Si bëhet tekbiri fillestar kur imami është në ruku?

September 25, 2025

Prej gabimeve fatale të namazit me xhemat kur një person arrin vonë dhe e gjen imamin në ruku, është shqiptimi i tekbirit të ihramit (tekbirit fillestar që thuhet në fillim të namazit) duke qenë ulur në ruku, ose gjatë uljes per në ruku, ose e fillon tekbirin në këmbë dhe ulet për në ruku pa e përfunduar tekbirin plotësisht në këmbë.

Kjo bie ndesh me fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Kur të ngrihesh për në namaz, bëj tekbir.”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)

Për saktësinë e namazit tekbiri fillestar duhet thënë duke qëndruar në këmbë, e jo në ruku apo gjatë zbritjes për në ruku.

Shumë dijetarë e kanë sqaruar këtë çështje qartë, dhe më poshtë po përmendim fjalët e disave prej tyre:

– Imam Ahmed bin Hanbel (241 H) është pyetur për atë që e gjen imamin në ruku: A i mjafton një tekbir?

Ai u përgjigj:

Po, nëse bëhet me nijetin e tekbirit fillestar. Ky është mendimi i Ibn Umerit dhe Zejd bin Thabit.

(“Mesial Ibn Hani” 230.)

– Ibn AbdulBerr (463 H), dijetar maliki, thotë:

“Nëse dikush gjatë tekbirit të ihramit fillon të ulet për në ruku dhe nuk e plotëson tekbirin duke qëndruar në këmbë, duhet të dalë nga namazi duke dhënë selam dhe të fillojë përsëri tekbirin e ihramit. Po ashtu, ai që e thotë tekbirin e ihramit duke qenë në ruku, tekbiri i tij nuk është i vlefshëm derisa ta thotë në këmbë.”

(“El Istidhkar” 1/422.)

– Ibn Kudame (620 H), dijetar hanbeli, thotë:

“Ai që vjen pasi imami ka filluar namazin duhet të bëjë tekbirin duke qenë në këmbë.

Nëse e bën tekbirin gjatë rënies në ruku, plotësisht ose pjesërisht, tekbiri i tij është i pavlefshëm sepse është jashtë vendit të duhur.”

(“El Mugni” 2/182.)

– Neueuiu (676 H), dijetar shafi, thotë:

“Është vaxhib që tekbiri i ihramit të bëhet duke qëndruar në këmbë. Edhe ai që e gjen imamin në ruku duhet ta bëjë tekbirin e ihramit plotësisht në këmbë.

Nëse pjesërisht nuk qëndron në këmbë, namazi i tij farz nuk është i vlefshëm pa asnjë kundërshtim.”

– Ali el Karriu (1014 H), dijetar hanefi, thotë:

“Nëse dikush e bën tekbirin duke u përkulur për në ruku siç bëjnë të paditurit nga nxitimi, namazi i tij nuk është i vlefshëm. Qëndrimi në këmbë është kusht për tekbirin e ihramit. Nëse tekbiri i ihramit bëhet në këmbë dhe tekbiri i rukusë gjatë rënies në ruku humbet ose lihet pa thënë, namazi është i vlefshëm por me mospëlqim (mekruh).”

(“Fusul muhimeh” fq. 79. Shiko librin “El kaulul mubin fi ehtail musalin” fq. 256.)

– Shejh Ibn Bazi (1420 H) ka thënë:

Pyetjes: “Nëse dikush e gjen imamin në ruku, a duhet të bëjë tekbirin e ihramit si dhe tekbirin e rukusë, apo të bëjë vetëm një tekbir dhe të ulet në ruku?

Ai u përgjigj: Më parësore dhe më e sigurt është të bëjë dy tekbire.

Tekbiri i parë: Tekbiri i ihramit që është shtyllë dhe patjetër duhet bërë duke qenë në këmbë.

Dhe i dyti: Tekbiri i rukusë që e bën gjatë rënies për në ruku. Nëse druhet se mund t’i iki rekati, atëherë mjafton vetëm tekbiri i ihramit sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, sepse janë dy adhurime që janë bashkuar në një kohë të vetme kështu që i madhi mjafton për të voglin. Ky rekat konsiderohet i vlefshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve.”

(“Mexhmuu fetaua ue mekalat” i Ibn Bazit 11/244.)

Fjalët e mësipërme tregojnë se tekbiri i ihramit është nga shtyllat e namazit dhe duhet kryer vetëm duke qëndruar në këmbë.

Prandaj duhet kujdes i madh kur dikush e arrin imamin në ruku, ngase nxitimi për të kapur rekatin mund të bëjë që tekbiri i ihramit të bëhet gabim dhe si pasojë i gjithë namazi të jetë i pavlefshëm.

Kujdesi dhe përkushtimi në adhurime është dëshmi e sinqeritetit dhe nënshtrimit ndaj Allahut.

Sikurse thotë Allahu i Lartësuar:

{وَمَن يُعَظِّمۡ شَعَٰٓئِرَ ٱللَّهِ فَإِنَّهَا مِن تَقۡوَى ٱلۡقُلُوبِ}

“Kush madhëron shenjat (dispozitat) e fesë së Allahut, tregon përkushtimin (devotshmërinë) e zemrës së tij.” | El Haxh: 32.

Lusim Allahun të na bëjë prej atyre që e falin namazin me përkushtim dhe kujdes, dhe prej atyre që i madhërojnë dispozitat e Tij!

 

Dr. Fatmir Strumi

Dosje: ,

Loading...