Mirësia e udhëzimit

January 13, 2023

Mirësia e udhëzimit!

Allahu i Lartësuar na ka dhënë begati të shumta. Që kur erdhëm në këtë botë Allahu i Lartësuar caktoi për ne mirësi nga më të ndryshmet. Nëse do mundohemi t’i numërojmë këto mirësi nuk do mundemi t’i numërojmë sepse janë të shumta, siç na tregon edhe Allahu i Lartësuar në ajetin Kuranor ku thotë: “Nëse do t’i numëronit mirësitë e Allahut nuk do mund t’i llogarisnit ato.”
Prej këtyre mirësive është ajo e pasurisë, e shëndetit, e familjes, e fëmijëve, mirësia e qetësisë dhe paqes e shumë e shumë të tjera. Por nëse do t’i analizonim këto mirësi do vëmë re se ato në vetvete janë të mangëta, nëse do t’i quanim kështu. Cila është arsyeja?
Arsyeja është se këto mirësi janë të përkohshme, kanë një fillim dhe një mbarim.

Fillimi i këtyre mirësive është me fillimin e jetës së njeriut dhe mbarimi i këtyre mirësive është me mbarimin e jetës së njeriut. Kur njeriu kalon nga kjo botë për në botën tjetër të gjitha këto mirësi që përmendëm përfundojnë, zhduken dhe mbarojnë. Pasuria nuk vjen me ty në varr! Fëmija nuk vjen me ty në varr! Pozita shoqërore që ke pasur nuk vjen me ty në varr! Ngelet vetëm një mirësi e vetme e cila e shoqëron njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër, e ajo është e vetmja mirësi e cila e lumturon njeriun në të dyja botët.

A e dini se cila është? Ajo është mirësia e udhëzimit, mirësia e hidajetit. Është një mirësi e cila nuk mund të zëvendësohet me asnjë mirësi tjetër. Asnjëra prej mirësive që përmendëm nuk mund ta zërë vendin e saj, nuk mund ta ketë dobinë dhe vlerën e saj. Është mirësi e dobishme, me vlera dhe që le gjurmë të cilat e ndjekin njeriun në të dyja botët.

Mirësia dhe gjurmët e udhëzimit e ndjekin njeriun në çdo hap të jetës së tij, sidomos në çastet më të vështira. Padyshim se çastet më të vështira të njeriut janë çastet e kalimit nga kjo botë në botën tjetër, janë çastet e agonisë së vdekjes, janë çastet kur hapen perdet.

Aty mësohet e vërteta, aty njeriu e shikon me sytë e tij të vërtetën dhe e kupton nëse ka qenë në të drejtën apo në rrugë të gabuar. A ka qenë në besimin e drejtë apo në besimin e gabuar. Edhe jobesimtarët e marrin vesh në atë çast se çfarë është e vërteta dhe kërkojnë të kthehen mbrapa, por jo, nuk ka kthim mbrapa.

Allahu ua heq jobesimtarëve të drejtën për t’u kthyer mbrapa. Vetëm një rrugë ka; të kalojnë nga kjo botë në botën tjetër. Allahu i Lartësuar ata që qenë të udhëzuar, për shkak të këtij udhëzimi i forcon. Allahu i Lartësuar thotë:

يُثَبِّتُ اللَّهُ الَّذِينَ آمَنُوا بِالْقَوْلِ الثَّابِتِ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَفِي الْآخِرَةِ وَيُضِلُّ اللَّهُ الظَّالِمِينَ وَيَفْعَلُ اللَّهُ مَا يَشَاءُ

 “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje. Allahu bën ç’të dëshirojë.”

“Me të vërtetë, atyre që thonë ‘Zoti ynë është Allahu’, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni!”

Allahu i Lartësuar ja përmend Profetit alejhi selam këtë mirësi, duke i thënë:

وَكَذَلِكَ أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ رُوحًا مِنْ أَمْرِنَا مَا كُنْتَ تَدْرِي مَا الْكِتَابُ وَلَا الْإِيمَانُ وَلَكِنْ جَعَلْنَاهُ نُورًا نَهْدِي بِهِ مَنْ نَشَاءُ مِنْ عِبَادِنَا وَإِنَّكَ لَتَهْدِي إِلَى صِرَاطٍ مُسْتَقِيمٍ 

“Dhe kështu, Ne të kemi dërguar shpallje me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin) Ne e bëmë dritë me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Me të vërtetë, Ti udhëzon në rrugën e drejtë.”

Allahu i Lartësuar ua përmend edhe banorëve të Xhenetit mirësinë e udhëzimit, duke thënë:

وَنَزَعْنَا مَا فِي صُدُورِهِمْ مِنْ غِلٍّ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهِمُ الْأَنْهَارُ وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي هَدَانَا لِهَذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِيَ لَوْلَا أَنْ هَدَانَا اللَّهُ 

“Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar sikur të mos na udhëzonte Allahu.”

 Udhëzimi është dy llojesh:

1- Udhëzimi i suksesit (teufik), udhëzim që vjen plotësisht nga Allahu. Kur Ai i hap zemrën dikujt për të kuptuar të vertetën (duke e nxjerrë nga mosbesimi dhe politeizmi, drejt besimit të pastër Islam në adhurimin e një Zoti të Vetëm dhe në përkushtimin dhe nënshtrimin plotesisht ndaj fesë së Allahut, Islamit).

