Vlera e mëshirës dhe atyre që i mëshirojnë të tjerët

December 2, 2015

Nga Xherir ibn Abdullah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Ai që nuk i mëshiron njerëzit nuk e mëshiron Allahu” Muttefekun alejhi.[1]

Teksti i këtij hadithi tregon se kush nuk i mëshiron njerëzit nuk e mëshiron Allahu, dhe ai nënkupton se kush i mëshiron njerëzit do ta mëshirojë atë Allahu. Siç thotë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në hadithin tjetër: “Të mëshirshmit do t’i mëshirojë i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në tokë tju mëshirojë Ai që është në qiell”[2]

Mëshirimi që njeriu u bën krijesave është prej shkaqeve më të mëdha me të cilën njeriu arrin mëshirën e Allahut, dhe prej gjurmëve të saj është arritja e mirësive të kësaj jete dhe mirësive të Akhiretit, dhe mungesa e saj është prej shkaqeve më të mëdha që të privojnë dhe largojnë nga mëshira e Allahut. Dhe njeriu ka nevojë të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme për mëshirën e Allahut, ai nuk bën dot pa të as një hapje dhe mbyllje të syve. Dhe çdo mirësi që ai ka dhe çdo e keqe që largohet prej tij është prej mëshirës së Allahut.

Prandaj nëse dëshiron që t’i mbajë këto mirësi dhe t’i shtojë ato le të bëjë të gjitha shkaqet me të cilat arrin mëshirën e Allahut. Dhe ato të gjitha bashkohen te fjala e të Lartësuarit: “Me të vërtetë mëshira e Allahut është afër vepërmirëve” (A’raf: 56). Dhe këta janë ata që e përsosin adhurimin e Allahut dhe janë bamirës ndaj robërve të Allahut. Dhe bamirësia ndaj krijesave është pasojë e mëshirës së robit ndaj tyre.

Mëshira me të cilët përshkruhet njeriu është dy llojesh:

Lloji i parë: mëshirë instiktive e natyrshme me të cilën Allahu ka brumosur disa prej robërve të Tij, dhe ka vendosur në zemrat e tyre butësinë, mëshirën dhe keqardhjen për krijesat, kështu ata bënë gjithçka kishin në dorë për tu bërë dobi atyre, me sa mundësi që kishin. Prandaj ata lavdërohen dhe shpërblehen për këtë që bënë, dhe janë të justifikuar për atë që s’kishin mundësi ta bënin, dhe ndoshta Allahu ua shkruan shpërblimin edhe për ato që s’patën mundësi, për shkak të qëllimeve të tyre të sinqerta.

Lloji i dytë: Mëshirë të cilën e fiton robi duke ndjekur çdo mjet dhe mënyrë që e mbushin  zemrën me mëshirë, kështu robi mëson se kjo cilësi është prej moraleve më të larta dhe më të vyera, prandaj ai lufton veten e tij dhe përpiqet që të përshkruhet me këtë cilësi, dhe mëson se çfarë shpërblimi i jep atij Allahu për shkak të saj, dhe çfarë shpërblimi i ikën atij nëse nuk e ka këtë cilësi, kështu ai shpreson mirësinë e Zotit të tij, dhe përpiqet ta arrijë këtë shkak me të cilin arrin shpërblimin duke ditur se shpërblimi është sipas llojit të punës. Gjithashtu ai e di se vëllazëria fetare dhe dashuria e besimit, janë lidhje që Allahu i ka vendosur mes besimtarëve dhe, i ka urdhëruar ata që tëjenë vëllezër që duhen mes tyre dhe, të lënë mënjanë çdo gjë që bie ndesh me këtë, prej urrejtjes, armiqësive dhe kurtheve,

Kështu vazhdon robi të njohë shkaqet me të cilat arrin këtë cilësi të ndershme (mëshirën) dhe përpiqet ta realizojë atë, derisa të mbushet zemra e tij me mëshirë, dhe keqardhje për krijesat. E sa i mirë është kjo cilësi e ndershme dhe sa i vyer është ky virty i bukur!

Gjurmët e kësaj mëshire që gjendet në zemra shfaqen edhe te gjymtyrët edhe te gjuha e njeriut, kështu ai përpiqet ta përçojë mirësinë, dhe dobitë tek njerëzit, dhe përpiqet t’i largojë prej tyre dëmet dhe gjërat e urryera.

Dhe shenjë e mëshirës që gjendet në zemër është: që njeriu të dojë tua përçojë të mirën të gjitha krijesave, dhe besimtarëve prej tyre në veçanti, dhe ta urrejë përçimin e të keqes dhe dëmeve atyre. Në varësi të kësaj dashurie dhe urretjeje është edhe mëshira e tij.

