Prej gjërave që ndihmojnë në fortifikimin e vijave të frontit dhe zgjerimin e terrenit të mirësisë, është kur promovuesit e mirësisë kanë hise në aftësitë dhe njohuritë akademike të cilat i sjellin dobi shoqërisë dhe mbarë umetit. Si p.sh.; rasti i mjekësisë, farmaceutikës, inxhinierisë, financës etj.
Prezenca e njerëzve me vullnet të mirë në poste dhe specializime të tilla ka interes të madh për islamin dhe muslimanët. Prej këtyre mund të përmendim:
Së pari: Shfrytëzimin e këtyre specialiteteve dhe aftësive në shërbim të islamit.
Së dyti: Zotërimi i tyre nga disa njerëz me vullnet të mirë ngushton rrethin e së keqes sidomos të atyre që e kërkojnë për tu dukur, që kërkojnë përfitime tërësisht materiale, ose prej atyre që janë njerëz të prishur dhe kanë besim të kotë.
Së treti: Demostrimi se islami nxit në çdo gjë ku njerëzit kanë dobi dhe interes, dhe se këto specialitete dhe këto njohuri janë të nevojshme për shoqërinë. Allahu e di më së miri!
Së katërti: Kjo rikthen në një farë mënyre krenarinë e hershme të muslimanëve në kohën kur Andaluzia p.sh. ishte stacioni i udhëtarëve që kërkonin njohuri, dhe dijetarët muslimanë ishin pishtarët me të cilët udhëzoheshin njerëzit. Në një kohë kur vendet e krishtera kishin veshur rrobat e kaosit moral dhe social dhe jetonin në një errësirë mbytëse, në religjion, morale dhe etikë.
Së pesti: Ekzistenca e zërit pozitiv në çdo vend dhe kjo në vetvete mbush një boshllëk të madh, pa harruar dhe shumë dobi, interesa dhe gjëra pozitive të tjera.
Së gjashti: Plotësimin e asaj që quhet obligim individual në nxënien e këtyre njohurive të nevojshme për njerëzit dhe për jetesën e tyre, dhe në mënyrë që muslimanët mos të kenë nevojë apo të jenë të detyryar të marrin të tjerët nga jobesimtarët dhe të humburit.
Prej gjërave që duhen kujtuar është se armiqtë e islamit kanë treguar kujdes të madh në lëmitë e ndryshme shkencore, dhe kanë përparuar sidomos në mjekësi. Kjo nuk është gjë e re por ka ndodhur qysh para shumë shekujsh.
Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk njoh dije më të vyer pas dijes së hallallit dhe haramit se mjekësia, paçka se ithtarët e librit na e kanë kaluar në këtë.”
Imam Shafiu brengosej shumë për mjekësinë që kishin humbur muslimanët, dhe thoshte: “Kanë humbur një të tretën e dijes duke ua lënë atë hebrejve dhe të krishterëve.” [1]
Cilido që vëren përpjekjet e misionarëve në vendet islame e sidomos vendeve të varfëra, do kuptojë se profesioni i mjekut është prej formave më të sukseshme të thirrjes tek disa muslimanë me iman të dobët.
Atëherë, pash Zotin, më trego se si do ishte gjendja nëse mjeku do ishte musliman që kuron të sëmurët muslimanë dhe jomuslimanë, me ato mënyra që Allahu ia ka mundësuar? Si do ishte gjendja? Shtoi kësaj kur ai e lidh shërimin me Allahun dhe se vullneti i Tij është ai që ndodh dhe jo vullneti i robit. Dhe se mjekësia sado që të përparojë dhe të ngrihet përsëri do qëndrojë e pamundur para asaj që Zoti i Lartësuar ka caktuar.
Pas kësaj, mjeku fillon duke i kujtuar pacientit etikën profetike gjatë sëmundjes dhe gjërat që e pasojnë atë. Nëse pacienti do ishte jomulsiman, ai do ta ftonte në islam duke i treguar gjurmët që kjo fe lë në zemër dhe gjymtyrë.
Kjo dhe ajo që thamë më lart do të japë fryte me lejen dhe mirësinë e Allahut dhe suksesin e Tij.
I lutemi Allahut që t’iu japë sukses atyre që qëndrojnë në këtë vijë fronti! I lutemi Atij t’iu shtojë imanin, qëndrueshmërinë dhe fitoren! Vërtet, Ai dëgjon dhe i përgjigjet lutjes.
Marrë nga libri: “Shenja në rrugën e përmirësimit”.
Autor: Abdul Aziz Sed’han
Përktheu: Fatjon Isufi
—————————————————-
[1] Libri “Adab esh Shafiij ue menakibuhu”, me autor Er Razij, fq. 321.
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno