Vizita e varreve dhe kërkimi i ndihmës nga i varrosuri – 3 –

(Kërkimi i lutjes prej dikujt qoftë i gjallë apo i vdekur)

Nëse ti thua: Kur ky e lut Allahun, Ai ia pranon lutjen atij më tepër se sa do ta pranonte nëse do ta lutja unë. Dhe ky është:

Lloji i dytë: Që të mos kërkosh diçka prej tij dhe të mos e lutësh, por të kërkosh prej tij që ai të lutet për ty. Kjo është njëlloj sikur i thua një njeriu që jeton: Lutu (bëj dua) për mua! Ashtu sikurse sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta) kërkonin prej pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) që të bënte dua për ta. Kjo mënyrë, përsa i përket njeriut që jeton, është në përputhje me Sheriatin siç e përmendëm edhe më lartë. Ndërsa përsa i përket të vdekurit, qoftë prej pejgamberëve, njerëzve të mirë, etj., nuk na lejohet të themi: Bëj dua për ne! Dhe as të themi: Kërkoji Zotit tënd për ne! Këtë nuk e ka bërë asnjë prej sahabëve dhe tabi’inëve, nuk ka urdhëruar për të ndonjë nga imamët dhe nuk ka ardhur asnjë hadith që të argumentoj për të. Madje ajo që ka ardhur në Sahih (të imam Bukhariut), është se kur ata i goditi thatësira në kohën e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të), atëherë ai kërkoi shi me anë të Ibën Ab-basit dhe tha: “O Allah! Ne kur na godiste thatësira ndërmjetësoheshim tek Ty me anë të pejgamberit tonë dhe Ti na dërgoje shiun. Ndërsa ne tani po ndërmjetësohemi tek Ty me anë të xhaxhait të Pejgamberit tonë, pra na dërgo shi!” E më pas zbriste shiu. Ata nuk shkuan tek varri i Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe të thoshnin: O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun për ne! Kërko shi për ne! Ne ankohemi tek ty për atë që na ka goditur e të tjera shprehje si këto. Këtë nuk e ka bërë asnjë prej sahabëve, madje ai është bidat dhe Allahu nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë për të. Madje ata (sahabët), kur vinin tek varri i pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), e përshëndesnin atë dhe nëse donin të bënin dua, nuk bënin dua në drejtim të varrit, por mënjanoheshin nga drejtimi i varrit, duke u drejtuar nga Kibla dhe lusnin vetëm Allahun, Një, duke mos i shoqëruar Atij asnjë, njësoj siç e lusnin Atë në çdo vend.

Në veprën “El Muatta” (të Imam Malikut) si dhe në vepra të tjera, transmetohet se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “O Allah! Mos e bëj varrin tim idhull që të adhurohet! Inatosja e Allahut është e madhe ndaj një populli që i bën varret e pejgamberëve të tyre xhami.” Në Sunen (të Ebi Daudit) transmetohet se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Mos e bëni varrin tim vend vizite (vend grumbullimi), bëni salavat për mua kudo që të jeni, sepse salavati juaj mbërrin tek unë.” Në dy Sahihët (të Bukhariut dhe Muslimit), transmetohet se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë në kohën që ishte sëmurë me sëmudjen prej së cilës nuk u çua më: “Allahu i ka mallkuar çifutët dhe të krishterët, të cilët i bënë varret e pejgamberëve të tyre xhami.” Në këtë hadith, ai tërheq vëmendjen që ummeti (populli) i tij të ruhet prej veprës së tyre. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj dhe prindërve të saj) ka thënë: “Sikur të mos ishte kjo gjë, atëherë do të shfaqej varri i tij, por ai nuk deshi dhe e urreu që të bëhej xhami.” Në Sahihun e Imam Muslimit, është transmetuar se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë pesë ditë para se të ndërronte jetë: “Ata që ishin para jush i bënin varret xhami. Ju kini kujdes! Mos i bëni varret xhami, sepse unë ju ndaloj nga kjo gjë.” Në Sunen të Ebu Daudit, transmetohet se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Allahu i mallkoftë ato që i vizitojnë varret shpesh, ata që bëjnë mbi to xhami dhe ata që vendosin kandila mbi to.”

Prandaj dijetarët tanë thonë: “Nuk lejohet ndërtimi i xhamisë mbi varre.” Gjithashtu thonë se nuk lejohet të bëhet ndonjë zotim për varrin, as për ata që janë pranë varrit, as të çojë atje dirhem (monedhë argjendi), vaj, qirinj, kafshë etj. . Të gjitha këto janë zotime të ndaluara dhe gjynah. Në Sahih (të imam Bukhariut) është fiksuar se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush zotohet se do t’i bindet Allahut, le t’i bindet dhe kush zotohet se do kundërshtoj Allahun, të mos e kundërshtoj Atë.”

