Kjo është një përmbledhje mbi lindjen e lëvizjes së orientalizmit në universitetet perëndimore, e cila u themelua nën ndikimin e katalanasit Raymond Lull, një nga misionarët më të rrezikshëm në histori.
Nëse Petrus Alfonsi (Batri Kluni) përgatiti bazën themelore të lëvizjes orientaliste dhe i siguroi asaj materialet armiqësore ndaj Islamit në vitin 537 h. duke përfshirë përkthimin e “Letrës së të krishterit lindor” dhe përkthimin e shtrembëruar të kuptimeve të Kuranit në latinisht, atëherë Raymond Lull ishte ai që e vuri në zbatim këtë projekt në terren.
🔹 Origjina dhe jeta e Raymond Lull.
Raymond Lull lindi në ishullin Mallorca (nga Ishujt Balearë) në vitin 632 h (1234 e.s.).
I ati ishte katalanas dhe shërbente si ushtar në ushtrinë e Jaime I, mbretit të Aragonit, i cili e mori Mallorcën nga myslimanët.
Në rininë e tij, Lull jetoi një jetë të shthurur në pallatin mbretëror të Aragonit, mes muzikës, verës, grave dhe luksit. Por siç shkruan ai vetë; “Djalli e rekrutoi për t’ia kushtuar pjesën tjetër të jetës përpjekjeve të pamëshirshme për të kristianizuar muslimanët.”
Ai rrëfen se; ndërsa po luante në kitarë dhe i këndonte të dashurës së tij, iu shfaq “Krishti” në një stallë derrash dhe e ftoi në “pendim e përkushtim ndaj krishtërimit dhe përpjekje për konvertimin e myslimanëve”.
Por siç thonë dijetarët e Islamit, ajo që i është shfaqur nuk ishte Krishti, por vetë shejtani.
Lull pretendon se ky vegim iu përsërit disa herë, derisa vendosi të heqë dorë nga jeta e mëkatit, të pendohet dhe t’i përkushtohet “studimit dhe misionit për konvertimin e muslimanëve”.
🔹 Lidhja me dominikanët dhe themelimi i shkollave orientale.
Ai i shprehu dëshirën e tij një murgu të njohur Raymond de Penafort, udhëheqës i urdhrit dominikan, i cili e këshilloi të mësonte arabishten për ta realizuar këtë qëllim.
Lull bleu një skllav mysliman dhe jetoi me të për dhjetë vjet, derisa e mësoi gjuhën arabe në mënyrë të përkryer.
Më pas e bindi Mbretin e Aragonit të themelonte institutin e parë në Evropë për studimin e gjuhës arabe në ishullin Mallorca, në vitin 675 h (1276 e.s.).
Po ashtu, ai mori miratimin e Papës për të themeluar një tjetër shkollë për mësimin e arabishtes në Romë.
Këto dy shkolla u konsideruan farat e para të lëvizjes së orientalizmit në Evropë.
🔹 Lull dhe Këshilli i Vjenës.
Në vitin 711 h (1311 e.s.), Lull mori vesh se do të mbahej një kongres kishtar i madh në qytetin e Vjenës nën drejtimin e Papës.
Ai u nis drejt Vjenës pa ftesë zyrtare, mori pjesë në seancat e këshillit, u takua me Papën dhe me kardinalët më të mëdhenj, dhe bëri përpjekje të ethshme për t’i bindur që të hapnin katedra për mësimin e gjuhës arabe.
Ai ia doli me sukses. Këshilli vendosi të hapen pesë katedra për mësimin e arabishtes, greqishtes dhe hebraishtes në pesë universitete evropiane:
1. Universiteti i pallatit papnor në Romë.
2. Universiteti i Parisit në Francë.
3. Universiteti i Oksfordit në Angli.
4. Universiteti i Bolonjës në Itali.
5. Universiteti i Salamankës në Spanjë.
Ky vendim, i ndikuar drejtpërdrejt nga Raymond Lull, shënoi fillimin e lëvizjes orientaliste në gjirin e kishës katolike.
Që prej asaj kohe orientalistët filluan të ushqehen nga “depoja e projektit kluni”, e përgatitur që nga viti 537 h.
🖋 Nuk është këtu vendi të përmenden përpjekjet misionare të Lullit për kristianizimin e muslimanëve, sepse ato do kërkonin një vëllim të tërë për t’u përshkruar.
📚 Shkroi Prof. Dr. Ali bin Muhamed Udeh el Gamidi
Dosje: Histori
Të Ngjashme
- U nis me trup të lodhur por me zemër të gjallë Udha e Besimtarëve
- Ambicia nuk njeh moshë Udha e Besimtarëve
- Kur do ta arrijmë përkushtimin e sahabëve në namaz? Udha e Besimtarëve
- Mësime nga Hendeku: Sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e besimtarëve përballë hipokrizisë Udha e Besimtarëve
- Ofensiva e mongolëve në territoret muslimane Udha e Besimtarëve