El-Haxhaxh ibn Al-lat (radijAllahu anhu)
Emri dhe prejardhja: Ai quhej El-Haxhaxh ibn Al-lat es-Sulemi.
Islami dhe vdekja e tij:
Ai e përqafoi Islamin në vitin e betejës së Hajberit, dhe ndërroi jetë në fillimin e kalifatit të Omer ibn el-Hattabit (radijAllahu anhu).
Vendbanimi dhe qëndrimi:
Fillimisht banoi në Medinë, më pas u shpërngul në Sham dhe u vendos në qytetin e Himsit (në Siri).
Gjendja e tij para Islamit:
Në kohën e injorancës (xhahilijes), ai ishte një tregtar i pasur dhe merrej me nxjerrjen e arit nga minierat e fisit Beni Sulejm.
Gjendja e tij pas pranimit të Islamit:
Ai ishte i pari që i dërgoi të Dërguarit të Allahut ﷺ zekatin e nxjerrë nga minierat e Beni Sulejmit.
Kur drita e besimit hyri në zemrën e këtij sahabiu, koprracia që zakonisht e shoqëron poseduesin e pasurisë u largua prej tij; dhe me zemër të qetë e të bindur, dërgoi pasurinë e tij si sadaka për hir të Allahut.
Sepse kështu vepron imani kur gjen vend në zemër – shuan lakminë dhe ngjall bujarinë.
Vlerësimi i Omerit (radhijAllahu anhu):
Kalifi Omer ibn el-Hattab – Allahu qoftë i kënaqur me të – u shkroi udhëheqësve të provincave, duke u kërkuar që t’i dërgonin nga çdo qytet një burrë prej më të mirëve të tyre.
Ata i dërguan katër burra nga Basra, Kufa, Shami dhe Egjipti, dhe të katërtit ishin nga fisi Beni Sulejm:
El-Haxhaxh ibn Al-lat, Zejd ibn el-Ahnes, Mexhashi‘ ibn Mes‘ud, Ebu el-Eur.
Kështu, El-Haxhaxh ibn Al-lat ishte një prej këtyre katër burrave të zgjedhur, për të cilët u dëshmua nga njerëzit e krahinave të tyre se ishin prej më të devotshmëve dhe më të drejtëve.
📘 Burimi: Biografitë e sahabëve – transmetimet klasike islame.
Zgjuarsia e El-Haxhaxh ibn Al-atit dhe mënyra se si i mashtroi kurejshitët për të shpëtuar pasurinë e tij
Kur u realizua fitorja e muslimanëve në Hajber, dhe El-Haxhaxh ibn Al-lat tashmë ishte bërë mysliman, ai kishte frikë se mos kurejshët në Mekë merrnin vesh për përqafimin e tij të Islamit dhe si pasojë i konfiskonin pasurinë, e cila ndodhej e shpërndarë ndër tregtarët mekas.
Prandaj ai kërkoi leje nga i Dërguari i Allahut ﷺ që të udhëtonte për në Mekë, me qëllim që të shpëtonte pasurinë e tij përpara se të binte në duart e kurejshitëve.
Profeti ﷺ ia dha lejen dhe e kuptoi se ai do të kishte nevojë të përdorte një mënyrë të mençur për t’i mashtruar ata, duke u thënë diçka ndryshe nga realiteti.
Kështu që El-Haxhaxhi i tha Profetit ﷺ: “O i Dërguar i Allahut, do të kem nevojë të them diçka që nuk është e vërtetë.” Profeti ﷺ i tha: “Thuaje.”
Mashtrimi i zgjuar ndaj kurejshëve:
Kur mbërriti në Mekë, kurejshët e pyetën për të Dërguarin e Allahut ﷺ dhe për shokët e tij. Ai u tha:
“Ata pësuan disfatën më të rëndë, shumë prej tyre u vranë dhe vetë Muhamedi është kapur rob. Banorët e Hajberit thanë se nuk do ta vrisnin derisa ta dërgojnë te ju në Mekë, që ju vetë ta ekzekutoni për hakmarrje ndaj burrave tuaj që janë vrarë prej tij.”
