Hadithi i pesë veçorive që e dallojnë të Dërguarin nga pejgamberët e tjerë

October 26, 2025

💎 Hadithi i pesë veçorive që e dallojnë të Dërguarin ﷺ nga pejgamberët e tjerë

Transmetohet nga Xhābir ibn Abdil-lāh – Allahu qoftë i kënaqur me të – se Profeti ﷺ ka thënë:

“Mua më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt para meje:

1. Jam ndihmuar (përkrahur) me frikë (që u hidhet armiqve të mi) në një distancë sa udhëtimi i një muaji.

2. Më është bërë toka xhami dhe pastruese (përmes tejemumit), prandaj cilindo prej umetit tim që e kap koha e namazit, le ta falë atë kudo që ndodhet.

3. Më është lejuar plaçka e luftës, që nuk ishte e lejuar për askënd para meje.

4. Më është dhënë ndërmjetësimi (shefaati).

5. Çdo profet dërgohej vetëm për popullin e tij, kurse unë jam dërguar për të gjithë njerëzit.” Hadith i saktë, Sahih El Buhari nr. 335.

🖍 Shpjegimi:

I Dërguari ﷺ na njofton se Allahu e veçoi atë me pesë gjëra madhështore, që nuk u janë dhënë asnjërit prej pejgamberëve para tij:

1. Ndihma me frikë: Allahu mbushte zemrat e armiqve të tij me frikë, edhe nëse midis tyre kishte distancë udhëtimi njëmujor.

2. Toka si xhami dhe pastruese: çdo vend i pastër mbi tokë është vend faljeje për këtë ummet, dhe pluhuri i saj është pastrim (tejemum) kur mungon uji.

3. Lejimi i plaçkës së luftës: ajo që merret nga armiku në luftë, është hallall për muslimanët, ndërsa popujt e mëparshëm nuk e kishin të lejuar.

4. Dhurata e ndërmjetësimit të madh (shefaatit): në Ditën e Kijametit, ai do të ndërmjetësojë për njerëzit që të çlirohen nga tmerri i madh dhe të fillojë gjykimi, dhe gjithashtu do të ndërmjetësojë për hyrjen e besimtarëve në Xhenet.

5. Dërgimi i tij tek të gjithë njerëzit: ndërsa profetët para tij dërgoheshin vetëm për popullin e tyre, ai ﷺ u dërgua për tërë njerëzit dhe xhinët, si mëshirë e Zotit për botët.

📝 Dobitë e hadithit:

1. Lejueshmëria e përmendjes së mirësive hyjnore: njeriut i lejohet t’i numërojë begatitë që Allahu i ka dhënë, për t’i treguar dhe për të falënderuar Krijuesin.

2. Ky hadith është tregues i mirësisë së madhe që Allahu i dha këtij ummeti dhe të Dërguarit të Tij ﷺ përmes këtyre dhuntive të veçanta.

3. Detyrimi i faljes së namazit në çdo rrethanë dhe vend, me kushtet dhe shtyllat që njeriu mundet t’i përmbushë.

4. Shefaati i veçantë i Profetit ﷺ ka disa lloje:

– Ndërmjetësimi për fillimin e gjykimit (pas tmerrit të Ditës së Ringjalljes).

– Ndërmjetësimi për hyrjen e besimtarëve në Xhenet.

– Ndërmjetësimi i posaçëm për xhaxhain e tij, Ebu Talibin, që t’i lehtësohet dënimi, por jo të dalë nga zjarri, sepse vdiq si jobesimtar.

5. Profeti ﷺ kishte edhe cilësi të tjera të veçanta që nuk përmenden në këtë hadith, si:

– Dhurata e “fjalëve të përmbledhura” (جوامع الكلم) – fjalë të pakta me kuptim të thellë.

– Ai është vula e profetëve.

– Umeti i tij është urdhëruar të rreshtohet në namaz si melekët.

Dhe shumë veçori të tjera që dëshmojnë për pozitën e tij të lartë.

📚 “Ed Durar es Senije”

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...