Pse nuk mund ta thotë kushdo fjalën “La ilahe il-la Allah” para vdekjes?

November 27, 2025

Pse nuk mund ta thotë kushdo fjalën “La ilahe il-la Allah” para vdekjes?

Përfundimi i mirë i takon atij njeriu, zemra e të cilit është e mbushur me iman, iman që e shtyn drejt veprave të mira.

Përfundimi i mirë është për atë njeri që besimin e ka të ngulitur në zemrën e tij, e ka shprehur me gjuhë, ka kryer vepra të mira dhe i është larguar gjërave që i ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari ﷺ.

Në momentin e vdekjes nuk ka vend për shtirje; aty njeriu shfaq vetëm atë që ka mbartur në zemër gjatë gjithë jetës.

Prandaj, nëse dikush nuk e ka të shpeshtë gjatë ditës shqiptimin e fjalës “La ilahe il-la Allah”, vështirë se do ta thotë atë para vdekjes.

Kush e kupton këtë, e kupton se sa e vështirë është që njeriu ta shqiptojë “La ilahe il-la Allah” në çastet e fundit të jetës.

E nëse dikujt i bëhet mbarë ta thotë këtë fjalë para vdekjes, atij i është dhënë një mirësi jashtëzakonisht e madhe.

Allahu i Lartësuar thotë:

يُثَبِّتُ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِٱلۡقَوۡلِ ٱلثَّابِتِ فِي ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا وَفِي ٱلۡأٓخِرَةِۖ وَيُضِلُّ ٱللَّهُ ٱلظَّٰلِمِينَۚ وَيَفۡعَلُ ٱللَّهُ مَا يَشَآءُ

“Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje.”

(Ibrahim, 27)

Në një hadith, Profeti ﷺ e shpjegon këtë ajet duke thënë:

“Besimtari, kur pyetet në varr, dëshmon: ‘La ilahe il-la Allah, Muhammed Resulullah’. Kjo është fjala e Allahut: ‘Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër’.”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

I Dërguari i Allahut ﷺ i tha xhaxhait të tij në çastet e vdekjes:

“Xhaxhai im, thuaj ‘La ilahe il-la Allah’, fjalë për të cilën unë do të dëshmoj për ty te Allahu.”

(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Muadh bin Xhebel përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që e ka fjalën e tij të fundit: ‘La ilahe il-la Allah’, do të hyjë në Xhennet.”

(Transmeton Ebu Daudi dhe Ahmedi)

Dijetari i madh Ebu Abdullah el Kurtubi (v. 671 H) rrëfen në librin e tij “et-Tedhkira” raste të ndryshme të njerëzve të cilëve u kërkohej në çastet e fundit të jetës të thoshin: “La ilahe il-la Allah”. Mirëpo, ata e refuzonin këtë fjalë dhe përsëritnin fjalë që i kishin zakon t’i përdornin gjatë jetës së përditshme.

Kjo sepse te ta kishte dominuar angazhimi me dynjanë, preokupimi me të, ose ndonjë gjë tjetër që ua kishte mbërthyer zemrat, gjë që i pengonte të shqiptonin këto fjalë në momentet e vdekjes.

Shejh Abdurrahman es Sa‘di (v. 1376 H), gjatë komentimit të fjalës së Allahut në suren Ibrahim, 27, thotë se Allahu i Madhëruar njofton që Ai do t’i forcojë robërit e Tij besimtarë, ata që kanë zemër të mbushur me iman – iman që nxit vepra të mira, bindje dhe nënshtrim ndaj Allahut.

Allahu i forcon këta besimtarë në këtë jetë dhe në ahiret:

– në këtë jetë i forcon në besimin e tyre të pastër, kundrejt çdo dyshimi, apo shfrenimi.

– ndërsa në jetën tjetër, ndihma e Tij fillon që në momentet e vdekjes. Ai i forcon në Islam dhe u dhuron një përfundim të mirë.

Në varr i forcon gjatë pyetjeve të dy melekëve, që të japin përgjigjet e duhura kur pyeten: “Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt?”

Në atë çast të frikshëm dhe të vetmuar, Allahu i Lartësuar i ndihmon që të thonë: “Allahu është Zoti im. Islami është feja ime. Muhamedi ﷺ është Profeti im.”

Ndërsa padrejtët, Ai i shpie në humbje në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe Allahu nuk u bën padrejtësi – por ata i bëjnë padrejtësi vetvetes.

(me shkurtim nga Tefsiri i Sa‘dit, fq. 425)

Shkurtimisht, që njeriut t’i bëhet mbarë ta thotë para vdekjes fjalën “La ilahe il-la Allah”, ai duhet të përgatitet për këtë gjatë gjithë jetës.

Lusim Allahun të na dhurojë një përfundim të mirë dhe të na e bëjë rizk që ta mbyllim këtë jetë me fjalën e teuhidit: “La ilahe il-la Allah, Muhammed Resulullah!”

Dr. Fatmir Strumi

Dosje:

Loading...