Ofensiva e mongolëve në territoret muslimane

October 11, 2025

Ofensiva e mongolëve në territoret muslimane konsiderohet si fatkeqësia më e rëndë që i ka ndodhur ndonjëherë këtij ymeti deri më tani.

Historiani i njohur Ibn Ethir i cili ka jetuar në shek. XIII, na e përshkruan këtë tragjedi të cilën e ka përjetuar personalisht.

Ai thotë: “Hyri viti 617 h dhe mongolët mësynë vendet islame.

Kam qëndruar disa vite me radhë duke mos e përmendur kurrë këtë ndodhi për shkak se ka qënë tepër e rëndë. Sa herë kam tentuar ta përshkuaj (nëpër libra), vetëm se jam stepur. Cili do ishte ai ta kishte aq të lehtë ta përmendte e ta shkruante atë që përjetuan muslimanët?!

Ah sa do dëshiroja që imë mos më kishte lindur në atë kohë, e të kisha ndërruar jetë dhe mos ta kisha përjetuar atë tragjedi!

Disa miq këmbëngulën dhe më kërkuan t’i përmend ato ndodhi në një shkrim…

Sikur dikush ta përshkruajë këtë ndodhi duke thënë se: që nga fillimi i krijimit të Ademit e deri më tani s’ka ndodhur ndonjë fatkeqësi me përmasa kaq të mëdha, do kishte pasur të drejtë.

Të gjitha ndodhitë e mëparshme as që i afrohen kësaj (që po përmend), e jo më të jenë të njëjta.

Ndodhia më e rëndë që historia ka regjistruar ndonjëherë ka qënë ajo e Buhtunasarit, i cili masakroi Beni Israilët dhe shkatërroi plotësisht Bejtul Makdis (Jeruzalemin). Por ajo që i ndodhi çdo qyteti dhe krahine për shkak të mongolëve, konsiderohet si tragjedi shumëfish e asaj që i ndodhi Jeruzalemit.

Mbase brezat e mëvonshëm nuk do kenë mundësinë të përjetojnë të njëjtën katastrofë të ndodhur nga mongolët deri në fundin e kësaj jete në tokë, përveç asaj të Je’xhuxh Ma’xhuxhëve.

Të paktën Dexhali do lërë të gjallë vetëm ata të cilët e pasojnë dhe do asgjesojë kundërshtarët e tij.

Ndërsa këta (mongolë) nuk falën askënd; vranë gra, burra, fëmijë, barqet e shtatzënave i therën dhe vranë edhe fetuset.

 

Autor: Ibn Ethir

Marrë nga libri: “El kamil fi terijh”, vëll. 10, fq. 334.

Përshtati: Edison Duka

Dosje: ,

Loading...