إِنَّكَ لَا تَهْدِي مَنْ أَحْبَبْتَ وَلَكِنَّ اللَّهَ يَهْدِي مَنْ يَشَاءُ وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ

2- Udhëzimi i orientimit (irshad), nëpërmjet ftesës dhe veprimtarisë së të dërguarve të Allahut dhe ftuesve të tjerë të zgjedhur e të përkushtuar të cilët përhapin të vërtetën, fenë e Allahut Islamin dhe ftojnë në udhën e drejtë.

Prej llojeve të udhëzimit është kur Zoti e drejton robin për të bërë vepra të mira dhe sjellje të hijshme me njerëzit. Profeti alejhi selam i lutej Allahut që ta udhëzonte drejt veprave dhe moraleve të mira.

Prej udhëzimit më të madh që Allahu i jep robit është kur i mundëson atij të realizojë monotezimin ndaj Allahut dhe të largohet nga shirku (idhujtaria). Ai që arrin ta zbatojë dhe udhëzohet në këtë, arrin sigurinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë:

 الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُمْ بِظُلْمٍ أُولَئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُمْ مُهْتَدُونَ

“Ata që besuan dhe imanin e tyre nuk e përzien me idhujtari, atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”

I dërguari i Allahut i kërkonte Zotit ta udhëzonte dhe në lutjet e tij thoshte: “O Zot, unë të kërkoj udhëzim!”

Madje ai lutej për shokët e tij që Allahu t’i udhëzonte dhe e mësoi umetin e tij që të kërkonin udhëzim nga Allahu. Aq sa çdo musliman në çdo namaz që fal i kërkon Allahut udhëzimin duke thënë: “Na udhëzo në rrugën e drejtë!”  

Shejhul Islam thotë: “Robi gjithmonë ka nevojë që të udhëzohet nga Allahu në rrugën e drejtë dhe ai ka shumë nevojë t’ja kërkojë Allahut diçka të tillë. Ai nuk mund të shpëtojë nga dënimi dhe nuk mund ta arrijë lumturinë vetëm se nëpërmjet këtij udhëzimi, dhe kjo mirësi nuk arrihet veçse me udhëzimin e Zotit.”

Allahu i Lartësuar e njoftoi Profetin e Tij se; kush dëshiron të udhëzohet në këtë fe Ai do t’ia hapë zemrën dhe kraharorin për ta pranuar. E kundërta ndodh me atë që nuk e do udhëzimin. Allahu i Lartësuar thotë: Allahu ia hap zemrën për (të pranuar) Islamin atij që dëshiron ta udhëzojë, ndërsa atij që dëshiron ta lërë në humbje (ia mbyll zemrën e) ia shtrëngon gjoksin si të jetë duke u ngjitur në qiell. Kështu Allahu i ndëshkon ata që nuk besojnë.”

 Hytbe 2

Shkaqet e udhëzimit janë shumë por ne do të përmendim disa prej tyre.

Shkaku i parë i udhëzimit dhe më i rëndësishmi është pendimi.
Pa realizuar këtë shkak nuk mund të arrish udhëzimin sepse Allahu nuk udhëzon atë që nuk pendohet. Nëse dikush është i mbytur në harame dhe thotë: “O Allah, më udhëzo!” Për atë nuk ka udhëzim derisa të pendohet nga këto harame. Hapi i parë i udhëzimit është që të pendohesh për ato gjynahe që ke bërë apo bën.

Allahu i Lartësuar thotë:

وَيَهْدِي إِلَيْهِ مَنْ أَنَابَ [الرعد:27]

“Me të vërtetë, Allahu udhëzon në rrugë të drejtë ata që kthehen tek Ai (që pendohen).”

Shkaku i dytë është dija. Pa dije nuk mund të udhëzohesh. Si të udhëzohesh kur je i verbër? Si të udhëzohesh kur nuk di rrugën se ku duhet të ecësh? Dija është dritë, dhe atij të cilit Allahu nuk i jep dritë nuk do të gjejë më dritë.

Shkaku i tretë është duaja, lutja. T’i lutesh Allahut gjithmonë për udhëzim ditën dhe natën, haptazi dhe fshehtazi, në të mira dhe në të këqija, në ruku, sexhde etj. Profeti ynë alejhi selam edhe pse ishte më i udhëzuari i njerëzve ai gjithmonë i lutej Allahut që ta udhëzonte dhe ta forconte në këtë udhëzim.

Ai lutej duke thënë: “O Zoti im, Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit! Shpikësi pa shembull të mëparshëm i qiejve dhe tokës! Gjithënjohësi i të fshehtës dhe i asaj që shfaqet! Ti je Ai që do të gjykosh mes robëve të Tu për atë që kundërshtohen! Më udhëzo në të drejtën e asaj për të cilën ka kundërshtim nga e vërteta me lejen Tënde! Ti udhëzon kë të duash në rrugë të drejtë.”

Përmblodhi: Fatjon Isufi

Loading...