Shirku

February 27, 2023

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Dhe (kujto) kur Lukmani i tha birit të vet kur po e këshillonte: O biri im! Mos bashko të tjerë në adhurim me Allahun. Vërtet që bashkimi i të tjerëve në adhurim me Allahun është padrejtësi e madhe.” |Suretu Lukman: 13|

Gjithashtu ka thënë: “Padyshim që Allahu nuk fal t’i bëhen Atij shokë në adhurim, por Ai fal përveç kësaj atë që do.” |Suretu Nisa: 48|

Gjithashtu ka thënë: “Dhe sigurisht që tashmë të është shpallur ty (o Muhamed) si dhe atyre (të dërguarve) para teje: Në qoftë se bashkoni të tjerë në adhurim me Allahun, sigurisht që gjithë veprat tuaja do jenë të pavlera dhe padyshim që do të ishe nga të humburit.” |Suretu Zumer: 65|

Transmetohet nga Xhabiri se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Cilido që e takon Allahun duke mos i shoqëruar shok në adhurimin e Tij do të hyjë në Xhenet. E kushdo që do ta takojë Atë duke i shoqëruar shok në adhurim do të hyjë në zjarr (xhehenem).” Transmeton Muslimi me nr. 93.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë:

“Largohuni nga shtatë mëkate shkatërruese!

E pyetën: Cilat janë ato o i Dërguar i Allahut?

Ai u përgjigj duke thënë: Shirku (t’i shoqërosh shok në adhurim Allahut të Madhëruar), magjia, vrasja të cilën e ka ndaluar Allahu vetëm se atëherë kur është me të drejtë, marrja e kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, dezertimi në fushën e luftës dhe akuzimi pa të drejtë me imoralitet i besimtareve të dlira e të shkujdesura (naive).” Transmeton Buhariu 5/393, 2766, dhe Muslimi me nr. 89.

Gjithashtu transmetohet nga Muadh ibën Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë:

“Kisha hipur një ditë në një gomar pas Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ai më tha:

O Muadh, a e di se cila është e drejta e Allahut mbi robërit e Tij dhe cila është e drejta e tyre ndaj Tij?

Iu përgjijgja: Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.

Ai ma ktheu duke thënë: E drejta e Allahut mbi robërit e Tij është që ta adhurojnë Atë pa i shoqëruar shok në adhurim, ndërsa e drejta e tyre ndaj Tij (e kjo si mirësi prej Tij, jo si detyrim – sh.p.) është që mos t’i dënojë nëse ata nuk i shoqërojnë shok në adhurimin e Tij.” Transmeton Buhariu 6/58, 2856, dhe Muslimi me nr. 30.

Shpjegimi:

Shirk konsiderohet kur barazohet Allahu me dikë tjetër në një prej veçorive të Tij (qoftë në adhurim apo diçka tjetër – sh.p.). Ky konsiderohet mëkati më i ulët dhe më i madh se të gjitha mëkatet e tjera, dhe Allahu nuk ia fal atij të cilit e kryen atë dhe vdes pa u penduar. Përkundrazi, vepruesi i tij hyn përjetësisht në zjarr, si pasojë e gjynahut të madh që përbën në lidhje me të drejtën e Allahut të Lartmadhëruar (bëhet fjalë për shirkun e madh i cili të nxjerr nga islami – sh.p.).

Dobitë:

  • Rrezikshmëria e shirkut dhe detyra e ruajtjes prej tij.
  • Allahu nuk e fal atë vetëm nëse njeriu pendohet prej tij. Ky mëkat nuk është si mëkatet e tjera, të cilat Allahu nëse do i fal e nëse do e dënon vepruesin e tyre.
  • Ai i cili vdes në shirk i zhvlerësohen veprat e mira.
  • Shirku është shkak për hyrjen në zjarr.

 

Shkëputur nga libri: “Mësimet e përditshme”.

Shkroi: Rashid El-AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Loading...