La ilahe il-lAllah – garancia e shpëtimit

October 2, 2025

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kush thotë: ‘La ilahe il-lAllah (Nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut’, ajo do t’i bëjë dobi një ditë prej ditëve, edhe nëse para saj e godet ajo që e godet.”

📌 E transmeton Bezari me nr. 8292, dhe Taberani në “El mu‘xhem el evsat” me nr. 6396. Hadithin e ka saktësuar edhe shejh Albani në “Sahihu et-targib” 1525.

💎💎💎

Shpjegimi:

Dëshmia e teuhidit (La ilahe il-lAllah) ka një vlerë madhështore tek Allahu, ajo është shkaku i shpëtimit nga përjetësimi në zjarr. Por besimtari duhet të jetë i kujdesshëm në kryerjen e detyrimeve të kësaj fjale madhore.

Në këtë hadith, Profeti ﷺ thotë: “Kush thotë ‘La ilahe il-lAllah”, e thotë me gjuhë dhe e beson me zemër se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, duke e bashkuar këtë me dëshminë se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Allahut.

Fjala e tij ﷺ: “Do t’i bëjë dobi një ditë prej ditëve”, ka për qëllim se ajo fjalë do t’i bëjë dobi në ditën e Kiametit duke e shpëtuar nga përjetësimi në zjarr.

Ndërsa fjala: “Edhe nëse para saj e godet ajo që e godet”, nënkupton se mund të hyjë në zjarr dhe të ndëshkohet për shkak të mëkateve të mëdha apo gjynaheve që ka kryer. Mirëpo, përfundimisht ai do të dalë prej zjarrit dhe do të hyjë në xhenet, sepse kur e ka shqiptuar me sinqeritet këtë dëshmi të teuhidit Allahu i ka dhënë zemrës së tij një dritë me të cilën e ka gjallëruar atë, e kjo dritë e ka pastruar trupin e tij. Në ditën e gjykimit kjo fjalë do t’i bëjë dobi.

Dobitë e hadithit:

1- Në këtë hadith ka një nxitje të qartë për të ruajtur dhe depozituar fjalën e teuhidit për Ditën e Kiametit.

2- Hadithi tregon se ithtarët e teuhidit nuk do të përjetësohen në zjarr.

 

Marrë nga libri: “Ed-durar es-senijjeh”.

Dosje:

Loading...