Mendimi juridik i Imam Malikut dhe metoda e tij në veprën “El-Muvatta” – Shejh Salih Al-Shejh
Medhhebi i dytë (nga katër medhhebet) është ai i Malik ibn Enes.
Imam Maliku – Allahu e mëshiroftë – ishte një imam i ndershëm, mbajtës i dijes (hafidh), të cilit nuk i shpëtonte pothuajse asgjë nga ajo që dëgjonte. Ai e shkruante dijen dhe ishte i pranishëm te mësuesi i tij, Rebia Er-Ra’j. Dëgjoi nga tabiinët e mëdhenj dhe nga të tjerë më poshtë tyre.
Sipas kërkesës së guvernatorit ose të udhëheqësit të besimtarëve në kohën e tij, ai e përpiloi një libër. Ky libër ka ndikim të madh në umetin islam, dhe ai është libri “El-Muvatta” – që do të thotë i shtruar, i lehtësuar – i Imam Malikut.
“El-Muvatta” është një libër hadithesh, por njëkohësisht edhe libër fikhu. Pse është libër fikhu? Sepse është bazë për librat e dijetarëve malikij në fikh. Ai e hap një kapitull dhe fillon me hadithin e Profetit – paqja qoftë mbi të. Pastaj sjell fjalët e sahabëve – halifëve të drejtë dhe sahabëve të mëdhenj – pastaj fjalët e dijetarëve të mëdhenj të Medinës dhe më pas të tabiinëve, dhe i radhit ato sipas një rendi të caktuar.
Kjo e bën librin një libër fikhu, pastaj ai shënon edhe mendimin e tij juridik. Prandaj, “El-Muvatta” përmban shumë hadithe, por në të vërtetë është një libër që trajton fikhun e hadithit. Ai u mbështet në të për të kuptuar hadithet, duke marrë nga fjalët e sahabëve dhe tabiinëve, e më pas duke komentuar mbi to.
“El-Muvatta” konsiderohet si libri i parë i dijetarëve malikij në renditjen e fikhut. Imam Maliku jepte fetva, ulej në mësim dhe i bëheshin pyetje, dhe janë shënuar shumë çështje juridike nga ai. E takuan turma njerëzish që e transmetuan dijen nga ai.
Por ne përmendim në mënyrë të veçantë një nga dijetarët e mëdhenj të respektuar dhe mbajtësit e dijes, që transmetoi dijen e Malik ibn Enesit, dhe ai është imami i ndershëm Abdurrahman ibn Kasim. Ai përpiloi pyetjet e bëra Malikut, i mblodhi ato dhe i shkroi, por jo në mënyrë të renditur.
Më pas e takoi një dijetar nga Tunizia, Esed ibn El-Furat, gjatë udhëtimit të tij. Ai i kërkoi mendimet juridike të imam Malikut dhe pyetjet që i ishin bërë atij, dhe i mori ato nga Abdurrahmani dhe i shkroi. Këto çështje janë të njohura me emrin “Çështjet e Abdurrahman ibn Kasimit nga Imami Malik ibn Enesi”.
Më pas ai (Esed bin Furat) u kthye në vendin e tij, dhe atje e takoi imam i ndershëm Sahnunin. “Sahnuni” është një nofkë për një dijetar të madh. Ai dëgjoi prej Esedit, por nuk i pëlqyen ato që kishte shkruar dhe radhitur Esedi.
Ai version i shkruar njihej ndër dijetarët malikij si “Esedijja” – në lidhje me Esed ibn El-Furat. Sahnuni e mori nga ai, por nuk i pëlqeu, kështu që i shkroi vetë dhe më pas udhëtoi te Abdurrahman ibn Kasimi.
Ai dëgjoi prej tij, i paraqiti çështjet dhe dëgjoi prej tij të gjitha çështjet. Pastaj i renditi dhe ia paraqiti Abdurrahmanit. Kjo vepër u quajt “Mudeuena e Malikut” ose “Mudeuena e Sahnunit”, dhe është ajo që njihet sot tek ne me emrin “El-Mudeuena”.
