(25) Kapitulli: Sqarimi i gjendjes së besimit të atij që me vetëdije heq dorë nga prindi (babai) i tij.
Hadithi nr. 40: Transmetohet nga Ebu Dherri se ai e ka dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë: “Kush i atribuon vetes një baba tjetër përveç atit të tij ndërkohë që e di të vërtetën, ai ka mohuar. Dhe kush pretendon të ketë prejardhje nga një fis të cilit nuk i përket, le ta përgatitë vendin e tij në zjarr.”
Transmeton Buhariu: Libri i meritave (Kitab el menakib), Kapitulli 5 – “Na tregoi Ebu Meamer…”
Hadithi nr. 41: Hadithi i Ebu Hurejras, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti ﷺ ka thënë:
“Mos hiqni dorë nga etërit tuaj, sepse kush heq dorë nga babai i tij ai ka bërë kufr (blasfemi).”
Transmeton Buhariu: Libri i trashëgimisë (Kitab el feraid), Kapitulli 29: “Kush pretendon të jetë i biri i dikujt tjetër përveç babait të vet.”
42 – Hadithi i Sead ibn Ebi Vekasit dhe Ebu Bekrete. Seadi thotë: E kam dëgjuar Profetin ﷺ duke thënë:
“Kush pretendon (se është bir) i dikujt tjetër përveç babait të vet ndërkohë që e di se nuk është ai, për të është ndaluar Xheneti.”
Këtë ia përmendën Ebu Bekres, e ai tha: Edhe unë e kam dëgjuar me veshët e mi (këtë fjalë) dhe e ka përvetësuar zemra ime nga i Dërguari i Allahut ﷺ.
Transmeton Buhariu: Libri i trashëgimisë, Kapitulli 29: “Kush pretendon të jetë i biri i dikujt tjetër përveç babait të vet.”
(26) Kapitulli: Sqarimi i fjalës së Profetit ﷺ: “Fyerja e muslimanit është mëkat e luftimi i tij është kufr (blasfemi).”
43 – Hadithi i Abdullah ibn Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Profeti ﷺ ka thënë:
“Fyerja e muslimanit është mëkat, e luftimi i tij është kufr (blasfemi).”
Transmeton Buhariu: Libri i besimit (Kitab el iman), Kapitulli 36: “Frika e besimtarit nga mundësia që veprat e tij të shuhen pa e kuptuar.”
(27) Kapitulli: “Mos u ktheni pas meje si jobesimtarë duke qëlluar qafat e njëri-tjetrit.”
44 – Hadithi i Xheririt, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton se në Haxhin e lamtumirës Profeti ﷺ i tha atij: “Bëji njerëzit të heshtin dhe të dëgjojnë! Pastaj tha:
Mos u ktheni pas meje si jobesimtarë duke qëlluar qafat e njëri-tjetrit.”
Transmeton Buhariu: Libri i dijes (Kitab el ilm), Kapitulli 43: “Dëgjimi i dijes me vëmendje.”
45 – Hadithi i Ibn Umerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, nga Profeti ﷺ se ka thënë:
“Mjerë për ju! Mos u ktheni pas meje si jobesimtarë duke goditur qafat e njëri-tjetrit.”
Transmeton Buhariu: Libri i edukatës (Kitab el adab), Kapitulli 95: “Çfarë është transmetuar rreth fjalës që i thuhet tjetrit ‘mjerë për ty’.”
Sqarime gjuhësore dhe fetare:
Shprehja “ka bërë kufr” në këto hadithe nënkupton mohim në aspektin e veprës e jo të besimit, përderisa njeriu nuk mohon parimet themelore të fesë.
“fel jetebevve”: le t’i përgatisë vetes një vend përdoret për atë që merr një vendbanim të caktuar.
“sibabu el muslim”: ta shash muslimanin, ta fyesh apo të flasësh për të me fjalë të ulëta që e lëndojnë.
“fusuk”: është mëkat i madh, dalje nga bindja ndaj së vërtetës dhe nga morali i mirë.
Marrë nga libri: “Perlat dhe Koralet e haditheve në të cilat janë dakortësuar dy imamët” (Buhariu dhe Muslimi)
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Kufri, llojet e mëkateve
Të Ngjashme
- Kush vdes pa i bërë Allahut ortak askënd, hyn në xhenet Udha e Besimtarëve
- Tregimi i Temim ed-Darit për El Xhesasen dhe Mesihu Dexhalin Udha e Besimtarëve
- Veprat më të dashura tek Allahu sipas fjalëve të Profetit Udha e Besimtarëve
- Mëkatet e pakësojnë imanin Udha e Besimtarëve
- Gradët e ndryshme të ithtarëve të besimit Udha e Besimtarëve