Rregullat e agjërimit

Rregullat e agjërimit

  • Nuk hahet, nuk pihet dhe nuk kryhen marrëdhënie seksuale nga agimi deri në perëndim të diellit.

Allahu i Madhëruar thotë: “Hani dhe pini derisa të dallohet në horizont filli i bardhë (i agimit) nga filli i zi (terri i natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri sa të hyjë nata”. (Kuran, El Bekarah 187)

Siç kuptohet nga ky ajet kuranor, agjërimi ka dy kufij kohorë: shfaqjen  e agimit dhe perëndimin e diellit, brenda të cilëve ndalohet ngrënia, pirja dhe marrëdhëniet intime.

Ndërsa sa i përket marrëdhënieve intime (bashkëshortore), Allahu i Madhëruar thotë: “Është lejuar për ju gjatë netëve të agjërimit që t’ju afroheni grave tuaja (për marrëdhënie intime) (Kuran, El Bekarah 187).

Pra, nga ky ajet kuranor kuptojmë se marrëdhëniet intime gjatë ditës nuk lejohen, sepse është koha e agjërimit.

  • Të bëhet nijeti (me zemër).

Pra të vendosësh për të agjëruar, para se të ketë hyrë koha e agjërimit. Profeti (alejhi selam!) ka thënë: “Kush nuk e vendos të agjërojë që me natë, agjërimi i tij nuk është i saktë”. (Transmeton Tirmidhiu dhe Nesaiu. Albani e ka vlerësuar Sahih)

3- Të hash syfyr.
Profeti (alejhi selam!) ka thënë: “Syfyri është ushqim i begatë, prandaj mos e lini atë, edhe sikur me një gllënjkë ujë, se Allahu i bekon ata që hanë syfyr ndërsa engjëjt luten për ta.” (Transmeton Ahmedi, dhe e ka saktësuar Albani).

Gjithashtu, Profeti (alejhi selam!) ka thënë: “Ushqehuni në syfyr, sepse në të ka bereqet!”  (Transmeton Ibën Hibani. Albani e ka konsideruar hasen)

Po ashtu, ka thënë: “Bëni syfyr, qoftë edhe me një gllënjkë ujë!” (Transmeton Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, dhe e ka saktësuar Albani)

4- Të hash iftar menjëherë pas perëndimit, siç ka thënë Profeti (alejhi selam!): “Tri gjëra janë prej traditës profetike: Shpejtimi i iftarit, vonimi i syfyrit dhe vendosja e dorës së djathtë mbi dorën e majtë në namaz”. (Transmeton Taberaniu dhe e ka saktësuar Albani)