Dijetarët reformatorë nuk u shpëtojnë kurrë sulmeve
Të jesh dijetar tradicional është diçka dhe të jesh dijetar reformator është diçka tjetër.
Dijetari tradicional zakonisht nuk cenon interesat e asnjë pale të shoqërisë dhe për pasojë nuk është shënjestër e sulmeve. Ndërsa të jesh dijetarë reformator do të thotë të reformosh tradicionalen e ngurtësuar të cilës me kalimin e kohës mund t’i jenë bashkangjitur një mori gjërash që ia kanë fikur shkëlqimin dhe ia kanë shtrembëruar kuptimin. Ky lloj dijetari e ka të pamundur ti shpëtojë sulmeve sepse misioni i tij prek dhe cenon interesa të shumta. Dikush e sulmon nga zilia, dikush nga fanatizmi, dikush nga servilizmi, dikush për emër e famë dhe dikush e sulmon jo për ndonjë qëllim të keq por ngaqë nuk është dakord me metodologjinë e ndjekur nga reformatori, pra ky i fundit ia njeh meritat dhe vlerat reformatorit por nuk është dakord me metodologjinë e tij. Rasti i fundit është i pranueshëm dhe me vend sepse askush sado i madh qoftë nuk është i pagabueshëm. Andaj ndodh që kritikuesi i sinqertë i reformatorit të ketë të drejtë në disa pika dhe reformatori të ketë të drejtë në disa pika të tjera.
Përgjatë historisë të shumtë ishin reformatorët e mëdhenj që nuk u kursyen nga sulmet politike dhe ideologjike, si: imamët e nderuar Ebu Hanifja, Maliku, Shafiiu, Ahmedi, Buhariu, Ibën Tejmije… dhe në kohën tonë shejh Albani, Allahu i mëshiroftë!
Është drejtësia dhe frika ndaj Zotit ajo që e shpëton njeriun nga përçmimi dhe përdhosja e njerëzve të mëdhenj me të cilët mund të ketë konflikt interesi apo konflikt ideologjik.
Si në rastin e Zejnebes (Allahu qoftë i kënaqur me të) e cila e ruajti veten nga sulmi ndaj Aishes kur u përhapën shpifje ndaj Aishes ndonëse ishte rivale me Aishen. Dhe për këtë Aishja e lavdëroi dhe tha: ” Atë e ruajti Allahu prej devotshmërisë që kishte”
Apo në rastin e Ibën Haxher Askalanit dhe imam Sujutit të cilët ndonëse kishin mospajtime ideologjike me Ibën Tejmijen, e quajtën atë “Shejhul-Islam” një nga titujt më të lartë që mund t’i jepen një dijetari musliman. Ndërkohë që disa të tjerë në kohën e tij, nga mllefi dhe arsye të tjera deklaronin se Ibën Tejmija ishte heretik dhe për këtë e denoncuan dhe u burgos e vdiq në burg. E ndërsa disa akoma dhe sot vazhdojnë ta cilësojnë si të tillë dhe me shprehjen përçmuese “nëse Ibën Tejmije është Shejhul-Islam, mbi Islamin të çojmë selam” orvaten t’ia heqin titullin “Shejhul-Islam” që iu dha nga kolosët të umetit si Dhehebiu, Ibën Haxher Askalani, Sujuti…etj.
Pra sulmi dhe shenjëstrimi i reformatorëve dhe kolosëve të dijes nuk është diçka e re por është shumë e vjetër.
Nga kjo faqebardhë dalin ata që i ruan Zoti falë devotshmërisë dhe drejtësisë që kanë në gjykim.
Allahu i mëshiroftë të gjithë dijetarët e fesë Islame brez pas brezi dhe na bëftë prej atyre që i nderojnë dhe kërkojnë falje dhe mëshirë për ta!
Rexhep Milaqi
Dosje: Dijetarët
Të Ngjashme
- Kur injoranca përplaset me dijen: një përgjigje për sulmet ndaj shejh Albanit Udha e Besimtarëve
- Kur fjala dhe vepra bëhen një – Mësime nga Shejh ibn Uthejmin Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Si i Përgatiste Allahu Profetët për Udhëheqje? Udha e Besimtarëve
- Sa herë është burgosur shejhul islam Ibn Tejmije Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Kush ishte Imam Ahmed ibn Hanbel Emin Bilali