(12) Kapitulli: Degët e besimit.
21 – Hadithi i Ebu Hurejrës nga Profeti ﷺ, i cili ka thënë:
“Imani ka gjashtëdhjetë e ca degë, edhe turpi është një degë prej degëve të imanit.”
E transmeton Buhariu në: Libri i Imanit, Kapitulli 3: “Çështjet që lidhen me imanin”.
22 – Hadithi i Ibn Umerit.
I Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një njeriu prej ensarëve i cili po i jepte këshilla vëllait të tij për çështjen e turpit. Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ tha:
“Lëre, sepse vërtet turpi është pjesë e imanit.”
E transmeton Buhariu në: Libri i Imanit, Kapitulli 16: “Turpi është nga imani”.
(13) Kapitulli: Turpi sjell vetëm mirësi.
23 – Hadithi i Imran ibn Husejnit i cili transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:
“Turpi sjell vetëm mirësi.”
E transmeton Buhariu në: Libri i sjelljeve, Kapitulli 77: “Turpi”.
(14) Kapitulli: “Sqarimi i shkallëve (gradëve) të Islamit dhe cila prej veprave është më e mira?”
24 – Hadithi i Abdullah ibn Amr ibn el As: Një burrë e pyeti të Dërguarin e Allahut ﷺ: “Cila prej veprave të Islamit është më e mira?
Ai tha: T’u japësh ushqim të tjerëve dhe t’i japësh selam atij që e njeh dhe atij që nuk e njeh.”
E transmeton Buhariu në: Libri i Imanit, Kapitulli 6: “Ushqyerja e të tjerëve është pjesë e Islamit”.
25 – Hadithi i Ebu Musës (el Esharij):
Ata i thanë: “O i Dërguar i Allahut, cila prej veprave të Islamit është më e mira?
Ai tha: Ai nga gjuha dhe dora e të cilit janë të sigurt muslimanët.”
E transmeton Buhariu në: Libri i Imanit, Kapitulli 5: “Cili është Islami më i mirë?”
(15) Kapitulli: “Shpjegimi i atyre cilësive të cilat kush i posedon do ta gjejë ëmbëlsinë e imanit.”
26 – Hadithi i Enesit nga Profeti ﷺ, se ka thënë: “Tre gjëra kush i ka, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit:
kur Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur për të se gjithçka tjetër;
kur ta dojë njeriun dhe ta dojë atë vetëm për hir të Allahut; dhe të urrejë të kthehet në kufër ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”
E transmeton Buhariu në: Libri i Imanit, Kapitulli 9: “Ëmbëlsia e Imanit”.
Sqarim gjuhësor:
Shubeh (degë): pjesë, pjesëz, ndarje nga diçka.
Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi).
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Kush vdes pa i bërë Allahut ortak askënd, hyn në xhenet Udha e Besimtarëve
- Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhesasen dhe Mesihu Dexhalin Udha e Besimtarëve
- Veprat më të dashura tek Allahu sipas fjalëve të Profetit Udha e Besimtarëve
- Mëkati i atij që merr atësinë e dikujt tjetër Udha e Besimtarëve
- Mëkatet e pakësojnë imanin Udha e Besimtarëve