Me ajetet e agjërimit – pjesa e parë –

May 15, 2017

Ajeti i parë: “O ju që keni besuar, ju është bërë detyrë agjërimi ashtu siç ishte për ata që ishin para jush, në mënyrë që të ruheni (prej zjarrit).” | Suretu El-Bekare: 183 |

Ky ajet përmban:

1- Allahu u thërret besimtarëve.

Allahu i madhëruar u thërret besimtarëve në emër të besimit, ky emër i cili i veçon nga të tjerët dhe i kujton me deklaratën e shehadetit që kanë bërë para tij. Kjo lloj thirrje nuk vjen në këtë mënyrë veçse për një punë të dobishme ose për t’u larguar nga një e keqe, siç transmetohet nga Abdullah ibën Mesudi radiallahu anhu se ka thënë: “Kur të dëgjosh thirrjen; “O ju që keni besuar”, dëgjoje me vëmendje sepse është hajër që po urdhërohesh për të ose sherr për t’u larguar prej tij.”
Thirrja në emër të besimit përjashton ata që nuk janë në besim, sepse atyre u kërkohet si fillimi i islami i cili është kushti i pranimit të punëve të tyre.
Nga kjo thirrje përjashtohet gjithashtu edhe ai që nuk e kupton, si i vogli dhe njeriu me të meta mendore. Po ashtu edhe ai që nuk ka mundësi ta zbatojë thirrjen si: i sëmuri, plaku i moshuar, gratë shtatzëna dhe gjidhënëset.

2- Thirrja është për agjërim.

Agjërimi është një lloj adhurimi ku njeriu heq dorë përkohësisht nga disa prej qejfeve të kësaj bote për hir të Allahut, për të fituar kënaqësinë e Tij dhe për ta depozituar atë për në ditën kur njerëzit do të dalin para Allahut për llogari. Ky lloj adhurimi është plotësim i rrethit të nënshtrimit të plotë para Allahut të Madhëruar që bëhet me zemër siç është besimi, me gojë siç është shehadeti dhe përmendja e Allahut, me trup siç është namazi dhe haxhi, me pasuri siç është zekati, me largim nga qejfet e kësaj bote siç është agjërimi, dhe në fund edhe me flijim të shpirtit nëse kërkohet siç bëri Ibrahimi alejhi selam me birin e tij.

Kjo na kujton me ajetin ku Allahu i Madhëruar i emërton pasuesit e kësaj feje si muslimanë, që do të thotë i dorëzuar i Allahut, siç thotë Allahu në Kuran: “O ju që keni besuar, përkuluni, bini në sexhde, adhurojeni Zotin tuaj dhe bëni vepra të mira që të shpëtoni. * Përpiquni me vërtetësi në rrugën e Allahut se Ai u ka zgjedhur dhe nuk u ka bërë vështirësi në fe. Ndiqni fenë e babait tuaj Ibrahimit. Allahu u ka emërtuar muslimanë më përpara (në librat e hershëm) dhe tani (në Kuran).” | Suretu El-Haxh: 77-78 |

3- Agjërimi është adhurim që është kërkuar edhe prej popujve të tjerë.

