Sa i përket fjalës së pyetësit: “Cilat janë shkaqet me të cilat forcohet imani derisa të plotësohet, sipas radhës? A fillohet me zuhdin (asketizëm)? Apo me diturinë? Apo me adhurimin? Apo të mblidhen së bashku sipas mundësisë së tij?”
– I thuhet: Është e domosdoshme të plotësohet imani i detyrueshëm, adhurimi i detyrueshëm dhe zuhdi i detyrueshëm. Pastaj njerëzit dallohen në shkallët e imanit, ashtu siç dallohen në degët e tij. Çdo njeri kërkon atë që ka mundësi të kërkojë dhe parapëlqen atë që ka aftësi ta parapëlqejë prej veprave më të mira.
Njerëzit dallojnë edhe në këtë çështje: disa prej tyre e kanë më të lehtë diturinë sesa zuhdin, disa të tjerë e kanë më të lehtë zuhdin sesa diturinë, ndërsa disa të tjerë e kanë më të lehtë adhurimin sesa dy të parat. Prandaj, çdo njeriu i është lejuar të bëjë aq sa ka mundësi nga veprat e mira, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Druajuni Allahut sa të keni mundësi” [Et-Tegabun: 16].
Në momentin kur degët e imanit grumbullohen (dhe përplasen ndërmjet tyre), atëherë ai duhet ti japë përparësi asaj që është më e kënaqshme për Allahun dhe që është më i aftë ta përmbushë. Mund të ndodhë që ai të jetë më i aftë në atë që është më e pakët (më pak e vlefshme në mënyrë absolute), sesa në atë që është më e madhe në vlerë, dhe prej saj të përfitojë më shumë se sa do të përfitonte nga ajo që është më e madhe.
Prandaj, më e mira për të është të kërkojë atë që është më e dobishme për të dhe që për të ka vlerë më të madhe, jo atë që është më e mirë në mënyrë absolute, nëse është e pamundur për të ose e vështirë në mënyrë që t’i humbasë atij ajo që është më e vlefshme e më e dobishme.
Shembull për këtë: Si ai që lexon Kuranin natën, duke u thelluar në meditim dhe duke përfituar nga leximi i tij, ndërkohë që namazi e shpërqendron dhe nuk përfiton prej tij sa duhet – për të është më i vlefshëm leximi sesa namazi. Ose kush përfiton nga dhikri më shumë sesa nga leximi, atëherë dhikri për të është më i vlefshëm.
Pra, çdo vepër që i sjell atij më shumë dobi dhe është më bindëse ndaj Allahut, është më e vlefshme për të, sesa të mundohet me një vepër që nuk mund ta përmbushë siç duhet, por vetëm në një formë të mangët, duke humbur kështu atë që është më e dobishme për të.
Dihet se namazi është më i theksuar (më i rëndësishëm) sesa leximi i Kuranit, dhe se leximi i Kuranit është më i vlefshëm sesa dhikri dhe lutja. Gjithashtu dihet se dhikri, në formën e tij të veçantë – si në ruku dhe sexhde – është më i vlefshëm sesa leximi i Kuranit në ato momente. Po ashtu, dhikri, leximi dhe lutja në kohën e lindjes së diellit dhe në kohën e perëndimit të tij janë më të mira se sa falja e namazit në ato çaste.
Shejhul Islam Ibn Tejmije
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: veprat e mira
Të Ngjashme
- A është e saktë shprehja “vdiq parakohe”? Udha e Besimtarëve
- Falja e dy rekateve të hyrjes në xhami afër kohës së ikametit Udha e Besimtarëve
- Ai që nuk e kthen selamin kur dikush e përshëndet me selam Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Ikja nga tërmeti nuk bie ndesh me mbështetjen tek Allahu Ibën Rexheb el Hanbeli
- A bie detyrimi i namazit të Xhumasë nëse bie në ditën e Bajramit? Uthman El Hamis