Dijetarët kanë mendime të ndryshme rreth çështjes, se a e ka detyrë shpagimin e zotimit ai që zotohet apo jo? Ata kanë dy mendime për këtë çështje. Mirëpo asnjë prej imamëve të selefëve, nuk ka thënë se namazi në varre dhe përmendoret e varreve (vendet e shenjta) është i pëlqyeshëm dhe se ka ndonjë mirësi. Po ashtu asnjë prej tyre nuk ka thënë se namazi dhe lutja në to është më i mirë se namazi dhe lutja në vendet e tjera. Aq sa të gjithë kanë rënë dakord në një mendim të përbashkët, unanim, se namazi në xhami dhe në shtëpi është më i mirë se namazi në varre -qofshin ato varre të pejgamberëve apo të njerëzve të mirë-, u quajtën vende të shenjta apo jo.

Allahu dhe i dërguari i Tij kanë vendosur norma dhe rregulla të cilat i përkasin vetëm xhamive dhe që nuk i përkasin aspak vendeve të shenjta. Allahu i Lartmadhëruar  thotë: “Dhe kush është më i padrejtë se ata që ndalojnë nga përmendja sa më shumë e emrit të Allahut (në falje, dua, etj.) në xhamitë e Allahut, madje që edhe luftojnë për shkatërrimin e tyre.” [El-Bekare: 114] Allahu i Madhëruar në këtë ajet nuk i përmendi përmendoret. Përsëri i Lartësuari thotë: “Dhe mos iu afroni atyre (grave) kur ju jeni në itikaf në xhami.” [El-Bekare: 187] Në këtë ajet nuk përmendi vendet e shenjta (apo përmendoret). Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Zoti im më ka urdhëruar drejtësi dhe se duhet t’i drejtoheni vetëm Atij në çdo xhami (që të jeni duke u falur).” [El- A’raf: 29] Ai thotë: “Xhamitë e Allahut do të mirëmbahen vetëm nga ata që besojnë Allahun dhe ditën e Fundit, që kryejnë rregullisht faljen (e përcaktuar ditore), që japin zekatin dhe që kanë frikë vetëm Allahun. Këta janë në udhëzim të vërtetë.” [Et-Teube: 18] Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun (të Vetëm), kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun.” [El-Xhin: 18] Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Namazi i burrit në xhami është më i mirë nga namazi i tij në shtëpinë apo tregun e tij, me njëzet e pesë herë.” [Transmeton Bukhariu] Gjithashtu pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush e ndërton një xhami për Allahun, Allahu i ndërton atij një shtëpi në Xhennet.” [Transmeton Bukhariu dhe Muslimi]

Përsa i përket varreve, ka ardhur ndalim prej pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), në të cilin ka ndaluar bërjen e varreve xhami, aq sa ai e ka mallkuar atë që e bën këtë. Këtë gjë e kanë përmendur shumë prej sahabëve dhe tabi’inëve, siç e ka përmendur edhe Bukhariu në Sahihun e tij, Taberanij e të tjerë në Tefsirët e tyre. Gjithashtu e ka përmendur edhe Uthejmete e të tjerë në “Kisasul Enbija” (Historitë e Pejgamberëve), tek fjala e Allahut: “Dhe kanë thënë: Ju nuk do t’i lëni zotat tuaj dhe nuk do t’i lini as Uuddin, as Suuaan, as Jaguthin, as Jaukan dhe as Nesran (emra të idhujve të tyre).” [Nuh: 23] Ata thanë: Këto emra ishin të disa njerëzve të mirë e të devotshëm nga populli i Nuhut. Pas vdekjes së tyre njerëzit qëndruan në varret e tyre. Pastaj, pas një kohe të gjatë, ata i bënë përmendoret e tyre idhuj dhe qëndronin tek varret duke i fërkuar, duke i puthur e duke u lutur në to, si dhe veprime të ngjashme me këto. Nuk ka dyshim që kjo është origjina e shirkut dhe i adhurimit të idhujve. Prandaj pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “O Allah, mos e bëj varrin tim idhull që adhurohet.”

Dijatarët janë të gjithë në një mendim, se kush viziton varrin e pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), ose varrin e ndonjërit prej pejgamberëve, njerëzve të mirë (sahabëve ose anëtarëve të familjes (së pejgamberit -Ehlil-Bejti-) ose të të tjerëve), atij nuk i lejohet që ta fërkojë varrin, as ta preki dhe as ta puthi atë. Madje në të gjithë botën nuk ekziston ndonjë send, që është mirë të puthet përveç gurit të zi (në Ka’be). Është vërtetuar në dy Sahihët (Bukhariut dhe Muslimit) se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Pasha Allahun! Unë vërtet e di që ti je një gur që nuk të bën dobi dhe as dëm. Dhe sikur unë të mos e kisha parë  të dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) duke të të puthur, nuk do të të puthja.”