E kur i dashuri i tij goditet me vdekje apo fatkeqësi të tjera, nëse mërzia e tij për të vjen nga mëshira e tij, kjo është diçka e lavdëruar, dhe nuk bie ndesh me durimin dhe kënaqjen me caktimin e Allahut, sepse i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – qau për djalin e vajzës së tij dhe, i tha atij Sa’di: Çfarë është kjo o i Dërguari i Allahut?! – ai i mësoi diçka shumë të vyer duke iu përgjigjur: “Kjo është mëshirë që e vendos Allahu në zemrën e robërve të Tij, dhe Allahu mëshiron prej robërve të Tij mëshiruesit”![3]

Dhe tha pasi i vdiq djali i tij Ibrahimi: “Zemra pikëllohet, syri loton, por ne nuk themi veçse atë që kënaq Zotin tonë. Dhe ne prej ndarjes tënde o Ibrahim jemi të pikëlluar”[4]

Po ashtu edhe mëshirimi i fëmijëve të vegjël, butësia me ta dhe futja e gëzimit në zemrat e tyre është prej mëshirës. Ndërsa që njeriu të jetë i pandjeshëm dhe moskokçarës kundrej tyre, dhe të mos ketë dhimbsuri për ta, kjo është prej ashpërsisë dhe ngurtësisë së zemrës. Siç i tha dikush prej banorëve të shkretëtirës prej arabëve Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe shokëve të tij kur i pa ata të puthnin fëmijët e tyre të vegjël. Tha ky arabi: Unë kam dhjetë fëmijë dhe kurrë nuk e kam puthur asnjëri prej tyre. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i tha atij: “E ç’mund të bëj unë për ty kur Allahu e ka hequr mëshirën prej zemërs tënde?!”[5]

Dhe prej mëshirës është: Mëshira ndaj gruas së përdalë (imorale) e cila i dha për të pirë ujit, i cili gati sa nuk po hante dhe prej etjes, Allahu ja fali asaj për shkak të mëshirës së saj (ndaj qenit)![6]

E kundërta e kësaj është: Dënimi i gruas e cila e lidhi macen e saj dhe, as e ushqeu apo t’i jepte për të pirë, e as e la të lirë të hante prej insekteve të tokës, derisa ngordhi.

Dhe prej gjërave që janë të dëshmuara dhe të provuara është se: Ai që u bën mirë kafshëve të tij, duke i ushqyer dhe duke u dhënë të pijnë, e duke i përkëdhelur dhe kujdesur për ta, Allahu do t’i japë bereqet atij në to, e kush u bën keq atyre do të dënohet në dynja përpara se të dënohet në Akhiret. Thotë i Lartësuari: “Për shkak të kësaj ua shkruam Beni Israilëve (në Teurat) se: Kush merr një shpirt (kush vret një njeri) që s’ka vrarë më parë, apo s’ka bërë shkatërrim në tokë, është njësoj sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit, dhe ai që e ngjall atë (e shpëton nga vdekja) është njësoj sikur të kishte ngjallur gjithë njerëzimin” (Maideh: 32).

Kjo për shkak të ashpërsisë dhe vrazhdësisë që gjendej në zemrën e të parit dhe mëshirës, butësisë dhe keqardhjes që gjendej në zemrën e të dytit, saqë ai u konsiderua sikur po ngjallte gjithë ata që ka mundësi t’i ngjallë prej njerëzve, ashtu si edhe ashpërsia që gjendej në zemrën e të parit tregon se ai është i gatshëm të vrasë të gjithë njerëzit.

Prandaj i lutemi Allahut që të vendosë në zemrat tona mëshirë, e cila do të na bëjë të përpiqemi të realizojmë çdo punë që na çon te mëshira e Allahut, dhe për shkak të saj të kemi dhebshuri kundrejt të gjitha krijesave të Allahut, dhe që kjo mëshirë të na bëjë të fitojmë nderimin prej Allahut dhe Bujarinë e Tij, me të vërtetë Ai është Shumë Bamirës, Bujar i Madh!

Behxhetu Kulubil Ebrar, Shejh Es Si’di

Përktheu Emin Bilali

[1] Transmeton Muslimi (2319), Tirmidhiu (1922). Ky hadith nuk është te “I sakti i Bukharit” siç aludoi autori. Për këtë shiko: “Tehfetul eshraf” (431/ 2).

[2] Hadith i saktë. Transmeton Ebu Daudi (1941) dhe Tirmidhiu (1924), ka thënë Ebu Isa (Imam Tirmidhi) : ‘Ky është hadith i mirë i saktë’.

[3] Bukhari në Kapitullin e teuhidit. Tema: Çfarë ka ardhur për fjalën e Allahut të Lartësuar: “Me të vërtetë mëshira e Allahut është afër vepërmirëve” (7448), nga hadithi që përcjell Sa’d ibn Ubadeh (el ensarij) – Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[4] Bukhari, Kapitulli i xhenazeve, Tema: Fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Ne prej teje jemi të pikëlluar” Dhe Muslimi në ‘Kitabul fedail’, Tema: Mëshira e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – me fëmijët dhe familjen, dhe thjeshtësia e tij, dhe vlera e këtyre (cilësive). (2315) nga hadithi i Enesit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

[5] Bukhari, Kapitulli i edukatës, Tema: Mëshira ndaj fëmijës dhe puthja dhe përqafimi i tij. (5998). Dhe Muslimi në Kapitullin: Mëshira e tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ndaj fëmijëve dhe familjes (2317) nga hadithi që përcjell Aishja – Allahu qoftë i kënaqur prej saj!

[6] Bukhari (3467), dhe Muslimi (2244), nga hadithi që e përcjell Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij.

Loading...