Kështu kurejshitët i besuan plotësisht fjalët e tij. Atëherë El-Haxhaxh u tha: “Dua të shkoj shpejt në Hajber përpara se të arrijnë tregtarët e tjerë atje, që të blej mallra të lirë.”
Kështu ata e ndihmuan të mblidhte pasurinë e tij dhe ai shpëtoi me të, ndërsa ata ranë në grackën e mashtrimit të tij të mençur.
Lajmi i vërtetë qëndroi tek Abbasi:
Para se të largohej nga Mekka, ai u takua me Abbasin (xhaxhain e Profetit ﷺ), i cili e pyeti për të vërtetën e asaj që kishte ndodhur.
El-Haxhaxhi i tregoi atij lajmin e vërtetë për fitoren e muslimanëve në Hajber, por i kërkoi që ta mbante sekret për tre ditë, deri sa ai të largohej nga Mekka.
Pas tri ditësh, Abbasi veshi rrobat e tij më të mira dhe bëri tavaf rreth Qabes. Kur e panë kurejshitët të veshur bukur, ata thanë: “Pasha Allahun, si po tregohet kam i fortë pas kësaj fatkeqësie!”
Duke menduar se ai po përpiqej të fshehte dhimbjen për lajmin e keq që kishte sjellë El-Haxhaxhi.
Por Abbasi ua zbuloi të vërtetën dhe u tha: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka fituar në Hajber, është martuar me vajzën e mbretit të tyre dhe El-Haxhaxhi u mori pasurinë tuaj për t’iu bashkuar atij!”
Kështu zemrat e kurejshitëve u mbushën me dëshpërim dhe mllef të thellë, kur e kuptuan se ishin mashtruar plotësisht.
Imam Ibn Abdul-Berr ka thënë për këtë rrëfim: “Ky hadith është i saktë, dhe është transmetuar nga Thabit el-Bunani dhe të tjerë nga Enes ibn Malik; e kanë transmetuar gjithashtu Imam Ahmedi dhe një numër i madh dijetarësh.”
📚 Burimi: el-Istī‘āb dhe el-Istidhker i Ibn Abdul-Berrit.
Shembulli (El-Usveh):
Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, ju keni në të Dërguarin e Allahut shembullin më të mirë.” (Kur’an, el-Ahzab: 21)
I Dërguari i Allahut ﷺ i dha leje El-Haxhaxh ibn Al-latit që të thoshte diçka ndryshe nga realiteti, dhe madje të fliste për Profetin ﷺ sikur ai të ishte mposhtur ose marrë rob, por kjo nuk llogaritej gënjeshtër e ndaluar, sepse ishte brenda kufijve të lejuar të mashtrimit në kohë lufte.
Ky veprim kishte për qëllim:
– të shpëtonte pasurinë e El-Haxhaxhit nga duart e kurejshitëve, që të mos e përdornin për t’u forcuar kundër muslimanëve;
– t’u fuste atyre zemërim dhe dëshpërim në zemra;
– dhe t’u dobësonte moralin dhe forcën shpirtërore.
Kështu, kjo ngjarje u bë një ligj i përgjithshëm (sheriatik) dhe një rregull i përhershëm për raste të ngjashme, të përcaktuar me masën dhe qëllimin e drejtë, siç e bëri dhe e miratoi vetë i Dërguari i Allahut ﷺ.
Mësim:
Ky shembull tregon se mashtrimi në luftë është i lejuar, kur qëllimi është mbrojtja e së drejtës dhe dobësimi i armikut, dhe se veprimet e Profetit ﷺ janë udhëzim dhe shembull praktik për umetin në çdo kohë dhe rrethanë.
“Historitë e Burrave të selefëve” fq 48-50.
Abdul Hamid Ibn Badis (Allahu e mëshiroftë).
Përshtati: Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Disa fragmente nga jeta e shejh Abdul Aziz Al Sheih Udha e Besimtarëve
- Dijetarët reformatorë nuk u shpëtojnë kurrë sulmeve Udha e Besimtarëve
- Kur injoranca përplaset me dijen; përgjigje për sulmet ndaj shejh Albanit Udha e Besimtarëve
- Kur fjala dhe vepra bëhen një Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Si i përgatiste Allahu Profetët për udhëheqje Udha e Besimtarëve