Prandaj, nuk është prej Sunetit që dikush të prekë apo të puthë dy shtyllat e shtëpisë (Ka’bes), që janë në krah të gurit të zi, as muret e shtëpisë (Ka’bes), as Mekamin e Ibrahimit, as shkëmbin e Kudsit (që ndodhet në Palestinë), as varrin e ndonjë pejgamberi  ose të njerëzve të mirë e të devotshëm. Ky është mendimi i përgjithshëm i dijetarëve dhe ata kanë rënë dakord për këtë. Aq sa fukahatë kanë mendime të ndryshme rreth çështjes së vendosjes së dorës në minberin e zotërisë sonë, të dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur ai ekzistonte dhe nuk ishte prishur. Imam Maliku dhe disa të tjerë e kanë urryer këtë, sepse është bidat (risi), aq sa thuhet se imam Maliku kur e pa Ata’en që të bënte një gjë të tillë, nuk mori më dituri prej tij. Ndërsa imam Ahmedi dhe disa të tjerë e kanë lejuar këtë veprim, sepse e ka vepruar i biri i Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy).

Përsa i përket fërkimit të varrit të profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe puthjes së tij, që të gjithë ata e kanë urryer këtë dhe e kanë ndaluar. Ngaqë ata e kuptuan atë që kishte për qëllim pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), në lidhje me ndërprerjen përfundimtare të shirkut, vërtetimin e Teuhidit dhe përkushtimin e fesë vetëm për Allahun, Zotin e Botëve.

Këtu duket edhe dallimi midis kërkimit prej pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe prej një njeriu të mirë në kohën që ai është gjallë, dhe kërkimit prej tij pas vdekjes së tij dhe në mosprezencën e tij. Kjo ndodh se se në kohën që ai është gjallë, atë nuk mund ta adhuroj askush në prezencën e tij. Pra vetë pëjgamberët (paqja e Allahut qoftë mbi ta) dhe njerëzit e mirë e të devotshëm kur janë gjallë, nuk lejojnë askënd që të bëj shirk me anë të tyre, madje e ndalojnë rreptësisht këtë gjë dhe i ndëshkojnë ata që e veprojnë këtë. Për këtë Isai (paqa e Allahut qoftë mbi të) tha: “Kurrë nuk u kam thënë ndonjë gjë përveç asaj që Ti më urdhërove të them: Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj, dhe unë isha dëshmitar për ta kur unë isha dhe u mora me ta, por kur Ti më more (dhe më ngrite lart) Ti ishe Vëzhgues mbi ta dhe ti je Dëshmues për çdo gjë.” [El-Maide: 117] Një burrë i tha pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): Çfarë dëshiron Allahu dhe  dëshiron ty. Atëherë pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) tha: “A më bëre mua të barabartë me Allahun!? Çfarë dëshiron vetëm Allahu!” Përsëri thotë: “Mos thoni çfarë dëshiron Allahu dhe dëshiron Muhamedi, por thoni: Çfarë dëshiron Allahu pastaj dëshiron Muhamedi.” Po ashtu kur Xhuejrija tha: Midis nesh është i dërguari i Allahut, i cili e di se çdo të ndodh nesër, ai i tha: “Lëre këtë dhe thuaj atë që thoje më parë.” [Transmeton Bukhariu] Dhe thotë:  “Mos e teproni në lavdërimin tim ashtu sikurse e tepruan të krishterët, në lavdërimin e birit të Merjemes. Unë padyshim që jam rob, pra thoni: Robi i Allahut dhe i dërguari i Tij.” Njëherë, kur ata u rreshtuan në rresht pas tij të ngritur në këmbë ai u tha: “Mos më madhëroni mua ashtu sikurse madhërojnë të huajt njëri-tjetrin.” Enesi thotë: “Ata (sahabët) nuk donin ndonjë tjetër më shumë nga profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), megjithatë kur e shikonin nuk çoheshin në këmbë për të, sepse e dinin se ai e urrente këtë gjë.” Gjithashtu kur Muadhi bëri sexhde për të e ndaloi atë dhe tha: “Nuk lejohet të bëhet sexhde për asnjë tjetër përveç Allahut. Nëse do të urdhëroja dikë që t’i bënte sexhde dikujt, do të urdhëroja gruan t’i bënte sexhde burrit të saj, për shkak të të drejtës së madhe që ai ka ndaj saj.” Kur  sollën heretikët tek Aliu, të cilët i kaluan kufijtë (duke e tepruar) në madhërimin e Aliut dhe besuan se ai ishte zot, ai (Aliu) urdhëroi që ata të digjeshin me zjarr.

Ky pra, është karakteri i pejgamberëve dhe eulijave. Ndërsa kush dëshiron që njerëzit ta teprojnë në madhërimin e tij pa të drejtë, ai është prej atyre që dëshirojnë arrogancë dhe shkatërrim në tokë, si Faraoni dhe të ngjashmit me të. Këtu hyjnë edhe shehlerët e humbjes, qëllimi i të cilëve është arroganca në tokë dhe shkatërrimi, sprovimi me anë të pejgamberëve dhe njerëzve të mirë e të devotshëm, marrja e tyre për zota, bërja e shirkut me anë të tyre  pas vdekjes së tyre dhe në kohën që ata nuk janë të pranishëm, ashtu siç është bërë shirk me Mesihun dhe Uzejrin.

