Israja dhe Mi’raxhi nuk është mit apo trillim

January 31, 2025

KUNDËRPËRGJIGJE NDAJ ATYRE QË PRETENDOJNË SE ISRAJA DHE MIRAXHI ËSHTË THJESHT NJË MIT APO NJË TRILLIM

Falënderimi i takon Allahut.

Së pari:

Nuk ka dyshim se Israja dhe Miraxhi janë prej shenjave madhështore të Allahut që dëshmojnë për vërtetësinë e të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ, dhe për pozitën e lartë që ai ka tek Allahu i Plotfuqishëm. Po ashtu, ato janë dëshmi të fuqisë madhështore të Allahut dhe të lartësisë së Tij mbi të gjitha krijesat. Allahu thotë:

“I lartësuar qoftë Ai që e çoi robin e Tij natën nga Mesxhidi Harami në Mesxhidi Aksa, të cilin e kemi bekuar vendin përreth tij, që t’i tregojmë atij disa nga shenjat Tona. Vërtet, Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” (Isra, 1)

Ka ardhur me transmetim të sigurt se Profeti ﷺ u ngrit në qiej, ku iu hapën dyert e tyre deri sa kaloi qiellin e shtatë. Aty Allahu i foli atij dhe e obligoi me pesë namaze ditore. Fillimisht, Allahu i bëri pesëdhjetë namaze, por Profeti ﷺ i kërkoi lehtësim derisa ato u reduktuan në pesë, të cilat në shpërblim janë sikur pesëdhjetë, sepse një e mirë llogaritet dhjetëfish. Lavdia dhe falënderimi i qoftë Allahut për të gjitha begatitë e Tij.

Ka pasur mendime të ndryshme mbi këtë ngjarje. Disa kanë thënë se ishte vetëm një ëndërr, por mendimi i saktë është se Israja dhe Miraxhi ndodhën në realitet, me trup dhe shpirt, dhe për këtë ka shumë argumente. Imam Tahaviu thotë:

“Miraxhi është i vërtetë. Profeti ﷺ u ngrit në qiej me trupin e tij, i zgjuar, e më pas në vendin që deshi Allahu. Allahu e nderoi me çfarë deshi dhe i shpalli çfarë dëshiroi. Ajo që pa zemra e tij nuk ishte gënjeshtër. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të në këtë dhe në botën tjetër.”

Ndërsa Imam Ibn Ebi’l-Izzi, në komentimin e akides tahavije, thotë:

“Ka pasur mendime të ndryshme mbi Isranë. Disa thanë se ndodhi vetëm me shpirtin e tij dhe jo me trup, por ka një dallim të madh mes ëndrrës dhe udhëtimit me shpirt pa trup. Aishja dhe Muauija nuk thanë se ishte ëndërr, por se ndodhi me shpirtin e tij pa u ndarë trupi.”

Disa kanë thënë se Israja ndodhi dy herë: një herë në ëndërr dhe një herë zgjuar, të tjerë thanë se një herë ishte para shpalljes dhe një herë pas saj, por qëndrimi i saktë është se ajo ndodhi vetëm një herë në Mekë, pas fillimit të shpalljes dhe një vit para Hixhretit.

Profeti ﷺ u nis fizikisht nga Mesxhidi Harami për te Mesxhidi Aksa duke udhëtuar mbi Burakun, i shoqëruar nga Xhibrili. Aty u fal me profetët dhe e lidhi Burakun pranë portës së xhamisë. Pastaj, u ngrit në qiellin e parë ku takoi Ademin, e më pas vazhdoi të ngjitej lart…

Ky udhëtim fizik është vërtetuar nga fjala e Allahut:

“I lartësuar qoftë Ai që e çoi robin e Tij natën…” (Isra, 1).

Kjo vërteton se udhëtimi ishte me trup dhe shpirt, pasi fjala “rob” nënkupton trupin bashkë me shpirtin.

Imam Ibn Kethiri thotë:

“Dijetarët kanë mendime të ndryshme: A ndodhi Israja vetëm me shpirtin apo me trupin dhe shpirtin? Shumica e dijetarëve thonë se ndodhi me trupin dhe shpirtin, i zgjuar, jo në ëndërr. Përndryshe, ajo nuk do të kishte qenë një mrekulli e madhe, as Kurejshët nuk do ta kishin përgënjeshtruar në atë mënyrë që e përgënjeshtruan.”

Ndërsa Hakimi thotë:

“Sikur Israja të kishte qenë vetëm një ëndërr, atëherë nuk do të ishte një mrekulli dhe nuk do të kishte pasur një përgënjeshtrim të madh nga Kurejshët. Ata thanë: ‘Ne shpenzojmë një muaj për të shkuar në Kuds dhe një muaj për t’u kthyer, e Muhamedi pretendon se shkoi brenda një nate dhe u kthye.’ Kjo do të ishte e pakuptimtë nëse do të kishte qenë thjesht një ëndërr.”

Së dyti:

Mbetemi të habitur nga mënyra e gabuar e disa njerëzve në interpretim, duke dhënë një argument të pjesshëm dhe duke lënë anash kuptimin e plotë të ajetit:

“Dhe thanë: ‘Nuk do të besojmë te ti derisa të bësh që nga toka të shpërthejë një burim për ne, ose të kesh një kopsht me palma dhe rrush e të bësh që nëpër të të rrjedhin lumenj, ose të bësh që qielli të bjerë mbi ne, sikurse thua, ose të sjellësh Allahun dhe engjëjt përballë nesh, ose të kesh një shtëpi të zbukuruar me ar, ose të ngjitesh në qiell; dhe nuk do të besojmë as në ngjitjen tënde, derisa të na sjellësh një libër që ta lexojmë.’ Thuaj: ‘I Lartësuar qoftë Zoti im! A jam unë veçse një njeri i dërguar?!’” (Isra, 90-93)

Kjo tregon se ata kërkuan shumë gjëra të pamundura për të vënë në provë Profetin ﷺ, duke kërkuar diçka që i tejkalon aftësitë e një njeriu. Kjo nuk nënkupton se Miraxhi ishte i pamundur, por se kërkesat e tyre ishin të pabaza.

Së treti:

O rob i Allahut, ruaje zemrën tënde dhe ji më i kujdesshëm ndaj fesë sesa ndaj pasurisë! Mos i lejo djajtë e njerëzve dhe xhindëve të mbjellin dyshime në besimin tënd. Nëse nuk ke njohuri të mjaftueshme fetare për të përballuar këto dyshime, atëherë largohu nga ata që i përhapin dhe mos i dëgjo fjalët e tyre, sepse nuk e di se kur një dyshim mund të hyjë në zemrën tënde dhe sa kohë do të duhet për ta larguar atë.

Lusim Allahun të na udhëzojë të gjithëve në rrugën e drejtë dhe të na mbrojë nga sprovat e dyshimit dhe të devijimit.

Allahu e di më së miri.

Përktheu dhe përshtati Rexhep Milaqi

Burimi: El-Islam Sual-Xheuab

 

 

Dosje: ,

Loading...