Disa kritere të besimit

August 2, 2025

(16) Kapitulli: Obligimi për ta dashur të Dërguarin e Allahut ﷺ më shumë se familjen, fëmijën, prindin dhe gjithë njerëzit.

27 – Hadithi i Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili tregon:

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk ka besuar me besim të plotë dhe të vërtetë derisa të jem më i dashur për të se prindi i tij, fëmija dhe të gjithë njerëzit.”

E transmeton Buhariu në 2, Libri i Besimit, kapitulli 8: “Dashuria ndaj të Dërguarit ﷺ është prej besimit”.

(17) Kapitulli: “Dëshmia se prej kritereve të besimit është të duash për vëllanë tënd atë që do për veten tënde nga e mira.”

28 – Hadithi i Enesit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Asnjëri prej jush nuk ka besuar me besim të plotë derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për veten e vet.”

E transmeton Buhariu në; 2 – Libri i Besimit, kapitulli 70: “Prej besimit është të duash për vëllanë atë që do për veten”.

(19) Kapitulli: “Nxitja për të nderuar fqinjët dhe mysafirët, për të folur mirë ose për të heshtur, dhe se të gjitha këto janë pjesë e besimit.”

29 – Hadithi i Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit të mos e dëmtojë fqinjin e vet. Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, le ta nderojë mysafirin e vet. Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, le të flasë mirë ose le të hesht.”

E transmeton Buhariu në: 78 – Libri i etikës, kapitulli 31; “Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, të mos e dëmtojë fqinjin”.

30 – Hadithi i Ebu Shurejh el Adevij i cili tregon:

Veshët e mi e kanë dëgjuar dhe sytë e mi e kanë parë, kur ka folur i Dërguari i Allahut ﷺ dhe ka thënë:

“Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, le ta nderojë fqinjin e vet. Kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, le ta nderojë mysafirin e vet me dhuratën që i takon.

Tha: O i Dërguar i Allahut, cila është dhurata e tij?

Tha ﷺ: Një ditë dhe një natë, kurse mikpritja zgjat tri ditë. Çfarë është më shumë se kaq, është lëmoshë për të. Po ashtu kush beson në Allahun dhe ditën e fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë.”

E transmeton Buhariu në: 78 – Libri i Etikës, kapitulli 31; “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Fundit të mos e dëmtojë fqinjin.

 

Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi).

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...