Vizita e varreve dhe kërkimi i ndihmës nga i varrosuri – 2 –

(Mënyra e vizitës së varreve që përputhet me Sheriatin)

Përsa i përket formës së vizitës, që përputhet me Sheriatin, ajo bëhet duke përshëndetur të vdekurin dhe duke lutur Allahun për të. Pra, si namazi i xhenazes. Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i mësonte shokët e tij, që kur të vizitonin varret të thoshnin: “Paqja e Allahut qoftë mbi ju o banorë besimtarë të këtij vendi. Edhe ne me urdhrin e Allahut, kur të vijë përcaktimi i Tij, inshaAllah me ju do të rradhitemi. Allahu mëshiroftë prej nesh dhe prej jush ata që kanë ikur para dhe ata që do të vijnë më pas. Lusim Alahun për ne dhe për ju që të na ruajë nga çdo gjë. O Allah! Mos na e ndalo shpërblimin e tyre dhe mos na sprovo pas tyre.”

Është transmetuar prej pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) se ka thënë: “Çdo njeri që kalon në varrin e një njeriu të cilin e njihte në këtë botë dhe e përshëndet atë, atëherë Allahu ia kthen  shpirtin atij derisa t’ia kthejë atij përshëndetjen.”

Allahu i Lartmadhëruar e shpërblen të gjallin nëse lutet për të vdekurin besimtar, ashtu sikurse e shpërblen atë nëse i fal atij xhenazen. Prandaj Allahu i Madhëruar e ndaloi pejgamberin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) që ta bëjë një gjë të tillë me munafikët (hipokritët, të cilët shfaqin besimin dhe fshehin mosbesimin). Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kurrë (o Muham-med) mos (fal xhenaze) për ndonjë prej atyre (hipokritëve) që vdes dhe as mos rri tek varri i tij.” [Et-Teube: 84]

Në vizitën që është në përputhje me Sheriatin, nuk ekziston ndonjë nevojë e të gjallit që t’ia paraqesi të vdekurit, as nuk kërkon prej tij dhe as nuk e merr atë për ndërmjetës. Madje në të ekziston dobia që kryhet nga i gjalli për të vdekurin, siç duket qartë kjo gjë tek namazi i xhenazes. Allahu i Madhëruar e mëshiron të vdekurin me anë të lutjes dhe bamirësisë së të gjallit. Dhe e shpërblen këtë për shkak të punës së tij. Ngaqë është fiksuar në Sahih (të Muslimit), se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kur ndërron jetë biri i Ademit, ndërpritet puna e tij përveçse tri gjërave: Sadakaja e vazhdueshme, dituria prej së cilës përfitohet pas tij dhe djali (fëmija) i mirë që lutet për të.”


(Gjykimi ndaj atij që vjen tek varri i një pejgamberi, apo i një njeriu të mirë, duke kërkuar diçka prej tij ose duke iu drejtuar atij për ndihmë)

Përsa i përket atij që shkon tek varri i një pejgamberi, apo i një njeriu të mirë, ose tek ai që beson se është varri i një pejgamberi ose i një njeriu të mirë, ndërkohë që nuk është kështu, duke kërkuar diçka prej tij, ose duke iu drejtuar atij për ndihmë, ndahet në tre lloje:

Lloji i parë: Kur kërkon plotësimin e nevojës që ka, si p.sh.: Kërkon largimin e sëmundjes që ka, sëmundjen e kafshës së tij, të shlyej borxhet, të hakmerret ndaj armikut, t’i japë shëndet atij, familjes së tij, kafshës së tij, etj., prej gjërave të cilat nuk mund t’i plotësojë askush tjetër përveç Allahut të Madhëruar. Ky veprim i tij është shirk i qartë dhe kërkohet prej atij që e kryen atë, të pendohet. Nëse pendohet mirë dhe nëse nuk pendohet atëherë vritet.

