Kurani është shërim për zemrën dhe trupin

March 7, 2023

10- Kurani është shërim për zemrat nga sëmundjet e shirkut, hipokrizisë dhe çështjeve të tjera të ngjashme. Në Kuran gjenden disa ajete dhe disa sure që përmbajnë shërim edhe për trupin, të tilla si suret; El Fatiha, En Nas, El Felek, si dhe sure të tjera për ndikimin e të cilave flasin thëniet autentike të Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem.

Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” |Junus: 57|

Gjithashtu ka thënë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, e që mohuesve keqbërës u shton vetëm humbje.” |El Isra: 82|

11- Kurani do të ndërmjetësojë për atë që e ka lexuar, siç tregon Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse ai do të vijë në ditën e gjykimit si ndërmjetësues për lexuesit e tij.” [1]

12- Kurani është vërtetues i librave që u shpallën para tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre.” |El Maide: 48|

Ibën Kethiri pasi përmendi mendimet për shpjegimin e fjalës muhejminen, tha: “Këto thënie të gjitha janë të ngjashme në kuptim, sepse termi muhejminen i përfshin të gjitha këto. Në fakt ai (Kurani) është i besueshëm, dëshmitar dhe gjykatës ndaj të gjithë librave të mëparshëm qiellor. Ky libër madhështor i cili ishte i fundit, është më gjithëpërfshirës në stil dhe më i kompletuar mes librave të tjerë. Ai përfshin të gjitha tiparet e pëlqyeshme të librave para tij duke shtuar pjesët plotësuese që nuk gjenden tek të tjerët. Për këtë arsye Allahu e bëri atë dëshmitar dhe të besueshëm, gjykatës mbi librat e tjerë, dhe në fund Allahu mori përsipër ruajtjen e tij.[2]

13- Kurani fisnik është i vërtetë në atë që informon, i drejtë në ligjet dhe dispozitat e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Të përkryera janë fjalët e Zotit tënd në vërtetësi dhe drejtësi; fjalët e Tij askush nuk mund t’i ndryshojë. Ai dëgjon çdo gjë dhe di çdo gjë.” |El En’am: 115|

Katade ka thënë: I vërtetë në atë që thotë dhe i drejtë në atë që gjykon. Ai thotë të vërtetën në informacionet e tij dhe është i drejtë në atë që kërkon. Prandaj, në gjithçka që ai informon është i vërtetë dhe nuk ka dyshim për këtë. Ndërsa çdo gjë që urdhëron është e drejtë duke mos pasur drejtësi tjetër pos kësaj. Çdo gjë që ai e ndalon konsiderohet e kotë sepse ai ndalon ato gjëra që janë të dëmshme për njeriun, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat.” |El A’raf: 157| [3]

14- Historitë e Kuranit janë të vërteta dhe jo imagjinare. Nëse flasim për ngjarjen e Musait me Faraonin ajo ka ndodhur në të vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne do të tregojmë ty pjesë nga historia e Musait me Faraonin ashtu siç ka qenë me të vërtetë, për njerëzit që besojnë.” |El Kasas: 3|

E ngjashme është dhe historia e banorëve të shpellës, pra ka ndodhur në realitet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne po ta tregojmë ty historinë e tyre sipas të vërtetës.” |El Kehf: 13|

Të gjitha historitë për të cilat flet Kurani janë reale dhe të vërteta. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim se të gjitha këto janë rrëfime të vërteta.” |Al Imran: 62|

15- Kurani ndërthur mes nevojave të kësaj bote dhe të botës tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Por përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve ashtu si të ka bërë mirë ty Allahu..” |El Kasas: 77|

Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”

Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno

Përktheu: Fatjon Isufi

——————————————

[1] E përcjell Muslimi.

[2] “Tefsiri” i Ibën Kethirit 2/65.

[3] “Tefsiri” i Ibën Kethirit 2/167.

Dosje: ,

Loading...