Njësimi i Allahut është e përbashkëta e profetëve, siç thotë Allahu i madhëruar në Kuran: “Nuk kemi dërguar ndonjë profet para teje veçse i kemi shpallur se; nuk ka të adhuruar tjetër veç Meje, pra Më adhuroni!”
Përveç njësimit ata kanë pasur edhe të përbashkëta të tjera në disa punë, si; namazi dhe agjërimi. Agjërimi është përmendur në këtë ajet, kurse namazi është përmendur në historinë e Musës alejhi selam kur Allahu i thotë: “Unë të kam zgjedhur ty dhe dëgjo me vëmendje se ç’do të shpallim. * Unë jam Allahu që nuk ka të adhuruar tjetër veç Meje. Kryeje namazin për përkujtimin Tim.” | Suretu Ta ha: 13-14 |
Mirëpo këto të përbashkëta që kanë lidhje me punët edhe mund të ndryshojnë në; mënyrën, kohën, numrin dhe në lehtësinë apo vështirësinë e kryerjes. Profeti alejhi selam thotë: “Profetët janë vëllezër nga babai. Feja e tyre është një dhe nënat janë të ndryshme.”
Fjala e tij “… nënat janë të ndryshme” do të thotë rregullat e adhurimit (jo të besimit) mund të ndryshojnë, siç u tha më lart; në mënyrë, kohë, numër, vështirësi etj. Pikërisht këtë gjë ka dashur të sqarojë Allahu në Kuran kur ka thënë: “Secilit prej tyre (profetëve) i kemi bërë ligje dhe rregulla (të veçanta).”
Ngjasimi në agjërim është siç thonë shumë komentues të Kuranit, agjërimi i tri ditëve në çdo muaj i cili ka qenë detyrë që nga Ademi e deri te profeti ynë alejhim selam. Kjo u anulua më vonë kur u bë detyrë agjërimi i Ramazanit, por që vazhdon të jetë e pëlqyeshme dhe jo detyrë.
Është thënë gjithashtu se ngjasimi në agjërim është në vetë Ramazanin. Es-Sudi (një prej komentuesve të Kuranit i cili ka vdekur më 127 H) thotë: “Ju vështirësua të krishterëve agjërimi i Ramazanit sepse binte edhe në dimër edhe në verë. Kur ndodhi kjo gjë ranë dakort ta fiksojnë agjërimin e tyre në stinën mes dimrit dhe verës, dhe vendosën të shtojnë edhe njëzet ditë si shlyerje për ndryshimin.” Diçka e përafërt me këtë që u tha është treguar edhe nga Shabiu.
Ndërsa prej ndryshimeve në agjërim është syfyri, siç thotë Profeti alejhi selam: “Ndryshimi mes agjërimit tonë dhe agjërimit të ehli kitabit është syfyri.” E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.
Pra, agjërimi i tyre ishte pa syfyr, nga iftari në iftar, gjë e cila ka qenë edhe tek ne në fillim të islamit por që u anulua. Agjërimi jonë u bë nga agimi në perëndim, ose nga syfyri në iftar.
Po ashtu edhe iftari nuk ka qenë në të njëjtën kohë me ne, siç thotë Profeti alejhi selam: “Feja do vazhdojë të jetë e dukshme (pjesë e jetës së njerëzve) derisa njerëzit e shpejtojnë iftarin (ta çelin menjëherë pas perëndimit), sepse çifutët dhe të krishterët e vonojnë atë.”
Sot çifutët dhe të krishterët agjërojnë ndaj disa lloje ushqimesh dhe nuk kanë ndalim të plotë nga ngrënia dhe pirja. A është edhe kjo prej ndryshimeve që i ka bërë Allahu në rregulla apo prej ndryshimeve të tyre, këtë vetëm Allahu e di më së miri.

4- Nga agjërimi rrjedh devotshmëria.

Agjërimi është nënshtrim i shpirtit duke e frenuar atë nga disa dëshira të tij, dhe kjo bën që njeriu ta ketë nën kontroll shpirtin e tij. S’ka dyshim se njeriu është i prirur për të rendur pas qejfeve të kësaj bote, siç thotë Allahu në Kuran:
“Është zbukuruar për njerëzit rendja pas qejfeve: gratë, fëmijët, depot e floririt dhe të argjendit, kuajt e shaluar, bagëtitë dhe të mbjellat. Ato janë plaçkë e kësaj bote dhe te Allahu është kthimi i mirë.”
Nëse rend pa kontroll me rregullat e Allahut Ai të lë bosh në ahiret, siç thuhet në Kuran: “Dijeni se jeta e dynjasë është lojë, argëtim, mburrje, konkurrim në pasuri dhe fëmijë. Si puna e shiut i cili i gëzon bujqit me bimët që dalin pas tij, e pastaj thahen, zverdhen dhe copëtohen. Në ahiret ka dënim të ashpër dhe falje prej Allahut. Nuk është jeta e dynjasë veçse plaçkë e të mashtruarit.”
Duke mbajtur nën kontroll qejfet dhe dëshirat e tij agjëruesi arrin në dy gjëra: Shton vullnetin për punë të mira të cilat kanë vlerë tek Allahu, dhe mposht dëshirën për punë të liga dhe kjo është kuptimi i devotshmërisë që ka dashur Allahu. Devotshmëri do të thotë të bësh mes teje dhe asaj pune që zëmëron Allahun një mburojë, dhe kjo nuk mund të ndodhë veçse me kryerjen e detyrave dhe largimin nga të ndaluarat. Umer ibën Abdulazizi thoshte: “Devotshmëria është të lësh atë që ka ndaluar Allahu dhe të bësh atë që të ka urdhëruar Allahu.”

Vijon ….

 

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli

Loading...