A është e vërtetë se shejhul Islam Ibn Tejmije lejon festimin e mevludit?

September 3, 2025

Disa njerëz të cilët nuk e kanë problem të bëjnë lloj-lloj bidatesh, pretendojnë se shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka lejuar festimin e mevludit, megjithëse Ibn Tejmije kurrë nuk ka qenë referencë për ta.

Megjithatë, mendimi i Shejhul Islam Ibn Tejmijes lidhur me mevludin është i qartë, ku shprehet se kremtimi apo festimi i ditëlindjes së Profetit ﷺ është një prej bidateve të shpikura të cilat nuk i ka praktikuar asnjë prej selefëve të parë. Po ashtu të këtij mendimi janë edhe shumë e shumë dijetarë të tjerë, para dhe pas Ibn Tejmijes, Allahu e mëshiroftë.

Ibn Tejmije e ka theksuar këtë bindje në vende të ndryshme në disa prej librave të tij.

Në “Mexhmuul fetaua” 25/298 kur është pyetur në lidhje me kremtimin e mevludit, ai është përgjigjur:

“Sa i përket veçimit të ndonjë feste, përveç atyre që janë të ligjësuara siç janë disa netë të muajit Rebiul-Euel për të cilat thuhet se është nata e lindjes së Profetit ﷺ, ose disa netë të muajit Rexheb, ose më 18 Dhul-Hixhe, ose e premtja e parë e muajit Rexheb, ose më 8 të muajit Sheual, që injorantët e quajnë ‘Festa e të mirëve’, të gjitha këto janë prej bidateve që selefët nuk i kanë pëlqyer dhe nuk i kanë praktikuar.”

Gjithashtu, ai ka sqaruar qartë në librin e tij “Iktidaus siratil mustekim” se kremtimi i mevludit është bidat, ku duke trajtuar gjykimin fetar të shpikjes së festave të reja ai thotë:

“Këtë gjë e bëjnë të krishterët të cilët i kthejnë ngjarjet e ndodhura me Isain alejhi selam në festa, ashtu si edhe hebrenjtë.

Ndërkohë festat janë pjesë e sheriatit, dhe çfarë ka ligjësuar Allahu ndiqet, përndryshe nuk lejohet shpikja në fe.

Të njëjtin gjykim ka edhe ajo që shpikin disa njerëz, qoftë për shkak të imitimit të të krishterëve në festimin e lindjes së Isait alejhi selam, apo qoftë nga dashuria dhe madhërimi për Profetin ﷺ.

Po, Allahu mund t’i shpërblejë ata për dashurinë dhe përpjekjen e tyre, por jo për bidatin e kremtimit të ditëlindjes së Profetit ﷺ si festë.

Megjithëse njerëzit nuk janë të një mendimi për datën e lindjes së Profetit ﷺ, selefët nuk e kanë praktikuar mevludin edhe pse shkaku për ta vepruar ekzistonte dhe nuk kishte asnjë pengesë.

Po të ishte kremtimi i mevludit vepër e mirë – qoftë e mirë absolute apo e mirë në përgjithësi – atëherë selefët do ishin më të denjë për të sesa ne. Ata e kanë dashur dhe e kanë madhëruar më shumë se ne të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe ishin më të zellshëm në kryerjen e veprave të mira.”

(“Iktidaus siratil mustekim 2/123”.)

Duke parë këto tekste dallohet qartë se nuk ka kundërshtim mes fjalëve të Shejhul Islam Ibn Tejmijes, i cili shprehet qartë se festimi i ditëlindjes së Profetit ﷺ është bidat dhe shpikje në fe.

Ndërsa shpërblimi që një person mund të marrë për shkak të sinqeritetit dhe përpjekjes së tij është çështje tjetër. Kjo mund të thuhet për çdo musliman që gabon nga injoranca apo keqinterpretimi, madje edhe kur bie në bidat duke menduar se po kryen vepra të mira.

Shejh Ibn Uthejmini (v. 1421 H) e sqaron këtë duke thënë:

“Bidati është i keq edhe nëse qëllimi i atij që e vepron është i mirë.

Nëse ai e di se është bidat merr gjynah edhe pse ka pasur qëllim të mirë sepse ka hyrë me vetëdije në një gjynah, njësoj si ai që e lejon gënjeshtrën apo mashtrimin duke pretenduar se janë për dobi.

Ndërsa nëse është i paditur nuk merr gjynah, sepse njeriut nuk i shkruhet gjynahu veçse kur e bën me vetëdije, madje mund të shpërblehet për qëllimin e tij të mirë.

Këtë çështje e ka sqaruar Shejhul Islam Ibn Tejmije në librin e tij “Iktidaus siratil mustekim”, duke u shprehur se shpërblimi i jepet për qëllimin e mirë e jo për veprën; sepse vepra nuk është e drejtë, nuk pranohet tek Allahu dhe nuk është e pëlqyer, por për shkak të qëllimit të mirë dhe paditurisë, ai ka shpërblim.”

 

Marrë nga libri: “El kaulul mufid” 1/385.

Përmbledhje nga dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...