Këtu duket qartë edhe dallimi midis kërkimit prej pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe prej njeriut të mirë e të devotshëm në kohën kur ai është gjallë dhe prezent, dhe kërkimit prej tij pas vdekjes së tij e në mungesë të tij. Asnjë prej gjeneratave të para të këtij populli në kohën e sahabëve, as tabi’inët dhe as ata që ishin një brez pas tabi’inëve, nuk e kryenin namazin dhe duanë në varret e pejgamberëve dhe nuk kërkonin prej tyre. Ata nuk kërkonin ndihmë prej tyre as në mungesë të tyre, as në varret e tyre dhe nuk qëndronin në to.

Prej shirkut më të madh, është që njeriu të kërkojë ndihmë nga i vdekuri apo nga ai që nuk është i pranishëm, siç përmendi pyetësi. Ai kërkon ndihmë prej tij kur ka fatkeqësi dhe thotë: O zotëria im filani! Njësoj sikur kërkon prej tij largimin e dëmit apo sjelljen e dobisë. Ky është edhe realiteti i asaj që bëjnë të krishterët me Mesihun dhe nënën e tij, me rabinët dhe murgjit të tyre. Është e ditur se krijesa më e mirë dhe më e ndershme tek Allahu, është pejgamberi ynë, Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), dhe njerëzit që e dijnë më së miri vlerën dhe të drejtën e tij janë sahabët, shokët e tij. Sahabët nuk e vepronin një gjë të tillë as në mungesë të tij dhe as pas vdekjes së tij. Mushrikët (idhujtarët) i atribojnë shirkut gënjeshtrën, sepse gënjeshtra është e shoqëruar ngushtë me shirkun. Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu pra, braktisni adhurimin e pështirë të idhujve, braktisni edhe fjalën e rreme. Jini hunafa Lil-Lah (për të adhuruar vetëm Allahun) duke mos i vënë Atij shokë në adhurim. Dhe kushdo që i emëron shok (të barabartë) Allahut, kjo është sikur ai të kishte rënë nga qielli dhe ta kishin kapur zogjtë.” [El-Haxh: 30-31] Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Dëshmia e rreme është e barabartë me shirkun që i bëhet Allahut, me dy ose tri herë.”

Allahu i Lartësuar thotë: “Padyshim se ata të cilët morën viçin për ta adhuruar, zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi i Tij do t’i mbulojë ata në jetën e kësaj bote. Kështu i shpërblejmë Ne ata që shpifin dhe trillojnë.” [El-A’raf: 152] Ibrahimi (miku i afërt i Allahut) (paqa e Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “A është mashtrimi -të adhuruar të tjerë të rremë në vend të Allahut që ju dëshironi? Po ç’mendoni atëherë për Zotin e botëve?” [Es-Safat: 86-87]

Prej gënjeshtrave të tyre është fakti, se kur ndonjë prej tyre thotë në lidhje me shehun e vet: Nëse muridi (ithtari i shehut) ndodhet në perëndim dhe shehu i tij në lindje, dhe atij i zbulohet mbulesa, ai ia kthen atij siç ishte. Aq sa arritën të thonë, se nëse shehu nuk është kështu siç u cilësua, atëherë ai nuk është sheh. Ndonjëherë ata mashtrohen nga shejtanët, siç mashtrohen adhuruesit e idhujve. Siç ndodhte me arabët dhe idhujt e tyre, me adhuruesit e yjeve e hajmalive prej shirkut e magjisë. Ashtu siç ndodhi me tatarët, indianët, sudanezët dhe grupe të tjera idhujtare, të cilët u mashtruan prej shejtanëve dhe bashkëbiseduan me ta, si dhe ndodhitë e tjera të ngjashme me këto. Shumë prej tyre mund t’u ndodh diçka e përafërt me këto, veçanërisht kur dëgjojnë fërshëllimë apo përplasje duarsh, shejtanët ndoshta zbresin mbi ta, e  ndonjëri prej tyre goditet ashtu sikurse goditet dikush prej epilepsisë, e më pas ndiqet me një zë si zëri i devesë, si shkumëngari, apo dëgjohet prej tij një ulërimë e bezdisshme. Gjithashtu ai flet gjëra që nuk i kupton as ai dhe as të pranishmit. Si dhe gjëra të tjera si këto që përmendëm, ku mund të bien këta njerëz të humbur.


