– Isai عليه السلام është rob nga robërit e Allahut, të cilit Allahu i Lartësuar i dhuroi gradën e pejgamberllëkut dhe të shpalljes hyjnore.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ai nuk ishte tjetër veçse një rob të cilin Ne e begatuam dhe e bëmë shembull për bijtë e Israilit.” | Ez-Zuhruf: 59.
Hafidh Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: Fjala e Tij: “Ai nuk ishte tjetër veçse një rob të cilin Ne e begatuam”, do të thotë se Isai عليه السلام nuk ishte tjetër veçse një rob nga robërit e Allahut, të cilin Allahu e begatoi me profetësi dhe shpallje.
📚 Tefsiri i tij 7/232.
– Ai u krijua pa baba.
Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i Isait tek Allahu është si shembulli i Ademit: e krijoi prej dheu, pastaj i tha “Bëhu!”, – dhe ai u bë. E vërteta është nga Zoti yt, prandaj mos u bëj nga dyshuesit.” | Al Imran: 59–60.
Hafidh Ibn Kethiri tregon se Allahu i Lartësuar thotë: “Shembulli i Isait tek Allahu” – për nga fuqia e Allahut në krijim, – “është si shembulli i Ademit”. Sepse Allahu e krijoi Ademin pa baba dhe pa nënë, por “e krijoi prej dheu, pastaj i tha: ‘Bëhu!’ – dhe ai u bë.”
Ai që e krijoi Ademin është edhe më i aftë të krijojë Isain. Nëse të krishterët pretendojnë birësinë për Isain për shkak se u krijua pa baba, atëherë kjo do të ishte edhe më e mundshme për Ademin. E megjithatë, dihet unanimisht se kjo është e pavërtetë. Prandaj, pretendimi i tillë për Isain është edhe më i kotë dhe më i prishur.
Mirëpo Allahu i Lartësuar deshi t’iu tregojë krijesave fuqinë e Tij: e krijoi Ademin pa mashkull e pa femër, krijoi Havën nga mashkulli pa femër, krijoi Isain nga femra pa mashkull, dhe krijoi pjesën tjetër të njerëzimit nga mashkulli dhe femra.
Për këtë arsye, Ai në suren Merjem tha: “…që ta bëjmë atë shenjë për njerëzit”, dhe këtu thotë: “E vërteta është nga Zoti yt, prandaj mos u bëj nga dyshuesit”. Domethënë se ky është besimi i vërtetë për Isain, nga i cili nuk ka shmangie dhe përveç të cilit nuk ka të vërtetë tjetër. E çfarë ka pas së vërtetës veçse humbje?
📚 Tefsiri i tij 2/49.
– Ai është shenjë paralajmëruese për orën.
Shpjegimi i fjalës së Allahut: “Dhe ai është shenjë (paralajmëruese) për orën.” | Ez-Zuhruf: 61.
Dijetari i madh dhe mufesiri Muhamed el Emin esh-Shenkiti, Allahu e mëshiroftë, thotë:
E vërteta e saktë është se përemri në fjalën “dhe ai” i referohet Isait, e jo Kuranit dhe as Profetit ﷺ.
Kuptimi i fjalës së Tij: “Dhe ai është shenjë për orën”, sipas mendimit të saktë që e dëshmon Kurani i Madhëruar dhe suneti muteuatir, është se zbritja e Isait në fund të kohës duke qenë i gjallë, është shenjë e orës. Pra është shenjë e afrimit të saj, sepse ajo (ardhja e tij) është prej shenjave të mëdha të kiametit.
📚 “Edau’l-bejan” 7/280.
Këtë e përforcon ajo që transmetohet në “Musned” nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, për fjalën e Allahut: “Dhe ai është shenjë për orën”, ku ka thënë: “Ai” ka për qëllim ardhjen (zbritjen) e Isait, birit të Merjemes, para Ditës së Kiametit.
Shejh Ahmed Shakiri ka thënë: Senedi i këtij transmetimi është i saktë.
– Ithtarët e librit do besojnë në fenë e saktë para vdekjes së tij.
Këtë e sqaron edhe ajeti në suren En-Nisa: “Nuk ka asnjë nga ithtarët e Librit që nuk ka për të besuar në të para vdekjes së tij.” | En-Nisa: 159.
Shejh esh-Shenkiti thotë: Domethënë: do të besojnë në Isain para vdekjes së Isait. Kjo është e qartë se Isai është i gjallë në kohën e zbritjes së këtij ajeti dhe se ai nuk do vdesë derisa ithtarët e Librit të besojnë në të. Dhe dihet se ata nuk do besojnë në të përveçse pas zbritjes së tij në tokë.
Më pas thotë: Përemri në fjalën “para vdekjes së tij” i referohet Isait. Ndërsa mendimi se i referohet ithtarëve të Librit është në kundërshtim me kuptimin e qartë të Kuranit, dhe për të nuk ka argument as nga Kurani e as nga Suneti.
📚 “Eduau’l-Bejan” 7/283–284.
Këtë e përforcon edhe ajo që transmeton Ibn Xheriri në tefsirin e tij nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, për fjalën: “që nuk ka për të besuar në të para vdekjes së tij”, se ka thënë: “Para vdekjes së Isait, birit të Merjemes.”
Ibn Kethiri ka thënë: Zinxhiri i këtij transmetimi është i saktë.
Për më tepër dobi, shiko:
“Shenjat e Kiametit” i Jusuf el Uabil, fq. 337.
“Hadithet e shenjave të Kiametit dhe kuptimi i tyre” fq. 592.
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Profetët
Të Ngjashme
- Astrologjia – dega e magjisë që vret teuhidin Udha e Besimtarëve
- Pse nuk mund ta thotë kushdo fjalën “La ilahe il-la Allah” para vdekjes? Udha e Besimtarëve
- A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Udha e Besimtarëve
- La ilahe il-lAllah – garancia e shpëtimit Udha e Besimtarëve
- A do jenë fëmijët e jobesimtarëve të gjithë në xhenet? Shehul-Islam Ibn Tejmije