📋 Xhindët gënjejnë shumë, nuk mund t’u besohet lajmeve të tyre, as lajmeve të atyre që tregojnë për ta.
Ibn Tejmije u pyet për një grua që pohonte se ishte e prekur (nga xhindët), dhe se ata e informonin për ato që ndodhnin, dhe se ajo kishte zbulesa të mendimeve të fshehta, për shkak se xhindët ia mësonin ato, e njerëzit ishin mbështetur në fjalët e saj.
Ai u përgjigj: Kjo grua duhet ndëshkuar me një ndëshkim të rreptë e parandalues, që ta ndalojë tu tregojë njerëzve gjëra të tilla, pavarësisht nëse me të është ndonjë xhind apo jo.
Sepse nëse me të është ndonjë xhind, atëherë xhindët janë gënjeshtarë, gënjejnë shumë, dhe nuk u besohet lajmeve të tyre, as të atyre që tregojnë për ta.
Në rastin më të mirë, ajo s’është veçse njësoj si fallxhorët e lashtë, të cilët kishin prej xhindëve që i informonin për gjëra të qiellit. E shumica e dijetarëve e kanë gjykuar se fallxhori meriton dënim me vdekje. Edhe kësaj gruaje duhet ti kërkohet të kthehet dhe të pendohet nga kjo gjë.
Nuk i lejohet askujt që të mbështetet në ato që ajo tregon për ndonjë send të humbur, për shkak të gënjeshtrës që ndodh në raste të tilla nga ajo vetë, ose nga xhindi që është me të – nëse vërtetë është e prekur.
Është transmetuar në hadith të saktë se Profeti ﷺ ka thënë: “Kush shkon te një fallxhor dhe e pyet për ndonjë çështje, nuk do t’i pranohet namazi për dyzet net.”
Gjithashtu, në një hadith tjetër të saktë, kur Profetit ﷺ iu tha: “Disa prej nesh shkojnë te fallxhorët,” ai tha: “Mos shkoni tek ata.”
Prandaj, kush e pyet një njeri të tillë për të fshehtat (të padukshmet) dhe mbështetet në lajmet e saj, ai ka kundërshtuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
Allahu është më i Dijshmi.
Burimi: “Xhami‘ul-Mesā’il” (9/361).
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: xhindet