A do jenë fëmijët e jobesimtarëve të gjithë në xhenet? 

September 23, 2025

Shejhul Islam Ibn Tejmije thotë:

Sa i përket fëmijëve të jobesimtarëve, mendimi më i saktë rreth tyre është se Allahu e di më së miri se çfarë do kishin bërë.

Ashtu siç është përgjigjur edhe i Dërguari ﷺ në hadithin e saktë.

Një grup dijetarësh nga ehlul hadithi (dijetarët e hadithit) dhe të tjerë kanë thënë: “Ata të gjithë janë në zjarr.” Është thënë se ky është mendimi i Imam Ahmedit, por artibuimi i këtij mendimi ndaj tij është i gabuar.

Një grup tjetër janë shprehur prerazi se ata janë të gjithë në xhenet, dhe këtë e ka përzgjedhur Ebul Ferexh Ibn el Xheuzi dhe të tjerë. Ata janë argumentuar me hadithin ku Profeti ﷺ pa në ëndërr Ibrahimin alejhi selam pranë të cilit ishin fëmijët e besimtarëve. Dikush tha: “O i Dërguar i Allahut, po fëmijët e jobesimtarëve? Ai tha: Edhe fëmijët e jobesimtarëve.”

Mirëpo, më e saktë është të thuhet: Allahu e di më së miri çfarë do kishin bërë, dhe ne nuk mund të gjykojmë për ndonjë prej tyre në mënyrë të veçantë se është në xhenet ose në zjarr.

Ka ardhur në disa hadithe se në Ditën e Kiametit, në sheshin e tubimit, ata do urdhërohen dhe do të ndalohen; kush i bindet urdhrit hyn në xhenet, e kush kundërshton hyn në zjarr. Ky është mendimi që e ka transmetuar Ebul Hasan el Eshariu nga Ehlus-Sunneh uel-Xhema‘a. Ngarkimi me përgjegjësi përfundon vetëm me hyrjen në shtëpinë e shpërblimit, që është xheneti ose zjarri.

Ndërsa në sheshin e Kijametit ata do të sprovohen ashtu siç sprovohen në Berzah, kur t’i thuhet ndonjërit: “Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është profeti yt?”

Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿يَوْمَ يُكْشَفُ عَنْ سَاقٍ وَيُدْعَوْنَ إِلَى السُّجُودِ فَلَا يَسْتَطِيعُونَ﴾

“Ditën (e Kiametit) kur të zbulohen shumë ngjarje të frikshme ata do të thirren që të përulen në sexhde, por nuk do të munden!”
| El Kalem: 42.

Në disa hadithe të sakta në Sahihët, në shumë rrugë transmetimi tregohet hadithi i shfaqjes së Allahut për robërit e Tij në vendtubim, kur të thuhet: “Le të ndjekë çdo popull atë që adhuronte.” Atëherë idhujtarët ndjekin idhujt e tyre, dhe mbeten besimtarët. Pastaj Zoti u shfaqet atyre në një formë tjetër nga ajo që e njihnin, dhe ata e mohojnë; më pas u shfaqet në formën që e njihnin dhe ata bien në sexhde për Të. Ndërsa shpinat e hipokritëve ngurtësohen si brirët e lopëve, ata duan të bëjnë sexhde por nuk munden. Dhe këtu përmendet fjala e Allahut:

﴿يَوْمَ يُكْشَفُ عَنْ سَاقٍ وَيُدْعَوْنَ إِلَى السُّجُودِ فَلَا يَسْتَطِيعُونَ﴾

“Ditën (e Kiametit) kur të zbulohen shumë ngjarje të frikshme, ata do thirren që të përulen në sexhde, por nuk do të munden!”

Këto çështje janë të shpjeguara gjerësisht në vende të tjera. Allahu e di më së miri!

 

Marrë nga libri: “Mexhmu el fetaua” 4/303, 304.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...