Astrologjia – dega e magjisë që vret teuhidin

January 24, 2026

Nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcillet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Kushdo që përfiton (mëson) një degë nga astrologjia parashikuese e yjeve, ai ka përfituar një degë prej sihrit (magjisë). Dhe sa më shumë që shton (nga astrologjia), aq më shumë shton (mëkat në sihër).”

📋 Hadith sahih. Transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe dhe Ahmedi.

Shpjegimi i hadithit:

Profeti ﷺ sqaron se kushdo që mëson dhe merr njohuri nga astrologjia parashikuese e yjeve dhe horoskopi, duke u bazuar në lëvizjet e tyre, hyrjen dhe daljen e tyre për të parashikuar ngjarjet tokësore si; vdekja e dikujt, jeta e tij, sëmundja apo gjëra të ngjashme që do të ndodhin në të ardhmen, ai person ka mësuar një pjesë të magjisë (sihrit). Sa më shumë që njeriu shton njohuritë në këtë fushë, aq më shumë shton pjesët e magjisë në llogarinë e tij.

🔹 Dobitë e hadithit:

1- Ndalimi i astrologjisë (tenxhim): Është haram njoftimi për të ardhmen duke u bazuar në pozicionet e yjeve, sepse kjo llogaritet pretendim për njohjen e të fshehtës (gajbit) të cilën e di vetëm Allahu.

2- Lidhja me sihrin: Astrologjia e ndaluar është një lloj magjie që bie ndesh me teuhidin (njëshmërinë e Allahut). Kjo ndryshon nga (astronomia) vëzhgimi i yjeve për të njohur drejtimet, kiblen, apo fillimin e stinëve dhe muajve, gjë e cila është e lejuar (mubah).

3- Shtimi i mëkatit: Sa më shumë që njeriu thellohet në mësimin e astrologjisë parashikuese, aq më shumë thellohet në degët e magjisë.

4- Tri dobitë e yjeve: Sipas Kuranit, Allahu i ka krijuar yjet për tri qëllime:

– Bukuri (stoli) për qiellin.

– Shenja për tu orientuar (në udhëtim).

– Mjet për goditjen e shejtanëve.

📚 “Ed durar es senije”.

Analizë e rëndësishme shtesë:

Është e domosdoshme të bëhet dallimi mes dy gjërave që shpesh ngatërrohen:

🔸 Astronomia Ilm el-hej’e: studimi i yjeve për llogaritjen e kohës, muajve dhe orientimit gjeografik. Kjo është diçka e lejuar.

🔸 Astrologjia Ilm et-tenxhim: Pretendimi se yjet ndikojnë në fatin e njeriut ose parashikimin e së ardhmes. Kjo është haram/shirk.

🔹 Mësimi: Ky hadith na mëson të kemi kujdes nga mashtrimet e horoskopit dhe parashikuesve të fatit, duke na kthyer te besimi i pastër se vetëm Allahu është Drejtuesi i çdo gjëje në këtë gjithësi!

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...