Si të shpëtosh në mes të kësaj stuhie?

December 18, 2024

Jetike!
Si të shpëtosh në mes të kësaj stuhie?

“Që t’i kuptojnë ato (porosi) veshët e vëmendshëm” Me shejkh, dr. Salih Sindi – Allahu e ruajtë.

“Ndoshta shkaku më i rëndësishëm i devijimit ideor tek rinia në këtë kohë është: rrëmuja e njohurive të cilën e solli hapja, madje shpërthimi i informacionit. Me gjithë dobësinë kulturore, të gjithë shkruajnë, të gjithë flasin, dhe shumica, dëgjon dhe pranon.

Cilësitë e njohurive të realitetit tonë janë të shumta, disa prej tyre janë: shumësia e produkteve kulturore, dhe shumëllojshmëria e faqeve informative, të cilën e shoqëron shumësia e cicëruesve të cilët kanë ditur ta shfrytëzojnë në mënyrë të përsosur këtë ambjent.

Pa folur pastaj për lehtësinë e arritjes tek njohuritë e ambalazhuara, në dëm të studimit saktësues, qëmtues për të arritur tek informacioni i vërtetë.
(Sh.p.: shikoje në fjalor përkufizimin e fjalës “qëmtues” që ta solla me qëllim, se është mu në thelb të këtij trajtimi akademik konçiz, e për mos të të shpërndarë ja po ta sjell: “qëmtues: ai që mbledh pak nga pak e me kujdes të dhëna të hollësishme, lëndë a copa nga burime të ndryshme për një punë të caktuar.”)

Nga cilësitë (të metat) është edhe mungesa e qasjes së përshkallëzuar për tek dituria. Çdokush ka mundësi të shfletojë çdo lloj përmbajtje kulturore, pa mbajtur parasysh a është e përshtatshme për moshën apo nivelin e tij kulturor apo jo.

E mbi të gjitha këto: vozitja e lirë dhe e pakufizuar. Çdo gjë mund ta shohësh sot, edhe në qofshin ato librat e ‘khauarixhëve’ (ekstremistëve), ateistëve, apo videot e tyre. Apo librat e magjisë dhe të afrimit të xhinëve, të horoskopit, apo shkëputje filmike të pamoralshme. Të gjitha i ke vetëm një klikim larg (Allahu na ruajtë)! Mund ta shohë atë edhe një fëmijë i shkollës fillore!

E kjo – për fat të keq – ka sjellë fryte të hidhura, të helmuara të shumta. Një prej tyre është edhe kjo zhurmë, kjo ndotje e madhe akustike njohurish, e cila ka shkaktuar këtë hapërdarje ideologjike. Janë shtuar pyetjet dhe dyshimet.

Prej tyre është edhe sfidimi i burimeve të shëndosha të diturisë, të bazuara dhe të besueshme. (Sh.p.: nuk u lënë vend, e as kohë burimeve të shëndosha dhe të sakta të diturisë që të përhapen, të marrin vëmendjen e merituar, dhe të edukojnë me urtësi.)

Gjithashtu: depërtimi i shumë prej të devijuarve në mendjet e disa prej djemve dhe vajzave tona.

Prandaj po të rendis – o i suksesshëm (me leje të Allahut) – 5 pika, të cilat janë themele sheriatike ku mund të mbështetesh për të arritur njohuri të shëndosha.

E para: dituria është fe, prandaj shikoni nga po e merrni fenë tuaj. Nuk është e saktë e as e pranueshme që njeriu ta marrë fenë dhe kulturën e tij, dhe informacionin me të cilin ushqen mendjen dhe zemrën e tij nga çdo kush. Feja jote është gjëja më e shtrenjtë që posedon, prandaj duhet të dish se nga t’i marrësh njohuritë e tua fetare, të cilat pastaj do t’i shndërrosh në besim me të cilin lidh zemrën dhe shpirtin tënd.

