falet sa ta ketë shkruajtur Allahu që të falet dhe hesht kur hatibi fillon hutben, vetëm se atij i falen mëkatet mes asaj xhumaje e deri në xhumanë tjetër.” Transmeton Buhariu (883).

Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) thotë: Fshirja e gjynaheve nga xhumja deri në xhuma është e kushtëzuar me kryerjen e të gjthë gjërave të përmendura në hadith; larja (gusuli), pastrimi, parfumosja ose lyerja e flokëve me vaj, veshja e rrobave të mira (bukura), shkuarja me qetësi për në xhami, mos kalimi mbi kokat e njerëzve, mos të ndash (ulesh) mes dy vetave, lënia e dëmtimit (shqetësimit të të tjerëve), falja e namazit vullnetar, heshtja kur imami fillon hutben dhe lënia e shpërqëndrimit (marrjes me diçka) gjatë kohës që imami flet.

 

Përktheu: Unejs Sheme