Nëse ai thotë: Unë kërkoj prej tij, sepse ai është më afër tek Allahu se unë, që ai të ndërmjetësojë për mua në këto gjëra. Sepse unë ndërmjetësohem me anë të tij tek Allahu, ashtu sikurse ndërhyet tek mbreti me njerëzit e tij të veçantë dhe këshilltarët e tij. Ky veprim i tij është prej veprave të mushrikëve (idhujtarëve) dhe të krishterëve, sepse ata pretendojnë se i marrin rabinët dhe murgjit e tyre ndërmjetësa për të ndërhyrë në kërkesat e tyre.  Gjithashtu Allahu na ka njoftuar për gjendjen e mushrikëve se ata thonë: “Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut.” [Ez-Zumer: 3] Përsëri Allahu i Lartësuar thotë: “43- A kanë marrë të tjerë si ndërmjetësues në vend të Allahut? Thuaju: Edhe sikur ata të mos kenë fuqi mbi asgjë dhe të mos mendojnë? 44- Thuaju: Allahut i takon i gjithë ndërmjetësimi. Atij i përket mbizotërimi i qiejve dhe i tokës. Pastaj tek Ai do të ktheheni.” [Ez-Zumer: 43-44] Allahu i Lartësuar thotë: “Ju (o njerëz) nuk keni askënd tjetër përveç Atij si mbrojtës e ndihmues dhe as ndërmjetësues. A nuk do të përkujtoni pra?” [Es-Sexhde: 4] Allahu i Lartësuar thotë: “E kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e Tij.” [El-Bekare: 255]

Pra Ai e sqaroi dallimin midis Atij dhe krijesave të Tij. Njerëzit e kanë zakon që kur duan të ndërhyjnë tek ndonjë prej të mëdhenjve të tyre, gjejnë një person që ka pozitë tek ai. Më pas ndërmjetësuesi kërkon prej tij dhe ai ia kryen nevojën atij nga dëshira, frika, turpi, dashuria që ka për të, ose për shkaqe të tjera. Ndërsa tek Allahu i Madhëruar nuk ndërhyn askush për ndërmjetësim, derisa Ai t’i japë leje ndërmjetësuesit, pra nuk veprohet asgjë përveç asaj që Ai do. Ndërhyrja e ndërmjetësuesit është me lejen e Tij dhe si rrjedhojë e gjithë çështja i takon vetëm Atij.

Prandaj pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë në hadithin që e transmeton Bukhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Të mos thotë ndonjëri prej jush: O Allah! Më fal mua nëse do! O Allah! Më mëshiro mua nëse do! Por të kërkojë me zell dhe me siguri, sepse Allahun nuk mund ta detyrojë askush.” Këtu sqaroi, se Allahu i Madhëruar vepron çfarë të dojë dhe nuk mund ta detyrojë askush në atë që Ai zgjedh, ashtu siç mund të detyrojë ndërmjetësuesi dikë dhe ashtu siç detyron kërkuesi dikë, pasiqë ia kërkon diçka me ngulm dhe duke e zënë ngusht me kërkesën e tij. Pra të gjitha dëshirat dhe qëllimet duhet t’i drejtohen vetëm Allahut, siç thotë i Lartmadhëruari: “7- Kështu që kur të kesh mbaruar (punën, detyrën tënde) ngrihu dhe qëndro në adhurim të Allahut (duke kryer falje). 8- Dhe (vetëm) tek Zoti yt ktheji (të gjitha qëllimet, shpresat dhe) lutjet.” [Esh-Sherh: 7-8]

Po ashtu, duhet t’i  frikësohet vetëm Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe vetëm Mua m’u frikësoni.” [El-Bekare: 40] Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Mos iu frikësoni njerëzve por m’u frikësoni vetëm Mua.” [El-Maideh: 44]

Allahu na ka urdhëruar që të bëjmë salavat për pejgamberin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) gjatë lutjes, madje e ka bërë këtë gjë prej shkaqeve të pranimit të lutjes sonë.

Shumë prej njerëzve të humbur thonë: Ky është më afër tek Allahu nga unë, sepse unë jam larg Allahut dhe nuk mund ta lus Atë vetëm se nëpërmjet këtij ndërmjetësuesi. Si dhe thënie të tjera të ngjashme me këto, që i përdorin mushrikët. Ngaqë Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kur robërit e Mi të pyesin ty (o Muham-med) për Mua, atëherë (përgjigju atyre): Vërtet Unë jam pranë tyre (me dijen Time). Unë u përgjigjem duave (lutjeve) të lutësit kur ai më drejtohet Mua me lutje (pa ndërmjetësues apo ndërlidhës).” [El-Bekareh: 186]

Është transmetuar se sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) thanë: O i dërguari i Allahut! Zoti ynë është afër që ta lutim me zë të ulët apo është larg që ta thërrasim? Atëherë Allahu zbriti ajetin që përmendëm më lart.

