Krijimi i Ademit sipas pamjes së Allahut

January 9, 2023

Pyetje: Krijimi i Ademit -alejhi selam- sipas pamjes së Allahut të madhëruar, a do të thotë se Allahu ka çdo cilësi të njeriut?
Përgjigje: Është e vërtetë se Profeti -alejhi selam- ka njoftuar se Ademi -alejhi selam- është krijuar sipas pamjes së Allahut të madhëruar, dhe kjo është përmendur në dy hadithe.
Profeti -alejhi selam- thotë: “Allahu e ka krijuar Ademin sipas pamjes së Tij. Gjatësia e tij (Ademit) ka qenë gjashtëdhjetë parakrahë.” E transmeton Buhariu, Muslimi etj.
Profeti -alejhi selam- thotë: “Nëse dikush përleshet me dikë të mos i gjuaj në fytyrë, sepse Allahu e ka krijuar Ademin sipas pamjes së Tij.” E transmeton Muslimi.
Çfarë përfitohet nga këto hadithe?
1- Allahu i madhëruar ka pamje konkrete të dukshme.
Allahu i madhëruar është Qënie reale dhe me cilësi reale dhe një prej këtyre cilësive është edhe pamja. Ai nuk është vegim apo imagjinatë sepse ato nuk kanë realitet. Shejhu i Islamit Ibën Tejmije thotë: “Çdo gjë që ekziston dhe është e vetëqëndrueshme (ekziston e pavarur) duhet patjetër të ketë pamje, sepse është e pamundur të ekzistojë një i vetqëndrueshëm pa pamje të jashtme.” Shih librin e autorit me titull “Bejan Telbis El-Xhehmije” 6/525.
2- Ademi është krijuar sipas pamjes së Allahut të madhëruar.
Shejhu i Islamit Ibën Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: Këto hadithe tregojnë se Allahu e ka krijuar Ademin sipas pamjes së Tij. Ky besim ka qenë i njohur te selefët e tre brezave të parë të këtij ymeti pa asnjë kundërshtim mes tyre, si dhe është besim i njohur edhe tek librat më të hershëm se Kurani. Shih librin e autorit me titull “Bejan Telbis El-Xhehmije” 6/373.
Pamja e përmendur në këto hadithe nuk duhet kuptuar në mënyrë të pavarur nga lajmi tjetër që jemi njoftuar në Kuran: “Nuk ka gjë si shembulli i Tij. Ai është Dëgjuesi dhe Shikuesi”. Kjo ngase cilësitë e përbashkëta nuk tregojnë detyrimisht përputhje..
Shejhu i Islamit Ibën Tejmije gjithashtu thotë: “Ngjashmëria e një gjëje me një tjetër bëhet për shkak të ngjashmërisë së tyre në disa pikëpamje, dhe nuk tregon përputhje e cila e bën të detyrueshëm shoqërimin e tyre në çdo pikëpamje: të duhurat, të mundshmet dhe të pamundshmet (d.m.th. çfarë i duhet njërës t’i duhet edhe tjetrës, çfarë është e mundshme tek njëra është e mundshme edhe tek tjetra, dhe çfarë është e pamundshme tek njëra të jetë e pamundshme edhe tek tjetra).
P.sh. kur thuhet për dikë: Ky është i gjallë, i dijshëm, i fuqishëm, – dhe për dikë tjetër: Ky është i gjallë, i dijshëm, i fuqishëm.
Ngjashmëria e tyre në cilësitë: I gjallë, i dijshëm dhe i fuqishëm nuk tregon se kjo cilësi është si kjo tjetra në të gjitha pikëpamjet. Madje këtu ka tre gjëra:
E para: Pjesa e përbashkët në të cilën ata ngjajnë, i cili është kuptimi i përgjithshëm dhe jo specifik për asnjërin prej tyre.
E dyta: Specifika e njërit si p.sh. Allahu i cili ka jetën, dijen dhe fuqinë e Tij të veçantë.
E treta: Specifika e tjetrit si p.sh. robi i cili ka jetën, dijen dhe fuqinë e tij të veçantë.
Shih librin “El-Xheuab Es-Sahih” 3/443.