(Ndërmjetësimi me pozitën dhe shenjtërinë e dikujt)

Lloji i tretë, tregon për ata që thonë: O Allah! Të drejtohem Ty me pozitën që ka filani tek Ty, ose me bereqetin e filanit, ose me shenjtërinë që ka filani tek Ty: Ma plotëso mua këtë dhe këtë. Këtë e veprojnë shumë njerëz, por një gjë e tillë nuk ka ardhur prej asnjërit nga sahabët, tabi’inët apo prej ndonjërit nga të parët e këtij  populli. Nuk ka ardhur që të jenë lutur me një dua si kjo që u përmend më lart. Mua nuk më është transmetuar nga ndonjë dijetar diçka rreth kësaj që ta tregoj, përveçse atë që kam parë tek fetvatë e fekihut Ebu Muhamed ibën Abdus-Selam. Ai ka dhënë fetva se: Nuk i lejohet askujt të bëj një gjë të tillë, përveçse me Pejgamberin (paqja dhe bekimi Allahut qofshin mbi të) -nëse ka ardhur në hadith të saktë përsa i përket pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të)-. Kuptimi i kërkimit të fetvasë (përgjigjes së tij në lidhje me këtë çështje): Është transmetuar nga Nesaiu, Tirmidhiu dhe të tjerë, se Pejgamberi (paqja dhe bekimi Allahut qofshin mbi të) i mësoi disa nga shokët e tij që të luten duke thënë: “O Allah! Unë të lutem Ty dhe ndërmjetësohem tek Ty me anë të Pejgamberit tënd, Pejgamberit të mëshirës. O Muhamed! O i dërguar i Allahut! Unë ndërmjetësohem me ty tek Zoti im  për nevojën që kam, që Ai të ma plotësoj atë. O Allah! Bëje atë të ndërmjetësojë për mua.” Me këtë hadith janë argumentuar disa, duke thënë se lejohet ndërmjetësimi me Pejgamberin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) gjatë jetës së tij dhe mbas vdekjes së tij.

Ata thonë se në ndërmjetësim nuk ekziston as lutja e krijesave dhe as kërkimi i ndihmës nga krijesa, por është vetëm lutja dhe kërkimi i ndihmës nga Allahu, por që në të bën pjesë kërkimi me anë të pozitës së tij. Siç ka ardhur në Sunen të Ibën Maxheh, se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka përmendur në lutjen e atij që del për në namaz të thotë: “O Allah! Unë të lutem Ty me të drejtën që kanë kërkuesit ndaj Teje dhe me të drejtën e kësaj ecjeje, sepse unë nuk kam dalë mosmirënjohës dhe as arrogant, as për syefaqësi dhe as për t’u bërë i njohur. Unë kam dalë se i frikësohem inatosjes Tënde dhe se dëshiroj kënaqësinë Tënde. Kërkoj që të më shpëtosh prej zjarrit dhe të më falësh gjynahet, sepse askush nuk i fal gjynahet përveç Teje.”

Ata thonë se në këtë hadith, ai kërkoi me të drejtën që kanë kërkuesit ndaj Tij dhe me të drejtën e ecjes së tij për në namaz. Kjo është një e drejtë të cilën Allahu ia ka ngarkuar Vetes së Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndërsa për besimtarët ishte detyrë për Ne që t’i ndihmonim.” [Er-Rum: 47] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Është një premtim që është mbi Zotin tënd i cili duhet të përmbushet.” [El-Furkan: 16] Ndërsa në dy Sahihët është transmetuar nga Muadh ibën Xhebeli, se profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i ka thënë: “O Muadh! A e di ti se cila është e drejta e Allahut ndaj robërve?” Ai tha: Allahu dhe i dërguari i Tij janë më të dijshëm. Tha: “E drejta  e Allahut ndaj robërve është që ta adhurojnë Atë e të mos i shoqërojnë Atij asgjë. A e di se çfarë të drejte kanë robërit ndaj Allahut në qoftë se e bëjnë këtë? E drejta e tyre ndaj Tij është që të mos i dënoj ata.” Dhe është transmetuar në hadithe të tjera shprehja: “Është detyrë për Allahun kjo dhe kjo.” Siç është fjala e Tij: “Atij që pi alkol nuk i pranohet namazi për dyzet ditë. Në qoftë se pendohet, Allahu e pranon pendimin e tij, por në qoftë se e përsërit për herë të tretë e të katërt, atëherë është detyrë për Allahun që t’i jap të pijë nga tijnetul-khabal.” U pyet: E çfarë është tijnetu khabal? Tha: “Është pija e banorëve të zjarrit.”

Një grup dijetarësh thonë: “Në këtë hadith nuk ndodhet lejimi i ndërmjetësimit me anë të  tij mbas vdekjes së tij dhe kur ai nuk është i pranishëm, por në të gjendet ndërmjetësimi me të gjatë jetës së tij dhe kur ai ishte prezent.” Është transmetuar në Sahihun e Bukhariut, se Umer ibën Khatab (Allahu qoftë i kënaqur me të) i kërkoi Abasit që t’i lutej Allahut për zbritjen e shiut dhe tha: “O Zoti ynë! Kur na godiste thatësira ndërmjtësoheshim tek Ty me të Dërguarin tonë dhe na e zbrisje shiun, kurse tani po ndërmjetësohemi tek Ty me xhaxhain e Pejgamberit tonë, kështu që na zbrit shi, dhe u zbriste shiu.” Pra Umer ibën Khatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) sqaroi se ndërmjetësoheshin me anë të tij gjatë jetës së tij dhe u zbriste shiu.