Në Sahihun e Imam Bukhariut, transmetohet se ata ishin në udhëtim dhe i ngrinin zërat duke bërë tekbir (duke thënë: Allahu Ekber, Allahu është më i madhi). Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “O njerëz! Tregohuni të butë me vetet tuaja (duke mos e ngritur zërin gjatë lutjes), sepse ju nuk po lutni një të shurdhër dhe as një që mungon. Ju po lutni një Dëgjues që është afër. Ai që po e lutni ju është më afër tek ndonjëri prej jush se sa qafa e kafshës së cilës i ka hipur.” Allahu i Madhëruar i ka urdhëruar të gjithë robërit, që të falen vetëm për Të dhe të lutin vetëm Atë. Ai i urdhëroi të gjithë ata të thonë: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).” [El-Fatiha: 5] Ai njoftoi se mushrikët thanë: “Ne nuk i adhurojmë ata për gjë tjetër, përveçse që ata të mund të na afrojnë tek Allahu.” [Ez-Zumer: 3]

Pastaj këtij mushriku i thuhet: Ti kur e lute këtë, nëse mendoje se ai është më i dijshëm për gjendjen tënde, ose kishte më tepër mundësi për të plotësuar kërkesën tënde, ose ishte më i mëshirshëm nga ty, atëherë kjo që ti bëre është injorancë, humbje dhe mohim. Nëse e dije se Allahu është më i dijshëm, më  i fuqishëm dhe është më i mëshirshëm, atëherë përse nuk kërkove prej Tij, por kërkove prej dikujt tjetër?! A nuk dëgjon çfarë ka transmetuar Bukhariu dhe të tjerë bashkë me të, nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) na mësonte Istikharen (namaz dhe lutje që e kryen dikush që ka diçka në mëdyshje), ashtu sikur na mësonte ndonjë sure prej Kur’anit dhe thoshte: “Nëse dikush nga ju dëshiron të bëj diçka, le të fal dy rekate që nuk kanë lidhje me farzet e më pas të thotë :”O Allah! Unë të lutem që me diturinë Tënde (të pakufishme) të më drejtosh tek ajo që është më e mirë për mua! (O Allah) Më ndihmo me fuqinë Tënde! Unë të kërkoj Ty prej mirësisë Tënde të madhe, sepse Ti je i Plotfuqishmi e unë jam i pafuqishëm, Ti di gjithçka e unë nuk di asgjë. Ti je i Dituri mbi çdo të fshehtë. O Allah, në qoftë se ajo për të cilën po lutem është për të mirën e fesë sime dhe të jetës sime, në qoftë se ajo është për një përfundim të mirë të çështjeve të mia tani e në të ardhmen, ma bëj të mundur dhe ma lehtëso kryerjen e saj e më pas më jep begati prej saj. E në qoftë se ajo për të cilën po lutem është për të keqen e fesë sime dhe të jetës sime e për një përfundim të keq të veprave të mia tani e në të ardhmen, largoje atë nga unë e më largo mua nga ajo dhe bëj të mundur që të më mbulojnë mirësitë e Tua kudo që të jem, e më pas më bëj që të kënaqem me të (paracaktimin Tënd).” Thotë: “Dhe thotë nevojën e tij.” Ai e urdhëroi robin të thotë: “Unë të lutem që me diturinë Tënde (të pakufishme) të më drejtosh tek ajo e cila është më e mirë për mua, (O Allah) Më ndihmo me fuqinë tënde. Unë të kërkoj Ty prej mirësisë Tënde të madhe.”

Nëse e di se ai është më afër tek Allahu dhe në gradë më të lartë tek Allahu se sa ty, atëherë kjo është e vërtetë. Mirëpo është një fjalë e vërtetë, me të cilën kërkohet të mbrohet e kota, sepse nëse ai është më afër se ty dhe në gradë më të larta nga ty, kjo do të thotë se Ai e shpërblen atë dhe i jep atij më tepër se sa ty. Pra nuk kuptohet se kur ti e lut atë, atëherë Allahu do të ta plotësojë nevojën tënde më tepër se sa do të ta plotësojë nëse ti e lut vetë Allahun e Lartësuar. Nëse ti p.sh., e meriton dënimin dhe mospranimin e lutjes për shkak se në të ekziston kalim kufijsh, atëherë pejgamberi dhe njeriu i mirë nuk ndihmon dikë në atë që e urren Allahu dhe nuk e merr mundimin të të ndihmoj në atë të cilën Allahu e urren. Nëse nuk është ashtu, atëherë Allahu është më parësor për ta mëshiruar dhe për t’ia pranuar lutjen.