A shërben dënimi i varrit për pastrim nga gjynahet për besimtarin?

Pyetje: A shërben dënimi i varrit për pastrim nga gjynahet për besimtarin?

Përgjigje: Dënimi i besimtarëve në varre për gjynahet e tyre është diçka e vërtetë dhe e përmendur nga profeti Muhamed -alejhi selam- si në këtë hadith:
“Ky ymet do të sprovohet në varret e tyre. Sikur të mos kisha frikë se do ta linit varrosjen do ta kisha lutur Allahun që ta dëgjonit dënimin e varrit të cilin po dëgjoj” e transmeton Muslimi.

Prandaj dhe Imam Kurtubiu -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Dije se dënimi në varr nuk është i vetëm për mohuesit dhe as i veçantë për munafikët, por ata shoqërohen edhe nga një grup besimtarësh secili sipas realitetit të punës së tij dhe gabimit që ka qenë shkaku i rrëshqitjes së tij” shih librin e autorit me titull “Et-Tedhkira”.

Sheikhul-islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- në lidhje punët me të cilat mund të fshihen me to gjynahet, thotë: “Ajo që ndodh në varr prej sprovave, shtrëngimit dhe tmerrit janë prej punëve që fshihen me to gjynahet” shih librin Mexhmu El-Fetaua.

Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- kur flet rreth khauarixhëve të cilët mohojnë besimin e atyre besimtarëve që bien në gjynahe të mëdha, thotë: “Ata nuk besojnë në argumentet e sakta që nxisin në dashurinë për besimtarët dhe kujdesin për ta edhe nëse bien në disa gjynahe të cilat mund të fshihen me: teube të sinqertë, istigfar, punë të tjera të mira, fatkeqësi, duanë e myslimanëve për të gjatë jetës dhe pas saj, sprovën e varrit, sprovat e ditës së kiametit, shefatin e atyre që lejon Allahu, sinqeritetin e teuhidit dhe rahmetin e më të mëshirshmit të mëshiruesve” shih librin e autorit me titull “Ilam El-Muekki’ijn”.

Pra, dënimi i varrit sipas dijetarëve është pastrues për gjynahet dhe kështu ai mund të jetë shkak që robi të mos dënohet më pas llogarisë në ditën e kiametit.

Dr Abdullah Nabolli