E dyta: nuk lejohet t’u ekspozohesh trazirave (fitneve), rrëmujës, e nuk lejohet as përhapja e dyshimeve. Largimi nga vendet e tyre është tregues i një besimi të fortë. Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Kush dëgjon se Dexhalli ka dalë në një vend le të largohet prej tij, sepse pasha Allahun, burri shkon tek ai dhe mendon se është besimtar (i fortë) pastaj shndërrohet në pasues të tij, për shkak të dyshimeve (të mëdha) që ai i sjell!” (Transmeton Ebu Daudi)
Pra, nëse angazhohesh apo u ekspozohesh trazirave, ke bërë aventurë me gjënë më të shtrenjtë që ke: me fenë tënde! Aventurë pasojat e së cilës janë të paparashikueshme.

E treta: sheriati është standardi bazë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Nëse debatoni për diçka, atëherë kthejeni atë tek Allahu dhe tek i Dërguari.” Pra peshorja e saktë me të cilën peshohen dhe maten të gjitha gjërat është feja e Allahut fisnike. Ajo është rojtari më i mirë informues që të çliron nga gabimet dhe rëshkitjet.

E katërta: Metoda dhe qasja e të parëve tanë të devotshëm. Të cilët janë më të zgjedhurit e këtij populli, dhe më të afërtit me të vërtetën, dhe largimi nga gjërat që të shpërqëndrojnë dhe e turbullojnë pastërtinë e besimit. Nëse je pasues i tyre atëherë largohu nga çdo gjë që mund të ta pështjellë fenë tënde.

E pesta: Tregohu i vëmendshëm dhe përmbaju asaj që të sjell dobi. Kjo është këshilla e Profetit tënd, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, pra vendose atë përpara syve. Jepi rëndësi asaj që të bën dobi në fenë tënde dhe në jetën tënde në këtë botë, angazhohu me gjëra të mira, të dobishme, dhe lëri të tjerat.

Po e mbyll me disa porosi rreth leximit dhe dëgjimit.

1. Ruhu nga vetmashtrimi informativ! Zbukurohu me thjeshtësi! Nuk është turp të mos i dish disa gjëra, turp është të mashtrohesh me aftësitë e tua dhe futesh në gjëra që nuk di t’i bësh.
2. Njihe besimin e autorit që po lexon. Ruaj kohën tënde se ajo është e çmuar! Mos e harxho veçse në atë që të bën dobi!
3. Përpiqu të fitosh aftësinë e leximit kritik, mos u bëj veç pranues. Kapu fort pas themeleve, Kurani dhe Suneti janë e vërteta, dhe gjithçka me të cilën erdhi Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – është e vërtetë. E çdo gjë që i kundërshton ato është e kotë dhe humbje! Pa marrë parasysh a e dite shkakun e kotësisë së saj në detaje apo nuk e dite.
4. Merr një këshilltar të besueshëm që të orienton në gjërat që lexon dhe nga kush dëgjon, e me çfarë të fillosh, e me çfarë të vazhdosh. Përshkallëzohu në atë që lexon, dhe ndiq metodën e saktë. Kush privohet nga themelet e qëndrueshme nuk arrin të ndërtojë. E mos u nxito sepse dituria arrihet me kalimin e ditëve dhe të netëve.
5. Kushtoji rëndësi cilësisë jo sasisë. Nuk është e rëndësishme sa libra ke lexuar, por çfarë ke përfituar. Përndryshe, leximi i shumtë mund të ta shtojë injorancën.
6. Mos e bëj zemrën sfungjer që thith dhe pranon çdo dyshim. E nëse mundesh që të mos shfletosh dhe dëgjosh veçse të vërtetën e të saktën, ashtu bëj. E nëse sprovohesh, bëje zemrën tënde pasqyrë, që e njeh të kotën por nuk i depërton dhe e reflekton mbrapsht. I lumtur është ai që merr mësim nga të tjerët! Të shumtë janë ata që bien, shkaku është: dëgjim jo i saktë dhe lexim jo i saktë. Shpëtimi nuk barazohet me asgjë! Prandaj ruhu nga aventurat informuese.
7. Fama nuk është tregues i besueshmërisë, pra, jo çdo i famshëm meriton që të marrësh prej tij.
8. Shtoji lutjet ndaj Allahut që të të udhëzojë dhe përforcojë në rrugë të drejtë. Allahu të dhëntë sukses për atë që Ai do.

Emin Bilali

Dosje:

Loading...