Shqiptimi i tekbirit fillestar para imamit

September 22, 2025

Një prej gabimeve fatale që lidhen me namazin me xhemat është shqiptimi i tekbirit të ihramit (tekbirit fillestar që thuhet në fillim të namazit) para imamit, qoftë kjo duke e filluar para imamit apo duke e përfunduar para se imami ta përfundojë tekbirin e tij.

Ky gabim e bën namazin të pavlefshëm, dhe kjo në mënyrë të përgjithshme është me dakortësinë e katër medhhebeve të njohura.

Edhe imamët duhet të bëjnë kujdes, sidomos ata të cilët e zgjasin disi tekbirin e parë duhet të kenë parasysh që disa nga xhemati e përfundojnë tekbirin para imamit, e si pasojë lidhen në namaz para tij ç’ka e bën namazin të pavlefshëm.

Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë

“Imami është vendosur që të ndiqet, prandaj kur ai thotë tekbirin (Allahu Ekber) edhe ju thoni tekbirin, kur ai bie në ruku edhe ju bini në ruku, kur ai thotë ‘Semi’allahu limen hamideh’ , ju thoni: ‘Allahumme, Rabbena lekel hamd’. Kur ai falet në këmbë faluni edhe ju në këmbë, e kur ai falet ulur atëherë faluni edhe ju të gjithë ulur.”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Në hadith sqarohet se veprimet e personit që falet pas imamit duhet të jenë pasi që imami i mbaron ato, pra; tekbiri i tij pas tekbirit të imamit, rënia e tij në ruku pasi imami të ketë rënë në ruku, dhe kështu me radhë.

Dijetari i madh Neueuiu (676 H) thotë:

Fjala e Profetit ﷺ: “Kur ai (imami) thotë ‘Allahu Ekber’ edhe ju thoni ‘Allahu Ekber’.”

Në këtë hadith ka urdhër për ata që falen pas imamit që ta thonë tekbirin pas tekbirit të imamit, dhe në këtë urdhër përfshihen dy çështje

– Çështja e parë: Ai që falet pas imamit nuk duhet ta thotë tekbirin as para imamit e as bashkë me të, por vetëm pas tij.

E nëse ai e nis tekbirin e ihramit duke synuar të ndjekë imamin, ndërkohë që imamit i ka mbetur ende një shkronjë për ta përfunduar, atëherë tekbiri i tij nuk është i vlefshëm pa asnjë kundërshtim.

Arsyeja është se ai ka bërë nijet të falet pas një imami ndërkohë që ky ende nuk është bërë imam, por që do të bëhet imam vetëm pasi të përfundojë tekbirin.

– Çështja e dytë: Është e pëlqyeshme që tekbiri i atij që falet pas imamit të bëhet menjëherë pas tekbirit të imamit pa vonesë.

E nëse vonohet, është i vlefshëm gjithsesi, vetëm se i humbet forma më e plotë që është bërja e tekbirit direkt pas imamit.

“Shpjegimi i Sahihut të imam Muslimit” (4/120).

E njëjta gjë sipas shumë dijetarëve vlen edhe per atë i cili e thotë tekbirin fillestar njëkohësisht me imamin, pra pa pritur që imami ta përfundojë plotësisht tekbirin.

Shejh Ibn Uthejmini (1441 H) thotë:

Ai që e bën tekbirin fillestar para imamit, namazi i tij nuk është i vlefshëm edhe nëse e ka bërë nga pakujdesia apo harresa, pra namazi i tij nuk është i vlefshëm dhe duhet ta përsërisë.”

“Sherh Rijad es Salihin” 6/502.

Prandaj, është shumë e domosdoshme për muslimanin t’i mësojë rregullat e namazit dhe të dijë si të veprojë në çdo situatë.

Nëse ai hyn në namaz para imamit, qoftë duke e thënë tekbirin para tij ose duke e përfunduar para se imami ta mbarojë, atëherë tekbiri i tij është i pavlefshëm dhe ai duhet ta përsërisë tekbirin në mënyrë që të lidhet në namaz pas imamit.

 

Dr. Fatmir Strumi

Dosje: ,

Loading...