(22) Kapitulli: Sqarimi se mëkatet e pakësojnë besimin dhe se mohimi i besimit (i përmendur në tekste) për një mëkatar nënkupton mohimin e përkryerjes së tij.
36 – Hadithi i Ebu Hurejrës:
Profeti ﷺ ka thënë: “Nuk kryen zina një mëkatar në kohën që e kryen atë duke qenë besimtar (me besim të plotë). Nuk pi alkool një njeri në çastin kur e pi duke qenë besimtar, dhe nuk vjedh në kohën që vjedh duke qenë besimtar.”
Në një transmetim tjetër shtohet:
“Dhe nuk grabit një plaçkë të çmuar për të cilën njerëzit i ngulin sytë në kohën që e grabit, duke qenë besimtar.”
Transmeton Buhariu në: Libri i pijeve alkoolike, kapitulli 1: Fjala e Allahut: “Me të vërtetë; vera, bixhozi, faltoret e idhujve dhe shigjetat për short janë ndyrësi nga veprat e djallit.” | El Maide: 90.
(23) Kapitulli: Sqarimi i cilësive të munafikëve (hipokritëve).
37 – Hadithi i Abdullah ibn Amrit:
Profeti ﷺ ka thënë: “Katër cilësi nëse gjenden tek një njeri ai është munafik (hipokrit) i kulluar. Ndërsa kush ka njërën prej këtyre cilësive, atëherë ai ka një cilësi prej cilēsive të hipokrizisë derisa ta braktisë atë:
– Kur i besohet diçka, tradhton.
– Kur flet, gënjen.
– Kur jep premtim, nuk e mban.
– Kur bën polemikë, e tepron në padrejtësi.”
Transmeton Buhariu në: Libri i besimit, kapitulli 24: Shenjat e munafikut.
38 – Hadithi i Ebu Hurejrës:
Profeti ﷺ ka thënë: “Shenjat e munafikut janë tri:
– Kur flet, gënjen.
– Kur premton, nuk e mban fjalën.
– Kur i besohet diçka, tradhton.”
Transmeton Buhariu në: Libri i besimit, kapitulli 24: Shenjat e munafikut.
(24) Kapitulli: Sqarimi i gjendjes së besimit të atij që i thotë vëllait të tij musliman: “O jobesimtar (kafir)!”
39 – Hadithi i Abdullah ibn Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të:
Profeti ﷺ ka thënë: “Kushdo që i thotë vëllait të tij: O kafir, – atëherë njëri prej tyre e ka marrë atë (fjalë mbi vete).”
📘 Transmeton Buhariu në: Libri i edukatës, kapitulli 73: Kush e quan vëllain e tij kafir pa ndonjë arsye të vlefshme.
Shpjegim i shprehjeve:
“Nuk grabit një plaçkë” d.m.th. nuk merr me dhunë pasurinë e tjetrit.
“Plaçkë e çmuar” që ka vlerë të madhe dhe për të cilën njerëzit ngulin sytë. Kjo tregon se nuk bëhet fjalë për ndonjë gjë të pavlerë.
Marrë nga libri: “Perlat dhe koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Ndikimet e mëkateve
Të Ngjashme
- Kush vdes pa i bërë Allahut ortak askënd, hyn në xhenet Udha e Besimtarëve
- Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhesasen dhe Mesihu Dexhalin Udha e Besimtarëve
- Veprat më të dashura tek Allahu sipas fjalëve të Profetit Udha e Besimtarëve
- Mëkati i atij që merr atësinë e dikujt tjetër Udha e Besimtarëve
- Gradët e ndryshme të ithtarëve të besimit Udha e Besimtarëve