Ndërmjetësimi i tyre me anë të tij ishte se ata i kërkonin atij që të luste Allahun për ta dhe ai lutej. Gjithashtu ata luteshin bashkë me të dhe ndërmjetësoheshin me shefatin dhe lutjen e tij. Siç ka ardhur në Sahih, nga Enes Ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të), se një burrë hyri në xhami ditën e xhuma prej një dere që ishte afër “Darul Kada’”, ndërkohë që i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ishte në këmbë duke mbajtur khutbe (ligjëratë). Ai u drejtua nga i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) siç ishte në këmbë dhe tha: O i dërguari i Allahut! Pasuritë u shkatërruan dhe rrugët janë bllokuar, prandaj lute Allahun që ta ndalojë atë prej nesh. Atëherë i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ngriti duart dhe tha: “Zoti ynë! Zbrite shiun përreth nesh e jo mbi ne. Zoti ynë! Zbrite nëpër male, kodrina, në shtretërit e luginave dhe nëpër pemë e bimë.” Më pas tha: Ai (shiu) u ndërpre dhe ne dolëm duke ecur në diell. Në këtë hadith tha: Lute Allahun për ne, që ta ndërpresë atë prej nesh. Po ashtu në Sahih (të Bukhariut) transmetohet se Abdullah Ibën Umeri tha: Mua më kujtohet që Ebu Talibi thoshte për të dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të):

Me anë të fytyrës së tij kërkohej shiu prej resë,

ndihmëtari i jetimëve, që largon dëmin nga vejushat.

Ky ishte ndërmjetësimi i tyre me atë (pejgamberin) qoftë në kërkimin e shiut apo diçka tjetër. Kur ai ndërroi jetë, ata u ndërmjetësuan me anë të Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të), ashtu siç ndërmjetësoheshin dhe kërkonin shiun me anë të tij. Ata nuk kërkuan shiun me anë të tij mbas vdekjes së tij, as në mos prezencën e tij, as tek varri i tij dhe as tek varri i ndonjë tjetri. Po kështu veproi Muauije Ibën Ebi Sufjan (Allahu qoftë i kënaqur me të), i cili  kërkoi shi me anë të Jezid ibën Es’ued El Xhureshij[1] duke thënë: O Zoti ynë! Ne po ndërmjetësohemi tek Ty me më të mirin prej nesh! O Jezid, ngriji duart tek Allahu (për të bërë lutje)! Ndërkohë ai ngriti duart, u lut dhe ata u lutën, dhe zbriti shiu. Për shkak të kësaj dijetarët thonë, se është e pëlqyeshme që shiu të kërkohet me anë të njerëzve të mirë e të drejtë. Dhe nëse janë prej familjes së të dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) është më mirë. Asnjë prej dijetarëve nuk ka thënë, se është i ligjshëm ndërmjetësimi dhe kërkimi i shiut me anë të pejgamberit dhe njeriut të mirë pas vdekjes së tij e në mosprezencën e tij. Ata nuk e kanë bërë të pëlqyshme një gjë të tillë në kërkimin e shiut, as në kërkimin e fitores dhe as në lutjet e tjera. Lutja është truri i adhurimit.

Adhurimi është bazuar në Sunnet dhe pasim dhe jo mbi epshe dhe risi. Allahu duhet të adhurohet me atë që ka vendosur si fe dhe jo me epshe dhe risi.

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Apo kanë ata shokë e të barabartë me Allahun (zota të rremë të tyre) të cilët kanë themeluar dhe përcaktuar për ta ndonjë fe të cilën nuk e ka urdhëruar e përcaktuar Allahu?” [Esh-Shura: 21] Gjithashtu thotë: “Lutjuni Zotit tuaj me përulje dhe në vetveten tuaj. Vërtetë Ai nuk i do ata që kalojnë kufinjtë.” [El-A’raf: 55]

Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Vërtetë që ka për të patur njerëz prej këtij populli që i kalojnë kufinjtë në lutje dhe pastrim.”

(Gjykimi ndaj atij që kur e godet ndonjë fatkeqësi apo frikë kërkon ndihmë prej shehut të vet)

Përsa i përket atij personi, që kur e godet ndonjë fatkeqësi ose frikësohet nga diçka, kërkon ndihmë prej shehut të vet, duke kërkuar që t’ia bëjë të qëndrueshme zemrën prej rrethanës (gjëndjes) që ai ndodhet, gjykimi është se kjo është shirk. Dhe është prej riteve të fesë së krishtere, ngaqë Allahu është Ai që zbret mëshirën dhe largon dëmin.

