Eduaka e agjërimit

Edukatat e tij

E ato janë gjashtë:

E para: ruajtja e gjuhës dhe e gjymtyrëve prej mëkateve, për shkak të fjalës së tij saus: “Kush nuk e le fjalën e rrejshme dhe punën me të Allahu nuk ka nevojë që ai të lerë ushqimin dhe pijen e tij”[1]

Dhe ka thënë Profeti saus: “Ndoshta ndonjë që falet natën nuk do të fitojë prej saj asgjë veç qëndrimit pa gjumë, e ndoshta ndonjë që agjëron nuk fiton prej agjërimit të tij asgjë veç urisë dhe etjes.”[2]

E dyta: Nëse e ftojnë për të ngrënë duke qenë agjërueshëm le të thotë: “Unë jam agjërueshëm” për shkak të hadithit të Profetit saus: “Nëse e ftojnë ndonjërin prej jush në ndonjë ushqim kur ai është agjërueshëm, atëherë le të thotë: ‘Unë jam agjërueshëm’.”[3] E thotë këtë si arsye për mospranimin e ftesës që gostitësi të mos ndihet keq. E nëse frikësohet prej syfaqësisë le të aludojë për ndonjë arsye tjetër.

E treta: Çfarë duhet të thotë kur ta çelë agjërimin? Është përcjellë prej Profetit saus se thoshte kur e çelte: “Dhehebedh-dhameu uebtel-letil uruku ue thebetel exhru in sha Allah” (Iku etja, u lagën venat dhe mbeti shpërblimi in sha Allah)[4]

Është përcjellë gjithashtu se ai saus ka thënë: “All-llahumme leke sumtu ue ala rizkike eftartu” (O Allah – i Adhuruari im – për Ty agjërova, dhe me atë që Ti më furnizove e çela agjërimin”[5]

Dhe në një hadith tjetër: “Elhamdulilahil ledhij eanenii fesmutu, ue razekanii fe eftartu.”[6]

E katërta: Me çfarë e çel? Me hurma të buta, ose të thata, ose ujë. Sepse kështu është përcjellë prej Profetit saus se ai “e çelte agjërimin përpara se të falej me disa hurma të buta, nëse nuk kishte, atëherë me të thata, e nëse nuk kishte atëherë pinte disa gllënjka ujë”[7]

Dhe ka thënë Profeti saus: “Kur të jetë ndonjëri prej jush agjërueshëm le ta çelë me hurma, e nëse nuk gjen atëherë me ujë sepse uji është pastërti”[8]

E pesta dhe e gjashta: Shpejtimi i iftarit dhe vonimi i syfyrit. Për shkak të hadithit të Profetit saus: “Hani syfyr sepse në syfyr ka bereqet (mirësi të shumta)”.[9]

Dhe tha gjithashtu: “Do të vazhdojnë njerëzit të jenë në mirësi për sa kohë që e e shpejtojnë iftarin.”[10]

Dhe ka thë Profeti saus : “Thotë Allahu i Lartmadhëruar: Robërit më të dashur për mua janë ata që e çelin më shpejt iftarin”[11] (Dmth menjëherë sapo të perëndojë dielli, pra të humbasë krejt disku i tij nga horizonti).

[1] Bukhari (1903)

[2] Ahmedi (2/373…) Darimij (2720) etj. Hejthemiu tha në “Mexhmeuz zeuaid” (3/202) : “Transmetuesit e tij janë të besueshëm”, dhe El Irakij tha: “Zinxhiri i tij është i mirë” siç përcolli Munauij prej tij në “Fejdul Kadir” (4/16).

[3] Muslimi (1150)

[4] E përcjell Ebu Daudi (2357), Nesaij në “Amelul jeumi uel lejleh” (299), Ibnus Sunnij “Amelul jeumi uel lejleh” (Punët e ditës dhe të natës) (480), Hakimi në “Mustedrak” (1/422), Bejhekiu në “Sunenin” e tij (4/239), Beghauij “Sherhus sunneh” (1740) nga Ibn Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Po ashtu e transmeton edhe Darakutnij në “Sunenin” e tij (2/185) dhe tha për të: “Zinxhiri i tij është i mirë”.

[5] E përcjell Abdullah ibnul Mubarak në “Ez zuhdu uer rakaik” (1410, 1411), Ibnu Ebi Shejbeh në “Musannef” (3/100), Ebu Daudi (2385) dhe po ashtu te libri i tij “El merasiil” (99), Bejhekiu në “Sunenin” e tij (4/239), Beghauij në “Sherhus sunneh” (1741) nga Muadh ibn Zehrah ‘mursel’ (dmth pa treguar tabiini se kush ja ka treguar këtë hadith të Profetit saus. Abdulkadir Arnauti (Allahu e mëshiroftë) në komentin e tij ndaj librit “Xhamiul Usul” tha: “Por hadithi ka sivëllezër të tjerë që e bëjnë atë të fortë”.

[6] E përcjell Ibnus Sunnij në “Amelul jeumi uel lejleh” (479), Bejhekiu në “Shuabul iman” siç ka ardhur në “Kenzul ummal” (7/81 me nr.: 18052) ng Muadh ibn Zehrah mursel. Dhe hadithi ka të tjerë që dëshmojnë për të dhe e forcojnë.

[7] Ahmedi “(3/164) Ebu Daudi (2356), Tirmidhi (696) dhe tha: “Hasen gharib”. Arnauti tha në “Xhamiul usul”  (6/378) : “Zinxhiri i tij është i mirë”.

[8] Ebu Daudi (2355), Tirmidhi (695), Nesaij, Ibn Maxheh nga Selman ibn Amir – Allahu qoftë i kënaqur prej tij. Arnauti tha: “Zinxhiri i tij është i saktë” “Xhamiul usul” (6/378).

[9] Bukhari (1923), Muslimi (1095).

[10] Bukhari (1957), Muslimi (1098)

[11] Ahmedi (2/329), Tirmidhi (700) dhe zinxhiri i tij është i dobët. Por hadithi ka të tjerë që dëshmojnë për saktësinë e tij dhe e forcojnë atë. Shiko “Xhamiul usul” (6/375).

Autor: Izzuddin Abdulaziz ibn Abdusselam es Sulemij
Vdekur më: 660 sipas hixhretit.