Tekbiri i përgjithshëm dhe tekbiri i kufizuar

June 5, 2025

🔴 TEKBIRI I PËRGJITHSHËM DHE TEKBIRI I KUFIZUAR:

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve, dhe paqja e bekimi qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, mbi familjen dhe shokët e tij.

◼️Tekbiri i përgjithshëm është ai tekbir që thuhet në çdo kohë gjatë dhjetë ditëve të Dhul-Hixhes, e nuk është i lidhur me fundin e namazeve farz.

Kjo bazohet në atë që është transmetuar nga Ibn Umeri dhe Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta), se ata dilnin në treg gjatë këtyre dhjetë ditëve dhe bënin tekbir – nuk shkonin në treg përveçse për këtë-, e njerëzit i pasonin me tekbirin e tyre.

E ka transmetuar Fakihi në “Akhbâr Mekke” dhe Mervezi në “el-Idejni”, dhe zinxhiri i transmetimit është i mirë.

◼️Ndërsa tekbiri i kufizuar është ai që bëhet pas namazeve të detyrueshme, dhe koha e tij fillon nga sabahu i ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut (ditës së tretë pas ditës së Bajramit)

🔸 Argument për këtë është:

1- Transmetohet nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai bënte tekbir pas sabahut të ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut, përfshirë edhe pas ikindisë.

📗 E transmeton Ahmedi në “Mesail Abdil-lah”, Ibn Mundhir dhe Mehamili, dhe hadithi është i pranueshëm (Hasen li gajrihi).

Imam Ahmedi ka thënë: “Ky është tekbiri i Aliut dhe punojmë me të.”

“Mesail Abdullah” (2/432).

2- Transmetohet nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ai bënte tekbir nga mëngjesi i ditës së Arafatit deri në ditën e fundit të Teshrikut – me përjashtim të namazit të akshamit –.

📗 E transmeton Ibn Ebi Shejbe, Ibn Mundhir dhe Mehamili, dhe Zinxhiri i tij është i saktë.

3- Gjithashtu nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se ai bënte tekbir në Mina në ato ditë pas namazeve, në çadrën e tij, si dhe gjatë ecjes.

📗 E transmeton Ibn Mundhir dhe Fakihi, dhe zinxhiri i tij është i saktë (Sahih li gajrihi).

📌 Vërejtje:

 

1️⃣ Tekbiri i kufizuar për jo-haxhilerët fillon nga sabahu i ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut, siç është përmendur në transmetimin nga Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të).

2️⃣ Tekbiri i kufizuar për haxhilerët fillon nga dreka e ditës së Kurban Bajramit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut.

3️⃣ Haxhiu mund të bashkojë tekbirin dhe telbijen në ditën e Arafatit:

Transmetohet nga Muhamed ibn Ebu Bekri se ai e pyeti Enes ibn Malikun (Allahu qoftë i kënaqur me të): “Si vepronit në këtë ditë me të Dërguarin e Allahut ﷺ?” Enesi tha: “Disa prej nesh bënin telbije dhe nuk i kundërshtonte askush, dhe disa bënin tekbir dhe nuk i kundërshtonte askush.” Transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

4️⃣ A thuhet tekbiri para istigfarit (kërkimit të faljes), apo pas tij?

Dijetarët që mendojnë se tekbiri bëhet menjëherë pas selamit (mbarimit të namazit), thonë: është transmetuar nga sahabët se ata bënin tekbir menjëherë pas namazit, pa ndonjë ndarje në mes. Po të kishte ndarje, do të ishte transmetuar, e për shkak se tekbiri është simbol i atyre ditëve, thuhet para istigfarit.

Ndërsa disa dijetarë e shohin të arsyeshme që istigfari të vijë para tekbirit, për shkak të hadithit të Theubanit (Allahu qoftë i kënaqur me të):

“I Dërguari i Allahut ﷺ, kur përfundonte namazin, kërkonte falje tri herë…”

Mendimi i parë është më i parësor, për shkak të veçantësisë së tekbirit në këto ditë, dhe Allahu e di më së miri.

📝 Përgatiti: Prof. Dr Abdulbari bin Hammad el-Ansari.

Përktheu: Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...