Lindja e profetit Muhamed

September 16, 2025

Lindja e profetit Muhamed, biri i Abdullahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të:

Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lindi 53 vjet para hixhretit, që korrespondon me vitin 571 sipas kalendarit gregorian.

Vendlindja dhe data e lindjes:

Dijetarët e biografisë dhe të historisë kanë pasur mendime të ndryshme në lidhje me datën dhe muajin e lindjes së tij, por ishin të njëzëri se ai lindi ditën e hënë në vitin e elefantit. Ibën Kajimi thotë: “Nuk ka dilemë rreth çështjes se ai lindi në zemër të Mekës dhe se lindja e tij ndodhi në vitin e elefantit.” “Zadul mead” 1/76.

Nga Ibën Abasi transmetohet se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lindi në vitin e elefantit.” Transmeton Bezari në “Keshf el estar” dhe Hakimi në “Mustedrek” me zinxhir të mirë, gjë për të cilën nuk ka dilemë në mesin e dijetarëve. Halife ibën Hajati, Ibën Xhezari, Ibën Dihje dhe Ibën Xheuzi kanë përcjellë konsensusin e dijetarëve mbi këtë çështje. “Subulul Huda uer-rashad” 1/334-335.

Sa i përket lindjes në ditën e hënë, transmetohet nga Ebu Katade el-Ensari se ka thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u pyet për agjërimin e ditës së hënë, dhe tha: Ajo është dita kur u linda, dhe dita kur u shpalla pejgamber (ose dita kur më zbriti shpallja).” (Muslimi 1162)

Ibën Kethiri ka cituar disa mendime të ndryshme mbi muajin dhe datën e lindjes, dhe ka thënë: “Nuk ia ka qëlluar, madje ka gabuar kush ka thënë se ai ka lindur ditën e xhuma më 17 të muajit Rebiul-evvel.” Më pas ai konkuludon se mendimi i shumicës është se ka lindur më dymbëdhjetë të muajit Rabiul Evvel. “El bidajeh uen nihajeh 3/373”.

Megjithatë, asnjëri nga mendimet që përcillen në këtë temë nuk mbështetet mbi një tekst të saktë apo në konsensus të dijetarëve.

Pika në të cilën kanë pasur mospajtim dijetarët është përcaktimi i saktë i muajit dhe datës së lindjes, ndërsa për lindjen e tij në ditën e hënë nuk ka asnjë dilemë midis tyre për shkak të tekstit të saktë që e kemi përmendur më lart.

Drita që pa e ëma kur ngeli shtatëzënë me të.

Ibn Is’haku përcjell nga disa shokë të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se i thanë: “O i Dërguar i Allahut, na trego për veten tënde. Ai tha: Unë jam përgjigja e lutjes së babait tim Ibrahimit, dhe sihariqi i (vëllait tim) Isait. Ime më kur mbeti shtatzanë me mua pa një dritë që doli prej saj dhe ndriçoi pallatet e Shamit.” (Hakimi në “Mustedrek” 2/600, dhe Bejhekiu në “Delail en nubuvveh” 1/83 me zinxhir të mirë.)

Vdekja e të atit para se ai të lindte.

Sipas të gjithë historianëve, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lindi pasi pati ndërruar jetë babai i tij Abdullahu. Nëna e tij ishte shtatzënë me të kur i ati u nda nga kjo jetë, kështu që ai u rrit jetim. Ai lindi në shtëpinë e Ebu Talibit, në lagjen e Beni Hashimëve.

Ngjarja e hapjes së kraharorit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në fëmijëri.

Kjo ngjarje ndodhi 49 vite para hixhretit, gjegjësisht në kohën kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte katër vjeç, që korrespondon me vitin 575 të kalendarit gregorian.

Nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmetohet se ka thënë: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndërsa ishte duke luajtur me fëmijët, i erdhi Xhibrili e kapi dhe e shtriu për toke. Ia hapi gjoksin, nxorri zemrën dhe prej saj nxorri një copë gjaku të trashë, dhe tha: Kjo është pjesa e shejtanit tek ti. Pasi e lau zemrën në një enë prej ari me ujë Zemzemi, e ngjiti dhe e lidhi përsëri dhe e vendosi në vendin e vet. Ndërkohë fëmijët shkuan me të shpejtë tek nëna e tij, d.m.th. tek mëndesha (dadoja) e tij, dhe i thanë: Muhamedin e kanë vrarë! Ajo bashkë me fëmijët i dolën para, dhe kur e takuan e panë me fytyrë të zverdhur. Enesi thoshte: E kam pas parë shenjën e qepjes në kraharorin e tij. (Muslimi 161, dhe Ahmedi 12221, 12506, 14069.)

Vijon…

 

Marrë nga libri: “Ed durar es senije”

Përktheu dhe përshtati: Rexhep Milaqi

Dosje: ,

Loading...