Kuptimi i shehadetit (dëshmisë)

October 5, 2023

Kuptimi i dëshmisë: La ilahe il-la Allahu

(Nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut)

 Kjo dëshmi përmban në veten e saj mohimin dhe refuzimin e adhurimit ndaj dikujt tjetër përveç Allahut dhe pohimin se adhurimi i takon vetëm Atij (Allahut).

  • Allahu i lartësuar ka thënë: “Dije se nuk e meriton adhurimin askush përveç Allahut”. Surja: Muhamed: 19.

Dituria për domethënien dhe kuptimin e kësaj fjale është më parësore se sa të gjitha shtyllat e Islamit.

  • Pejgamberi (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili thotë se nuk e meriton adhurimin askush përveç Allahut duke qenë i sinqertë, ai do të hyjë në xhenet.’ Hadithi është i saktë e transmeton imam Ahmedi.

I sinqertë në thënien e kësaj fjale do të thotë që ai e kupton këtë fjalë, punon me të dhe i fton të tjerët në këtë fjalë para gjërave të tjera. Sepse në këtë fjalë është teuhidi (njëshmëria e Allahut) për të cilin Allahu e ka krijuar mbarë gjithësinë.

  • I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) i tha xhaxhait të tij Ebu Talibit në momentin kur ai po jepte shpirt: ‘O xhaxhai im! Thuaj: la ilahe il-la Allah (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut), fjalë të cilën do ta kem si argument përpara Allahut. Por ai refuzoi që ta thoshte këtë fjalë.’ Hadithin e transmeton imam Buhariu dhe imam Muslimi.
  • I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) qëndroi në Meke trembëdhjetë vite duke i ftuar arabët e duke u thënë atyre: Thoni: Nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut! Ata thanë: Një i adhuruar i vetëm?! Këtë se kemi dëgjuar më parë! Kjo tregon se arabët e kuptuan këtë fjalë dhe se ai i cili e thotë këtë fjalë nuk i lutet dikujt tjetër përveç Allahut, ndaj ata nuk pranuan që ta thoshin dhe e refezuan atë fjalë. Allahu i lartësuar ka thënë për ta: “Atyre kur u thuhej: nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut, ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: A vallë ne të heqim dorë prej të adhuruarve që kemi për shkak të një poeti të çmendur?! Përkundrazi ai u erdhi atyre me të vërtetën dhe ka pohuar atë që thonin të dërguarit e mëparshëm.” surja: es-Safat: 35-37.

Pejgamberi (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili dëshmon se nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut, si dhe refuzon adhurimet e tjera përveç Allahut atëherë ai e ka të mbrojtur pasurinë e tij dhe gjakun e tij. Hadithin e transmeton imam Muslimi.

Kuptimi i këtij hadithit do të thotë se: Ai i cili e shqipton këtë dëshmi (la ilahe il-la Allahu) duhet me doemos që të mohojë dhe refuzojë adhurimet e tjera që u dedikohen të tjerëve përveç Allahut, si lutjet që u drejtohen të vdekurve etj.

Ajo që është e habitshme është fakti se disa prej muslimanëve e thonë këtë fjalë me gjuhët e tyre, por e kundështojnë kuptimin e kësaj fjale me veprat e tyre duke iu lutur të tjerëve në vend të Allahut!!

  • Fjala ‘la ilahe il-la Allahu’ (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut) është baza e teuhidit (njëshmërisë së Allahut) dhe baza e Islamit. Kjo fjalë është metodë e plotë e jetës e cila arrihet duke i përkushtuar që të gjitha adhurimet vetëm Allahut. Kjo ndodh atëherë kur muslimani i nështrohet Allahut, e lut vetëm Atë, si dhe gjykohet me ligjin e tij dhe jo me ligje të tjera.
  • Dijetari i madh Ibn Rexheb el-Hanbeli (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ‘I adhuruar është Ai ndaj të cilit bindesh dhe nuk e thyen urdhërin e tij nga nderimi dhe madhërimi që ke ndaj Tij, si dhe nga dashuria frika dhe respekti që ke për Të, mbështetjes që ke tek ai, dhe lutjes që i drejton Atij. Të gjitha këto nuk i meriton askush tjetër përveç Allahut të lartësuar. Ai i cili ia dedikon ndonjë krijeseje diçka nga këto që përmendëm më lart, gjëra të cilat janë të posaçme vetëm për të adhuruarin, atëherë ai ka cënuar sinqeritetin e tij ndaj fjalës që ka thënë: ‘la ilahe il-la Allahu’ (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut) dhe kështu që ai kthehet në robin e krijesës në varësi të asaj që ai bën kundrejt krijesës.’
  • Fjala ‘la ilahe il-la Allahu’ i bën dobi atij që e thotë këtë fjalë, nëse ai nuk e cënon këtë fjalë me idhujtari. Njëjtë si abdesi që është i vleshëm deri sa nuk cënohet me prishjen e tij.

I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili e ka fjalën e tij të fundit: ‘la ilahe il-la Allahu’ (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut) ai do të hyjë në xhenet.’ Hadithi është hasen (i mirë), e transmeton imam el-Hakim.

“Rruga e grupit të shpëtuar”

Xhemil Zejno

Përktheu: Ylli Rama

Dosje:

Loading...