Humbja e sevapeve për shkak të gjynaheve

May 6, 2023

Buhariu transmeton nga Ibën Abasi se Umer ibën Hatabi një ditë i pyeti shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “Për kë mendoni se ka zbritur ky ajet: ‘A dëshiron ndonjëri prej jush që të ketë një kopësht me palma dhe rrush…” | El Bekare: 266. – Thanë: Allahu e di më mirë. Atëherë Umeri u zemërua dhe u tha: Thoni “e dimë” ose “nuk e dimë”. Atëherë Ibën Abasi tha: Unë kam diçka në vete (në mendje)  për të o prijësi i besimtarëve. Umeri ia ktheu: O biri i vëllait tim (o nipi im), thuaje dhe mos e nënvlerëso veten! I biri i Abasit, Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve, tha: Ky është një shembull që Allahu e ka sjellë për një punë. Umeri i tha: Për ç’punë? Ibën Abasi tha: Për atë njeri që është i pasur, që bën adhurime për Allahun, pastaj Allahu i dërgon atij shejtanin dhe fillon e bën gjynahe derisa ato ja mbytin punët e tij (të mira të mëparshme): “Dhe i vjen atij (kopshtit me fruta) një stuhi në të cilën ka zjarr (vetëtima) dhe ai digjet (bëhet shkrumb).”*

Këtu vëmë re sesi Umeri i edukonte sahabët, prandaj kur njeriu ka dituri për diçka e përcjell, e kur nuk di thjesht thotë “Nuk e di”.

Gjithashtu, ai i inkurajonte ata që dinin të flisnin e të mos e nënçmonin veten, por tu bënin dobi besimtarëve me diturinë e tyre. Sikur Ibën Abasi të kishte nguruar e ta kishte mbajtur në vete këtë dobi, a do ta kishim përfituar dot këtë mësim të madh prej tij? Por kjo thuhet për atë që kishte dituri nga Kurani për shkak të lutjes profetike apo dikë që është njeri i dijes, dhe jo për të pamësuarin.

Ajeti i plotë: “A dëshiron ndonjëri prej jush që të ketë një kopësht me palma (hurma) dhe rrush poshtë të cilit rrjedhin lumenj. Ai ka në të nga të gjitha frutat dhe e arrin pleqëria e fëmijët (trashëgimtarët) i ka të pafuqishëm, e atë (kopshtin) e godet një stuhi në të cilën ka zjarr dhe ai digjet. Kështu ua sqaron Allahu argumentet që të mendoni.” | El Bekare: 266.
Ky është shembulli i njeriut me pasuri që ka bërë vepra të mira, pastaj fillon e ia zbukuron shejtani gjynahet dhe bie në to derisa bën aq shumë gjynahe sa ato ja fshijnë sevapet e mëparshme.
“E humbet Allahu pasi është thinjur.” (Siç përcjell Ebu Hatim nga Ibën Abasi). Allahu na ruajt!
Ky është një nga shkaqet më të mëdha që e frenojnë njeriun nga vetpëlqimi dhe vetsiguria për shpëtim, dhe e bëjnë muslimanin të jetë gjithmonë i përulur kundrejt Allahut, i mbështetur tek Ai, i frikësuar nga mbështetja tek vetja por shpreson prej Allahut suksesin dhe mbylljen e mirë, si dhe frikësohet nga të kundërtat. Për pasojë këto e ruajnë nga mendjemadhësia që mund të shkaktojë adhurimi i shumtë dhe veprat e mira. O Allah, na ruaj e mos na privo kurrë nga suksesi Yt! Mos na lër në dorë të veteve tona as sa një rrahje e qepallave.
“Allahu nuk e humbet një popull pasi i ka udhëzuar ata derisa tua bëjë të qartë se nga cfarë duhet të ruhen.” | Et Teube: 115.

 

*Marrë nga libri “Fet’hul Barij” 4/300, fq. 191-192.

Përshtati: Emin Bilali

Dosje:

Loading...