EBU UBEJDE IBËN EL XHERRAH BESNIKU I KËTIJ UMETI

December 7, 2024

EBU UBEJDE IBËN EL XHERRAH

BESNIKU I KËTIJ UMETI

Emri i Ebu Ubejdes ishte Amir ibën Abdullah. Ai lindi në Mekë dhe i përkiste fisit të kurejshëve. Ai ishte nga të parët që e përqafuan Islamin në fillesat e tij. Në mbledhjen e njohur si mbledhja e çardhakut të Beni Saides, e cila u mbajt pas vdekjes së Pejgamberit (paqja qoftë mbi të), Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) vendosi ta emëronte atë kalif të muslimanëve dhe këtë ide ai ia sugjeroi dhe të tjerëve ngase mendonte që ai i plotësonte të gjitha cilësitë për të qenë një kalif i denjë. Atë ditë ai tha: unë zgjedh për ju njërin prej këtyre dy burrave: Umerin ose Ebu Ubejden. Pema gjenealogjike e tij takohet me atë të Pejgamberit (paqja qoftë mbi të) te stërgjyshi i tyre Fihri. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) dëshmoi për të se ai ishte prej banorëve të xhenetit dhe i dha gjithashtu titullin“Besniku i këtij umeti”. Virtytet dhe meritat e tij janë të shumta dhe të mirënjohura.

Ai ka transmetuar disa hadithe nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) dhe ka marrë pjesë në të gjitha betejat.

Në fillimet e shpalljes, Uthman ibën Medh’uni, Ubejde ibën el Harithi, Abdurrahman ibën Aufi, Ebu Seleme ibën Abdul-Esedi dhe Ebu Ubejde ibën el Xherrahu u takuan me Pejgamberin e Allahut dhe ai i prezantoi atyre fenë islame dhe u foli për normat e saj dhe të gjithë ata e përqafuan Islamin në të njëjtën kohë. Kjo ngjarje ndodhi para se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) të strehohej në shtëpinë e Erkamit.

Në betejën e Bedrit, Ebu Ubejdja u përball me të atin në dyluftim dhe e mundi. Ndërsa në betejën e Uhudit ai tregoi trimëri të rrallë. Në këtë betejë, atij i ranë dy dhëmbët e përparmë teksa shkulte hallkat e helmetës që i ishin ngulur Pejgamberit (paqja qoftë mbi të) në fytyrë si pasojë e një goditjeje nga ana e armikut. Mirëpo fytyra e tij u hijeshua më shumë nga rënia e dhëmbëve të përparmë dhe u bë e famshme shprehja që nuk ishte parë ndonjëherë një njeri dhëmbëshkulur që të ishte më i hijshëm se Ebu Ubejdja (Allahu qoftë i kënaqur me të).

Ebu Ubejdja ishte nga ata sahabë që migruan në Abisini por ai nuk ndenji gjatë atje.

Ai bënte pjesë në mesin e sahabëve që e dinin përmendësh Kuranin.

Kur Amër ibën Asi i cili drejtonte një ekspeditë në tokat e Shamit u frikësua nga numri i madh i armikut dhe i kërkoi Pejgamberit (paqja qoftë mbi të) përforcime, ai i dërgoi një njësi ushtarake e cila përbëhej nga muhaxhirët dhe në radhët e saj ishin burra si Ebu Bekri dhe Umeri. Komandant të kësaj njësie, ai emëroi Ebu Ubejden. Kur mbërritën në Sham, Amri u tha atyre: unë jam komandanti juaj! Ata i thanë: ti je komandanti i ushtrisë tënde ndërsa komandanti ynë është Ebu Ubejdja! Amri u tha: ju jeni përforcime, keni ardhur për të më përforcuar! Por Ebu Ubejdja i cili kishte moral të lartë, ishte i urtë, i bindej urdhrit të Pejgamberit dhe i përmbahej besës së tij, u tërhoq menjëherë nga posti i komandantit dhe u fut nën komandën e Amrit.