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Dhe në qoftë se Allahu të prek me ndonjë lëndim, nuk gjendet dikush tjetër që mund të ta heqi atë përveç Atij, edhe në qoftë se Ai dëshiron ndonjë të mirë, nuk ka kush tjetër që mund ta zmbraps mirësinë e Tij.” [Junus: 107]  I Lartësuari thotë: “Atë që Allahu ua dhuron njerëzve nga Mëshira e Tij, nuk ka kush që mund ta pengojë e atë që Ai e ndal, nuk ka kush që mund ta lirojë pas Tij.” [Fatir: 2] Gjithashtu thotë: “Thuaju (O Muhamed): “Më thoni, sikur të binte mbi ju dënimi i Allahut, apo t’ju vijë ora (të cilës i trembeni), a do t’i thërrisnit tjetërkujt përveç Allahut? (Përgjigjuni) nëse jeni të drejtë! Patjetër, ju vetëm Atij do t’i thërrisnit dhe Ai po të dojë mund t’jua largojë atë fatkeqësi për të cilën ju i thërrisni Atij. Dhe atë kohë ju harroni çfarëdo shoku që i keni bashkuar në adhurim.” [En-Aam: 40-41] I Lartësuari thotë: “Thuaju (O Muhamed): “Thërrisni ata përveç Atij (Allahut) të cilët juve ua merr mendja (për zota si melekët, pejgamberët, kushdo qofshin, Isai, Uezejri, idhuj etj.)! Ata nuk kanë fuqi për ta larguar të keqen prej jush, as për ta kaluar atë prej jush tek ndokush tjetër. Ata të cilëve u thërrasin (si Isai -biri i Merjemes-, Uzejri ose ndonjë melek tjetër) vetë duan (për veten e tyre) mënyrë e rrugë të drejtë për hyrje e afrim tek Zoti i tyre (Allahu). Secili prej tyre do të donte të ishte më i afërti dhe ata (Isai, Uzejri, melekët etj.) vetë shpresojnë për Mëshirën e Tij dhe kanë frikë ndëshkimin e tij. Vërtetë që ndëshkimi i Zotit tënd është për t’u pasur frikë!” [El-Isra: 56-57]

Pra Allahu i Lartmadhëruar, sqaroi se ata që luten, qofshin melekë, pejgamberë, etj., nuk posedojnë mundësi për t’ua larguar të keqen dhe as nuk mund ta kalojnë atë prej tyre tek dikush tjetër.

Nëse dikush thotë: Unë e lus shehun që ai të jetë ndërmjetës për mua, atëherë ky veprim i tij është si lutja e të krishterëve për Merjemen, murgjit dhe rabinët. Besimtari shpreson vetëm tek Zoti i tij dhe i frikësohet vetëm Atij. Ai lut vetëm Atë duke ia përkushtuar fenë vetëm Atij. Ndërsa ajo që meriton shehu i tij është që të lutet dhe të kërkojë mëshirë për të. Ngaqë krijesa që ka më shumë pozitë është i dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij janë njerëzit më të ditur për çështjen dhe pozitën e tij. Aq sa ata janë njerëzit që i binden më shumë atij. Mirëpo nuk ka ndodhur që ai të urdhëronte  ndonjërin prej tyre që të thoshte kur tmerrohej apo frikësohej: O zotëria im! O i dërguari i Allahut! Ata nuk e bënin një gjë të tillë gjatë jetës së tij dhe as pas vdekjes së tij. Madje ai i urdhëronte që të përmendnin Allahun, t’i luteshin vetëm Atij dhe të bënin salavat dhe selam për të (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Allahu i Lartmadhëruar thotë: “173- Ata (besimtarët) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Vërtetë populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe), kështu që frikësojuni atyre, por kjo në të vërtetë vetëm ua shtoi besimin dhe thanë: Na mjafton vetëm Allahu dhe Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve tona. 174- Kështu që ata u kthyen me mirësi dhe begati nga Allahu. Asnjë e keqe nuk i preku, ndoqën kënaqësinë e Allahut dhe Allahu është Zotëruesi dhe Dhuruesi i mirësive të pafundme.” [Ali Imran: 173-174]

Në Sahihun e Bukhariut, transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të), se këtë fjalë e ka thënë Ibrahimi (paqja e Allahut qoftë mbi të) kur u hodh në zjarr dhe e tha gjithashtu Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) -d.m.th. dhe shokët- e tij, kur njerëzit u thanë atyre: Vërtetë populli (pagan) ka grumbulluar kundër jush (një ushtri të madhe).

Në Sahih (të Bukhariut), transmetohet se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur kishte ndonjë brengë thoshte: “Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut Madhështor dhe të Butë. Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut Zotit të Arshit të shenjtë. Nuk ka Zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut Zotit të qiejve dhe të tokës, Zotit të Arshit madhështor.” Gjithashtu është transmetuar se një lutje të tillë ai ia mësoi edhe disa prej pjesëtarëve të familjes së tij. Në Sunen (të Tirmidhiut) transmetohet se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), kur i vinte ndonjë gjë e papëlqyeshme thoshte: “O i Përjetshëm (pa fillim dhe pa mbarim)! O Mbajtës i gjithçkaje që ekziston! Me Mëshirën Tënde kërkoj ndihmë.” Po ashtu është transmetuar se Fatimes, vajzës së tij, i mësoi të thotë: “O i Përjetshëm (pa fillim dhe pa mbarim)! O Mbajtës i gjithçkaje që ekziston! O Nismëtari, Krijues i qiejve dhe i tokës! Nuk ka Zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Teje! Me Mëshirën Tënde kërkoj ndihmë, më rregullo mua të gjitha çështjet dhe mos më lër të mbështetm tek vetja ime apo tek ndonjë nga krijesat e tua, qoftë dhe për një çast!”