Kjo “Mudev-vene” është vepër e Sahnunit mbi bazën e (asaj që mori) nga Abdurrahman ibn Kasimi. Ajo ishte një punë shumë madhështore, sepse ai e renditi atë sipas renditjes së Malikut në “El-Muvatta”, pothuajse. Ai përshkroi në të medhhebin e Malikut dhe pyetjet (që i ishin bërë atij), si dhe medhhebin e Abdurrahman ibn Kasimit dhe pyetjet e tij, dhe gjithçka të ngjashme me to prej çështjeve të ndryshme.
Ai u kthye në Tunizi dhe deshi të krahasonte mes asaj që kishte shkruar ai vetë dhe asaj që ishte te Esed ibn El-Furat nga pyetjet ose nga ajo që ai e kishte transmetuar nga ibn Kasimi. Kështu ndodhi njëfarë përplasjeje mes tij dhe Esedit, por nuk iu dha rëndësi kësaj. Kështu, ajo që njihej si “Esedijja” u zhduk, siç thonë dijetarët, dhe mbeti vetëm “Mudeuena e Sahnunit”
Mudeuena e Sahnunit është themeli i përmbledhjes së fikhut në klasifikimin e fikhut të dijetarëve malikij deri në ditën e sotme. Gjithçka që erdhi pas saj mbështetet mbi të.
Malikijtë thonë se medhhebi i tyre mbështetet mbi pesë libra:
1. “El-Muvatta” i Malik ibn Enesit – dhe ajo që përmban prej dijes dhe fikhut,
2. Pastaj “Mudeuena” e Sahnunit,
3. Pastaj “El-Uadiha” e Habibit,
4. Pastaj “El-Mustekhrexha” ose “El-Utbijje” e Utbit,
5. Pastaj El-Muvazijja e Ibn Muvazit el-Iskenderanit, Muhamed ibn Ibrahimit, imamit të njohur.
“Muvazijja” nuk është e plotë; prej saj kanë mbetur vetëm disa pjesë. Dijetarët në Magreb dhe në Andaluzi e vlerësonin shumë këtë libër. Pse? Sepse ajo e kishte renditur fikhun si një përmbledhje të shkurtër. Është përmbledhja e parë (e tillë). Prej saj ndodhen pjesë në Tunizi dhe pjesë në Marok – nëse kujtesa ime është e saktë.
Një numër dijetarësh e kanë konsideruar atë si kulminacionin në përmbledhjen e medhhebit të Malikut. Por nuk pati shumë fat dhe nuk u përhap më pas.
Këto libra janë përpjekjet e para për sistematizimin e medhhebit të Malikut, deri rreth vitit 300 hixhri ose pak pas tij. Pas kësaj, nuk u shkrua ndonjë përmbledhje që të ishte e besueshme për medhhebin malikij.
Dijetari i madh, hafidh ibn Abdi-l-Berr, u përpoq të shkruajë një përmbledhje për medhhebin e Malikut. Ai shkroi librin “El-Kafi”, i cili është botuar dhe njihet si “El-Kafi fi fikh el-Medine” sipas medhhebit malikij. Ai është botuar në dy vëllime dhe është i njohur, por nuk u mbështetën shumë mbi të.
Më pas erdhën shpjegimet (komentet) e dijetarëve malikij në formën që do ta përmendim më vonë.
Shejh Salih Al-Shejh
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: imam Maliku, medhhebi
Të Ngjashme
- Disa shkelje që ndodhin gjatë marjes së tejemumit Udha e Besimtarëve
- Imam Ebu Hanife, nxënësit, librat dhe medhhebi i tij Udha e Besimtarëve
- Imam Ahmedi, shkolla, nxënësit dhe librat e medhhebit të tij Udha e Besimtarëve
- Shkolla, nxënësit dhe librat e medhhebit të imam Shafiut Udha e Besimtarëve
- Shkelje që ndodhin gjatë marrjes së abdesit – 3 – Udha e Besimtarëve