Ebu Ubejdja shquhej për sjellje të mirë, urtësi të theksuar dhe për natyrë modeste. Përcillet në mënyrë autentike se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Çdo umet e ka pasur një besnik dhe besniku i këtij umeti është Ebu Ubejde ibën el-Xherrahu” (Buhariu 3744 dhe Muslimi 2419)

Kur Umeri mbërriti në kufi me Shamin, e njoftuan se në Sham ishte përhapur një epidemi e fortë, ai tha: nëse unë vdes dhe Ebu Ubejdja është gjallë atëherë unë e emëroj atë zëvendës timin, e nëse Allahu më pyet përse e emërove Ebu Ubejden kalif të umetit të Muhamedit, do t’i them se e kam dëgjuar Pejgamberin (paqja qoftë mbi të) duke thënë: “Çdo umet e ka pasur një besnik dhe besniku i umetit tim është Ebu Ubejde ibën el-Xherrahu”

E pyetën Aishen: cili nga shokët e Pejgamberit ishte më i dashur për të? Ajo tha: Ebu Bekri pastaj Umeri pastaj Ebu Ubejde ibën el-Xherrahu. (Tirmidhiu 3658 dhe Ahmedi 25829)

Kur përfaqësuesit e popullit të Nexhranit erdhën te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) dhe i kërkuan të dërgonte me ta një burrë besnik që t’u mësonte fenë, ai u tha: “Do të dërgoj me ju një burrë që është vërtetë besnik” Kur njerëzit e dëgjuan këtë, secili prej tyre dëshiroi të ishte ai personi që do ta dërgonte Pejgamberi me ta, por Pejgamberi dërgoi Ebu Ubejden. (Buhariu 4120 dhe Muslimi 2420)

Në kohën e Ebu Bekrit Ebu Ubejdja ishte përgjegjës për ekonominë e botës islame.

Kur i mbërriti Umerit lajmi për rrethimin e Ebu Ubejdes nga ana e armikut, ai i shkroi një letër ku ndër të tjera thuhej: Kur njeriu besimtar përballet me një situatë të vështirë, Allahu krijon rrugëdalje për të. Një vështirësi kurrë nuk mund të dominojë mbi dy lehtësimet (që i ka premtuar Allahu). “O ju që keni besuar duroni mos u dorëzoni dhe ruajini kufijtë” (Ali Imran:200)

Ebu Ubejdja i shkroi: Allahu i Madhëruar thotë: “Dijeni se jeta e kësaj bote është vetëm lojë, dëfrim, zbukurim, mburrje ndërmjet njëri-tjetrit dhe garë për t’u shtuar në pasuri e (në) pasardhës; ajo është si shiu, gjelbërimi i të cilit i mahnit bujqit, më pas ai thahet dhe ti e sheh të zverdhur, dhe më pas bëhet pluhur. Në ahiret ka edhe ndëshkim të rëndë, edhe falje e kënaqësi prej Allahut; kurse jeta e kësaj bote është vetëm një e mirë materiale mashtruese” (Hadid:20)

Kur e mori letrën, Umeri u ngjit në minber dhe pasi ia lexoi popullit tha: O populli i Medines, me këtë letër Ebu Ubejdja na nxit që të tregojmë interes për luftën e shenjtë!”

Në kohën e epidemisë që ra në Sham Umeri i shkroi një letër Ebu Ubejdes ku i thoshte: Kam një hall dhe më duhesh patjetër, andaj eja sa më shpejt! Kur e lexoi letrën, Ebu Ubejdja tha: E kuptoj hallin e prijësit të besimtarëve; ai synon të shpëtojë atë që nuk shpëton dot. Më pas ai i shkroi Umerit: E kuptoj hallin tuaj, por duhet të më ndjeni sepse unë jam me ushtarët e muslimanëve dhe nuk i braktis ata për të shpëtuar veten time. Umeri u përlot teksa lexonte letrën e tij dhe ata që ishin të pranishëm menduan se Ebu Ubejdja kishte ndërruar jetë dhe e pyetën për të. Ai tha: Ende nuk ka vdekur, por zëreni se ka vdekur! (Hakimi 3/263)

Ijad ibën Gutajfi ka treguar: shkova për vizitë tek Ebu Ubejdja kur u sëmurë. E shoqja Tuhajfa qëndronte ulur te koka e tij ndërsa ai e kishte kthyer fytyrën nga muri. I thashë: si ka gdhirë sot Ebu Ubejdja? Ajo tha: ka gdhirë me shpërblime. Ebu Ubejdja ia preu: jo pasha Allahun, nuk kam gdhirë me shpërblime! Të pranishmëve nuk u erdhi mirë dhe heshtën. Ai tha: a nuk po më pyesni përse fola në këtë mënyrë? Ata i thanë: nuk na pëlqeu ajo që the dhe s’të pyetëm. Ai tha: unë e kam dëgjuar Pejgamberin (paqja qoftë mbi të) duke thënë: “Ai që shpenzon në rrugën e Allahut diçka që i ka tepruar prej pasurisë shpërblehet shtatëqindfish. Ndërsa kur njeriu shpenzon për familjen apo viziton një të sëmurë apo heq një mbeturinë nga rruga, në të gjitha këto raste e mira shpërblehet dhjetëfish. Agjërimi është mburojë për sa kohë që njeriu nuk e shqyen. Atë që Allahu e sprovon me një sëmundje në trupin e tij bën që ajo të jetë pastrim për të nga mëkatet”

