Prej veprave të pëlqyera gjatë eklipsit

• September 7, 2025

Gjatë eklipsit (të diellit apo të hënës) preferohet që të veprohet sipas asaj që ka ardhur nga Profeti ﷺ, ku prej këtyre veprave është:

1. Namazi i eklipsit.

Muslimani fal një namaz të veçantë që quhet namazi i eklipsit.

Ky namaz ndryshon disi nga namazet e tjera; ai përmban dy rekate ku çdo rekat ka dy qëndrime në këmbë (kijam), dy ruku dhe dy sexhde.

E fillon namazin si zakonisht, lexon Fatihanë dhe një sure, më pas bie në ruku, ngrihet nga rukuja duke thënë: “SemiAllahu limen hamideh”, e më pas thotë: “Rabbena ue lekel hamd” – si zakonisht. Më pas nuk bie në sexhde por lexon përsëri Fatihanë dhe një sure tjetër, e më pas bie në ruku për së dyti, ngrihet nga rukuja, e pastaj bën dy sexhde si zakonisht.

Edhe në rekatin e dytë vepron të njëjtën gjë, me dy qëndrime në këmbë (kijam) dhe dy ruku.

Pra, brenda dy rekateve ka katër ruku dhe katër sexhde.

Leximi në këtë namaz është i gjatë; recitohen sure të gjata, dhe po ashtu edhe rukuja dhe sexhdja.

Prej sunetit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është që këndimi i Kuranit herën e parë të jetë më i gjatë se i dyti, dhe kështu veprohet në të dyja rekatet.

2. Duaja dhe istigfari (kërkimi falje).

Muslimani lutet shumë, kërkon falje dhe bën istigfar gjatë eklipsit.

Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Kur të shihni diçka prej këtyre shenjave (eklipsin), atëherë nxitoni të faleni dhe të bëni dua.” (Buhariu dhe Muslimi).

3. Sadakaja dhe bamirësia.

Është e preferuar që muslimani të jap sadaka dhe të bëjë vepra të mira gjatë këtij momenti.

4. Përkujtimi i Allahut dhe frika prej Tij.

Eklipsi është prej shenjave madhështore të Allahut prandaj muslimani e përjeton me frikë, përulje dhe kujdes që të mos e kalojë si një dukuri thjesht astronomike.

Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Dielli dhe hëna janë dy shenja prej shenjave të Allahut dhe ato nuk eklipsohen për vdekjen ose jetën e dikujt. Kur t’i shihni faluni, bëni dua, përmendeni Allahun dhe jepni sadaka.” (Buhariu dhe Muslimi).

Preferohet që imami të mbajë një këshillë pas namazit të eklipsit sikurse tregon hadithi i mësipërm.

Pra, muslimani gjatë eklipsit fal namazin e posaçëm të eklipsit, bën dua, istigfar, jep sadaka dhe e kujton Allahun me frikë e përulje.

Nëse namazi mbaron para përfundimit të eklipsit, muslimani vazhdon të bëj dua e dhikr e nuk fillon namaz eklipsi tjetër.

E nëse eklipsi përfundon ndërkohë që namazi nuk ka mbaruar, e vazhdon namazin deri sa të jap selam dhe nuk e ndërpret atë.

*Më e mira është që namazi i eklipsit të falet me xhemat në xhami sikurse është suneti, dhe lejohet të falet edhe vetëm apo të falet me pjestarët e familjes në shtëpi.

Dosje:

Loading...