Në Musnedin e Imam Ahmedit dhe Sahihun e Ebu Hatim El Bustit (Ibën Hibbanit), transmetohet nga Ibën Mes’udi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Çdo person që e godet ndonjë hidhërim apo shqetësim dhe thotë: O Allah! Unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe biri i robëreshës Tënde. Jeta ime është në dorën Tënde, ligji Tënd është vendimtar tek unë, gjykimi Yt për mua është më i drejti. Të lutem Ty me çdo emër Tëndin, me të cilin ke quajtur veten Tënde, apo që e ke zbritur në Librin Tënd, apo që ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua, ose e ke ruajtur në diturinë Tënde të fshehtë. Bëje Kur’anin Madhështor pranverë të zemrës sime, dritë në gjoksin tim, largues të hidhërimit tim dhe largues të dëshpërimit dhe shqetësimit tim. Allahu ka për t’ia larguar shqetësimin dhe dëshpërimin, dhe ka për t’ia zëvendësuar ato me gëzim.” Të pranishmit thanë: O i dërguari i Allahut! A t’i mësojmë këto? Ai tha: “Ai që i dëgjon këto duhet t’i mësoj.” Ai i tha popullit të tij: “Vërtet që dielli dhe hëna janë dy argumente prej argumenteve të Allahut! Eklipsi i tyre nuk ndodh për shkak të vdekjes apo jetës së dikujt, por Allahu frikëson me to robërit e Tij. Kur të shikoni këtë (eklipsin e tyre) kthehuni me nxitim për në namaz, përmendjen e Allahut dhe në kërkim të faljes.”[2]

Pra ai kur ndodhi eklipsi, i urdhëroi për namaz, lutje, përmendje të Allahut, lirim nga robëria, sadaka dhe nuk i urdhëroi ata që t’i luten ndonjë krijese, meleku, pejgamberi apo ndonjë tjetri.

Në Sunet ndodhen mjaft shembuj të tillë dhe ai u ka urdhëruar e mësuar muslimanëve në rast frike vetëm atë që i ka urdhëruar Allahu, si lutja e Allahut, përmendja e Tij, kërkimi i faljes, namazi, sadakaja etj. .

Atëherë, si vallë besimtari që beson në Allahun dhe të dërguarin e Tij, mënjanohet nga ajo që ka urdhëruar Allahu dhe i dërguari i Tij dhe vepron një  bidat (risi), për të cilin Allahu nuk ka dhënë asnjë të drejtë e asnjë provë, madje ngjason me fenë e idhujtarëve dhe të krishterëve?!

Nëse dikush pretendon se i është plotësuar nevoja me anë të gjërave të tilla, apo shehu i tij bëri diçka etj., atëherë i themi se edhe adhuruesve të yjeve, idhujve etj., prej idhujtarëve u ndodhin gjëra të tilla. Kjo është diçka tepër e njohur prej idhujtarëve të mëparshëm dhe po ashtu edhe prej idhujtarëve të kësaj kohe. Nëse nuk do të ekzistonin gjëra të tilla, atëherë nuk do të adhuroheshin idhujt dhe gjërat e tjera. Ibrahimi (khalili -mik i afërt tek Allahu-) thotë: “Më largo e më ruaj mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve. O Zoti im! Vërtet që ata (idhujt) kanë humbur shumë prej njerëzve.” [Ibrahim: 35-36]


[1] Sahab i cili erdhi dhe u vendos në Sham dhe jetoi në fshatin Zebedin në Guta. Ibën Asakir tek “Hisoria e Damaskut” thotë: “Jam informuar se Jezid ibën el-Esuedi pasi falte namazin e jacisë në xhaminë e Damaskut, dilte për të shkuar në Zebedin dhe gishti i madh i tij i ndriçonte. Me dritën e tij ecte derisa arrinte në Zebedin. Për shkak të mirësisë së tij, Muauija i kërkonte të bënte dua për të rënë shi.”

[2] Hadithi transmetohet nga Mugire Ibën Shu’be dhe e ka nxjerrë Bukhariu në Sahihun e tij. Shkaku i ardhjes së këtij hadithi është se ditën që vdiq Ibrahimi, djali i pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), ndodhi eklipsi i diellit dhe njerëzit thanë: Ndodhi eklipsi për shkak të vdekjes së Ibrahimit.

Përshtati në gjuhën shqipe, Bledar Ali