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) e emëroi Ebu Ubejden udhëheqës të ushtrisë disa herë. Njëra ndër të cilat ishte dhe rasti kur ushtrinë e tij e cila përbëhej nga treqind ushtarë e zuri uria dhe nga deti doli një peshk i madh, i cili njihej me emrin “amber”. Në fillim Ebu Ubejdja nuk pranoi të hante me arsyetimin se ishte ngordhësirë por pastaj i lejoi ushtarët të hanin me arsyetimin që ata ishin emisarët e Pejgamberit të Allahut dhe i kishte zënë uria në rrugën e Allahut. (Muslimi:1935)

Pasi mbaroi punë me dezertorët dhe me Musejleme gënjeshtarin, Ebu Bekri emëroi komandantët e ushtrive islame që do të marshonin për të çliruar Shamin. Këta komandantë ishin: Ebu Ubejdja, Jezid ibën Ebi Sufjani, Amër ibën Asi dhe Shurahbil ibën Hasene. Nën komandën e tyre u zhvillua beteja e Exhnadinit në afërsi të Remlës në të cilën muslimanët korrën fitore me ndihmën e Allahut. Lajmet e fitores arritën në Medine në kohën kur Ebu Bekri dergjej në shtratin e vdekjes. Ebu Bekri e pati nisur Halidin për të çliruar Irakun, por para se të vdiste i çoi lajm të nisej drejt Shamit dhe të ndihmonte ushtritë islame që ishin atje dhe me këtë rast e emëroi atë komandantin suprem të ushtrive islame në tokat e Shamit. Halidi (Allahu qoftë i kënaqur me të) përshkoi sipërfaqe të gjata të shkretëtirës dhe kur arriti në Sham e rrethoi Damaskun me ushtrinë islame. Kur vdiq Ebu Bekri, Umeri e shkarkoi menjëherë Halidin dhe emëroi Ebu Ubejden komandant të përgjithshëm të ushtrive islame. Por Ebu Ubejdja ishte shumë i devotshëm dhe i urtë. Ai e mbajti të fshehtë emërimin e tij për njëfarë kohe derisa u çlirua Damasku nën komandën e Halidit. Pas çlirimit të Damaskut ai i njoftoi njerëzit për emërimin e tij. Ai bëri marrëveshje me romakët dhe në bazë të kësaj marrëveshje ata hapën për të portën e Xhabijes. Ndërkohë Halidi kishte hyrë në qytet nga porta lindore me luftë. Mirëpo Ebu Ubejdja, i cili tashmë ishte komandanti suprem, la në fuqi marrëveshjen që pati bërë me ta.

Në betejën e Jermukut, Ebu Ubejdja ishte prijësi i muslimanëve. Në këtë betejë Allahu i shpartalloi ushtritë e romakëve si mos më keq.

Kur e preku epidemia Muadhin dhe Ebu Ubejden, Muadhi dërgoi Harith ibën Umejren që të interesohej për gjendjen e Ebu Ubejdes. Ebu Ubejdja i tregoi një pullë që i ishte shfaqur në dorë. Harithi u shqetësua shumë kur e pa dhe u frikësua për jetën e tij. Por Ebu Ubejdja i tha: këtë pullë nuk do ta ndërroja as me devetë me të shtrenjta! (Tabrani në Muxhem el Kebir nr.364 dhe Hakimi në Mustedrek 3/263)

Ebu Ubejdja vdiq nga epidemia në vitin e tetëmbëdhejtë të hixhretit në moshën pesëdhjetë e tetë vjeçare. Ai kishte dy bishtaleca dhe i ngjyroste flokët.

Sipas historianëve trungu familjarë i Ebu Ubejdes dhe i vëllezërve të tij është ndërprerë.

Allahu qoftë i kënaqur me Ebu Ubejden dhe me të gjithë sahabët e nderuar.

Përktheu dhe përshtati Rexhep Milaqi

Burimi: Libri “Sijer A’lam en-Nubela” i imam Dhehebiut.

 

 

Dosje:

Loading...