A është e saktë shprehja “Vdiq parakohe”?

August 25, 2025

A është e saktë shprehja “vdiq parakohe” apo shprehje të tjera të ngjashme?

Në gjuhën e përditshme shpesh dëgjojmë njerëz që thonë “vdiq parakohe”, në rast kur dikush vdes në moshë të re apo papritur.

Kjo shprehje nuk është aspak e saktë sepse vdekja nuk ndodh kurrë para apo pas kohës së caktuar.

Jeta dhe vdekja janë të përcaktuara shumë kohë para krijimit të njerëzimit, madje shumë kohë para krijimit të qiejve dhe tokës.

Abdullah bin Amr bin As tregon se Profeti ﷺ ka thënë:

“Allahu ka shkruar përcaktimin e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe tokën, dhe Arshi i Tij ishte mbi ujë.” (Transmeton Muslimi).

Gjithashtu, Imran bin Husajni transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Allahu ishte dhe nuk kishte asgjë përpara Tij; Arshi i Tij ishte mbi ujë dhe Ai shkroi gjithçka në Dhikr (Leuhi Mahfudh, libri ku është shkruar çdo gjë) para se të krijonte qiejt dhe tokën.” (Transmeton Buhariu).

Kjo tregon se Allahu e di gjithçka para se të krijohet, dhe ndër gjërat që Ai i ka shkruar para krijimit të qiejve e tokës është edhe exheli, afati i vdekjes së çdo krijese dhe shkaku i saj.

Allahu i Madhëruar thotë:

﴿وَمَا كَانَ لِنَفْسٍ أَنْ تَمُوتَ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّهِ كِتَابًا مُؤَجَّلًا﴾

“Asnjë shpirt nuk vdes përveçse me lejen e Allahut në një kohë të caktuar.” | Al Imran: 145.

Gjithashtu thotë:

﴿فَإِذَا جَاءَ أَجَلُهُمْ لَا يَسْتَأْخِرُونَ سَاعَةً وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ﴾

“Kur u vjen afati i tyre nuk mund ta shtyjnë as për një çast e as ta përshpejtojnë.” | En-Nahl: 61.

Pra, çdo njeri ka exhelin e tij dhe askush nuk mund ta ndryshojë atë.

Problemi me shprehjen “vdiq parakohe”:

Kur themi vdiq parakohe nënkuptojmë sikur personi duhej të jetonte më gjatë, por iu pre exheli.

Kjo shprehje bie ndesh me besimin në kader (caktimin e Allahut) i cili është një prej gjashtë shtyllave të besimit.

Si e tillë nuk është shprehje e saktë dhe nuk lejohet të përdoret, pasi ajo nënkupton sikur Allahu i Lartësuar ka caktuar një exhel që nuk do të arrihet kurrë, ose nënkupton se Allahu nuk e di se kur do vdesë personi në fjalë, dhe cilado qoftë nga këto dyja përmban mohim të dijes së Allahut!

Fakti që njeriu vdes si pasojë e një shkaku nuk do të thotë se ai ka vdekur para se t’i vinte exheli. Përkundrazi, Allahu i Lartësuar e ka caktuar kohën e vdekjes së secilit dhe shkaqet e saj.

Imam Tahauiu (v. 321H) në librin e tij të akides thotë:

“Allahu i krijoi krijesat me dijen e Tij, ka përcaktuar gjithçka që lidhet me to dhe ka caktuar exhelin e tyre.” (“El akide et-Tahauije” fq. 35).

Ibn Ebu el Izz el Hanefi (v. 792H), duke komentuar fjalët e Imam Tahauit thotë:

“Allahu i Lartësuar ka caktuar exhelin e çdo krijese në mënyrë që askush nuk mund ta vonojë apo ta përshpejtojë vdekjen e tij, qoftë edhe për një çast.

Pra, edhe i vrari vdes sipas exhelit të tij sepse Allahu e ka ditur, e ka caktuar dhe e ka shkruar në Leuhi Mahfudh se ai do vdesë nga një shkak i caktuar: dikush nga sëmundja, dikush nga vrasja, dikush nga shembja, djegia, mbytja etj.

Allahu është Ai që krijoi jetën dhe vdekjen, dhe po ashtu krijoi shkaqet që çojnë në to.”

(“Sherh el akide et-Tahauije” 1/127.)

Shejhul Islam Ibn Tejmije (v. 728H) është pyetur: I vrari a ka vdekur sipas exhelit të tij, apo vrasësi ia shkurton exhelin?

Ai është përgjigjur:

I vrari është si gjithë të vdekurit e tjerë; askush nuk vdes para exhelit të tij dhe askush nuk vonohet pas tij. Madje edhe kafshët e pemët kanë exhelin e tyre të cilit nuk mund t’i paraprijnë e as ta vonojnë.

Exheli i çdo gjëje është fundi i jetës së saj, ndërsa jeta është kohëzgjatja e ekzistencës së saj.

(“Mexhmu el fetaua” 8/516.)

Prandaj as vrasja, as aksidenti apo ndonjë gjë tjetër nuk do të thotë se njeriu vdiq para kohe apo se ia mori jetën njeriu e jo Allahu.

Të gjitha këto shprehje janë të ndaluara rreptësisht dhe muslimanit nuk i lejohet t’i përdorë, pasi që bien ndesh me besimin islam.

 

Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...