Kur dija ngrihet dhe padituria sundon

January 15, 2026

Nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet të ketë thënë:

Do t’ju tregoj një hadith që e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ, të cilin nuk do t’ua tregojë askush tjetër pas meje.

E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:

“Vërtet, prej shenjave të Kiametit janë: Largimi (zhdukja) i dijes, përhapja e injorancës, përhapja e imoralitetit (zinasë), shtimi i pirjes së alkoolit, pakësimi i burrave dhe shtimi i grave derisa për pesëdhjetë gra do të ketë vetëm një kujdestar.”

Mutefekun alejhi. “Sahih el Buhari” 5231.

Shpjegimi:

Profeti ﷺ ka sqaruar se prej shenjave që tregojnë afërsinë e ditës së Kiametit është largimi i dijes fetare e cila ndodh përmes vdekjes së dijetarëve. Si pasojë e kësaj shtohet dhe përhapet injoranca, përhapet zinaja dhe imoraliteti, shtohet pirja e alkoolit, pakësohet numri i burrave e shtohet numri i grave, derisa për pesëdhjetë gra do të ketë vetëm një burrë që kujdeset për punët e tyre dhe merr përsipër mbarëvajtjen e nevojave të tyre.

Prej dobive të hadithit:

1- ​Sqarimi i disa prej shenjave që njoftojnë afrimin e Kiametit.

2- ​Dituria mbi kohën e saktë se kur do të ndodhë Kiameti është prej çështjeve të fshehta (gajbit) të cilat Allahu i ka rezervuar vetëm për Veten e Tij.

3- ​Nxitja për nxënien e dijes fetare para se ajo të humbasë (zhduket).

 

Marrë nga libri: “Ed durar es senije”.

Dosje: ,

Loading...