Xhamia e parë të cilën e ndërtoi i Dërguari i Allahut alejhi selam qe ajo e Kubasë.
Ibën Kajim në librin e tij “Zad el miad” citon duke treguar momentin kur i Dërguari i Allahut, alejhi selam, hyri në Medine: “Kur ai mbërriti në Medine muslimanët e pritën duke bërë tekbire në shenjë gëzimi.
Pasi hyri në Medine i Dërguari i Allahut, alehi selam, shkoi në Kuba aty ku jetonte fisi Beni Amr ibën Auf. Ai qëndroi tek ata katërmbëdhjetë netë, dhe ndërtoi aty xhaminë e Kubasë e cila konsiderohet si xhamia e parë pas shpalljes.”
Muhamed el Emin Shinkiti, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Përsa i përket xhamisë së Qabes ajo konsiderohet si faltorja e parë për njerëzimin, kurse në rastin e xhamisë Kuba ajo konsiderohet si xhamia e parë të cilën e ndërtuan muslimanët. Xhaminë e Qabes e ndërtoi Ibrahimi, kurse atë të Kubasë vula e profetëve (Muhamedi alejhi selam).
Si pozicion gjeografik për t’u ndërtuar xhamia e Qabes ishte sipas vullnetit të Allahut, gjithashtu kështu ndodhi dhe me xhaminë e Kubasë pasi u zgjodh të ishte aty ku është sot. “Ed’ua el bejan, 8/326.
Përsa i përket hapësirës origjinale në moment kur ajo u ndërtua këtë fakt nuk e dimë, por ajo që dihet është fakti se ajo ndodhet në pjesën jugore të Medines.
Me zgjerimin e tanishëm që i është bërë kësaj xhamie në krahasim me atë ç’ka qenë në momentin kur është ndërtuar, nuk dihet ekzaktësisht origjinaliteti i themeleve të para.
Xhamia Kuba ka patur një interes të madh tek muslimanët. Atë e rinovoi Othman ibën Afani dhe pas tij Omer ibën Abdul Azizi. Të gjithë halifët pas tyre kanë kontribuar në rinovimin e kësaj xhamie duke e zgjeruar territorin e saj, dhe zgjerimi i fundit ishte në vitin 1406 h.
Hapësira ekzistuese tani e kësaj xhamie në pjesën ku përdoret për namaz është 5035 metër katror, kurse në tërësi si objekt arrin 13500 metër katror.
Përktheu: Edison Dukaj