Cilësimi i Ademit alejhi selam se ai është krijuar sipas pamjes së Allahut nuk do të thotë përputhje pamjesh në çdo pikëpamje, sepse mes të ngjashmëve ka dallime edhe mes krijesave e aq me tepër kur bëhet fjalë për Zotin e botëve.
Shejhu i islamit Ibën Tejmije thotë: “Dihet se edhe mes dy gjërave të krijuara ku njëra është si pamja e tjetrës, ka dallim të madh mes tyre në lloj dhe në madhësi. P.sh. mundet që qiejt dhe hëna pamja e tyre të dalë në ujë apo në pasqyrë shumë e vogël, dhe thuhet: Kjo është pamja e tyre, – edhe pse dihet se realiteti i qiejve dhe i tokës është aq i madh sa përqindja e pamjeve të dukura me realen është e papërfillshme. Kështu është edhe ai që vizaton format e qiejve, yjeve, diellit, hënës, maleve dhe deteve. Ato forma edhe pse u ngjajnë janë shumë larg realitetit dhe madhësisë së tyre.” Shih librin e autorit me titull “Bejan Telbis El-Xhehmije” 6/530.
Prej shembujve që tregojnë se ngjashmëria është në disa pikëpamje dhe jo në çdo gjë, është edhe hadithi i Profetit -alejhi selam- kur thotë:
“Grupi i parë që do të futet në Xhenet fytyrat e tyre janë në pamjen e hënës së plotë.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Këtu pa asnjë pikë dyshimi përngjasimi në pamje është në një cilësi të vetme, ajo e bukurisë dhe e dritës.
Madje disa cilësi të njerëzve si p.sh. dhëmbët dihet se nuk janë tek Allahu. Shejh Ibën el-Uthejmini kur fliste për cilësitë e Allahut thoshte: “Dihet se dhëmbët janë për të përtypur ushqimin dhe Allahu i madhëruar nuk ha e as nuk pi siç dhe e dimë, se Ai nuk ka stomak dhe as ka zorrë sepse edhe këto i ka të nevojshme ai i cili ha dhe pi. Allahu ka njoftuar se është Samed që do të thotë pa organe të brendshme.” Shih shpjegimin e “El-Akide el-Islamije”.
Këtu është përgjigja e pyetjes së lartpërmendur se jo çdo gjë që është te njeriu është patjetër edhe tek Allahu, bazuar në faktin se Ademi është krijuar sipas pamjes së Tij, sepse përngjasimet siç thamë nuk janë në çdo pikëpamje.
3- Ademi -alejhi selam- ka më shumë se çdo krijesë tjetër prej cilësive të Allahut të madhëruar.
Nuk ka ndonjë prej krijesave të Allahut veçse ka ndonjë cilësi apo disa cilësi të përbashkëta me Allahun, sepse çdo gjë që ekziston ekzistenca për ta është cilësi e përbashkët. Po ashtu edhe jeta, dija, mundësia për të vepruar të cilat janë edhe te krijesat e gjalla, ama secili sipas asaj që i përshtatet siç thotë shejhu i islamit Ibën Tejmije.
Krijimi i Ademit -alejhi selam- sipas pamjes së Allahut të madhëruar tregon se cilësitë e përbashkëta të Ademit me Allahun janë më shumë se te çdo krijesë tjetër.
Shejh Salih Alu Shejh -Allahu e ruajt- thotë: “Allahu e ka veçuar Ademin prej krijesave të tjera duke bërë tek Ai shumë prej cilësive të Tij, d.m.th. ana bazike e atyre cilësive sipas sqarimit se qënia e një cilësie te krijesat nuk është si qënia e saj te Krijuesi. Zoti ka dëgjim dhe i dha Ademit cilësinë e të dëgjuarit. Zoti ka fytyrë dhe i dha Ademit fytyrë. Zoti ka duar dhe i dha Ademit cilësinë e duarve. Ai përshkruhet edhe me cilësi si: forca, fuqia, të folurit dhe urtësia, siç edhe përshkruhet gjithashtu me cilësi si: zemërimi, kënaqësia, të qeshurit etj. (të cilat i gjen edhe tek njeriu)”. Shih fjalët e autorit në librin “Shpjegimi i Tahauijes”.
Dr. Abdullah Nabolli
Loading...