Lotët e mbretit të arratisur

March 14, 2026

​”Lotët e mbretit të arratisur”

Në kohën e Umer ibn el-Khattabit – Allahu qoftë i kënaqur me të – jetonte një burrë nga mbretërit e fisit Ghassanid që quhej Xhebeleh ibn el-Ejhem. Ky person ishte mbret dhe Islami kishte depërtuar në zemrën e tij, ose të paktën mund të themi se ai e dëshironte Islamin.

Ai i shkroi Umerit – Allahu qoftë i kënaqur me të – gjatë kohës së kalifatit të tij dhe e njoftoi:

“Unë kam pranuar Islamin dhe kërkoj leje të vij në Mekë.”

Ai dëshironte të vinte për haxh, ose ndoshta të vinte në Medinë e pastaj të shkonte për haxh. Me rëndësi është se Umeri u gëzua shumë për të. Sepse ky ishte një mbret, dhe zakonisht kur një mbret pranon Islamin, shumë njerëz e ndjekin, sepse njerëzit shpesh janë në fenë e mbretërve të tyre. Prandaj Umeri u gëzua shumë.

Xhebele erdhi me 500 kalorës. Por tek ai akoma kishte disa mbetje dhe disa shenja nga koha e xhahilijetit.

Ai erdhi me një kortezh të madh, me kurora në kokë, dhe kuajt i kishte zbukuruar me ar në qafë, ndërsa kalorësit rreth tij ishin në një pamje madhështore.

Pastaj erdhi në Medinë dhe Umeri u gëzua për të dhe muslimanët gjithashtu u gëzuan.

Pas kësaj, Xhebele ibn el-Ejhem – tani si musliman – dëshironte të bënte haxhin për të kryer një nga detyrimet e Islamit. Dhe kështu ai shkoi në Mekë.

Ndërsa po bënte tavaf rreth Qabes, me njerëzit e tij, ishte edhe një burrë nga fisi Beni Fezara që po bënte tavaf. Ky ishte nga arabët muslimanë.

Ai kaloi pranë Xhebeles dhe duket se nuk e vuri re dhe i shkeli rrobën (izarin). Kur i shkeli izarin, rroba u zgjidh dhe u zbulua një pjesë e trupit të Xhebeles.

Ai u zemërua, u kthye nga ai dhe e goditi në hundë derisa ia theu.

Burri nga fisi Fezara tek kush do të ankohej? Te Umeri – Allahu qoftë i kënaqur me të.

Umeri e thirri Xhebelen dhe e thirri edhe burrin nga Fezara. Xhebele e pranoi veprën. Atëherë Umeri i tha Xhebeles:

“Ose do ta kënaqësh kundërshtarin tënd, t’i japësh diçka që të pajtohet, ose ai do të marrë hak nga ty.”

Xhebele tha: “Çfarë do të bësh?”

Umeri tha: “Do ta thyej hundën tënde ashtu siç i theve ti hundën atij – hak për hak.”

Xhebele tha: “Si mund ta bësh këtë me mua? Unë jam mbret dhe ai është një njeri i thjeshtë! Ai nuk vlen asgjë, ndërsa mua do të ma thyesh hundën për shkak të tij?”

Umeri tha: “Lëre këtë. Islami nuk ka bërë dallim mes teje dhe atij. Ose pajtoje burrin, ose do të merret hak prej teje.”

Xhebele tha: “Po nëse kthehem në krishterim?”

Umeri tha: “Nëse kthehesh, do të të pritet qafa – ky është dënimi për renegatët.”

Ai tha: “Më jep kohë deri nesër.”

Umeri tha: “Ke kohë.”

Por ai gjatë natës kishte vendosur në zemrën e tij të largohej. Mblodhi njerëzit e tij dhe iku fshehurazi drejt Shamit, tek zotërinjtë e tij – romakët, sepse gassanidët ishin aleatë të romakëve.

Ai shkoi te perandori Heraclius. Herakliu u gëzua shumë për të dhe i dha një pallat të madh dhe i vendosi shërbëtorë, roje dhe shumë nderime mbretërore.

Kështu ai e la Islamin për shkak të një sprovoje të vogël. “Dhe ka njerëz që e adhurojnë Allahun vetëm sipërfaqësiaht: nëse u vjen një e mirë, qetësohen me të; por nëse i godet një sprovë, kthehen prapa dhe humbasin këtë botë dhe tjetrën.”

Kur Umeri e mori vesh këtë, u pikëllua shumë.

Pas një kohe, një musliman po udhëtonte drejt Shamit. Umeri i tha: “Shko te Xhebele dhe më trego çfarë është bërë me të, si është gjendja e tij.”

Ai tregon: “Shkova tek ai dhe te pallati i tij. Pashë roje, portierë dhe shërbëtorë si në pallatin e Herakliut. Ai kishte shërbëtore dhe shumë pasuri.”

Thotë: “Kërkova leje të hyj dhe ai më lejoi. E pashë të ulur në një karrige me këmbë prej ari.”

Pra shiko tani – duket sikur është më mirë se më parë. Kur ishte musliman ishte si njerëzit e tjerë, pa mbretëri. Tani ka pallat, karrige të arta, shërbëtore dhe pi verë dhe bën çfarë të dojë.

Kur hyra tek ai, më pa që isha arab. Më afroi, më uli pranë tij. Kishte shërbëtore dhe u bëri shenjë që të këndonin.

Ato filluan të këndonin vargje nga poeti sahabi Hassan ibn Thabit, të cilat ai i kishte thënë në kohën e xhahilijetit për të lavdëruar ghassanidët.

Ndërsa këndonin, ai buzëqeshte dhe qeshte. Por pas pak e pashë të ulte kokën dhe mbi të u shfaq një trishtim i madh. Në mes të gjithë kësaj kënaqësie, ndërgjegjja e tij filloi ta shqetësonte.

Pastaj ngriti kokën dhe tha duke folur me veten:

“U bëra i krishterë për shkak të një shuplake,

ndërsa po të kisha duruar, nuk do të kisha pasur dëm.

Kokëfortësia dhe krenaria më rrethuan,

dhe shita syrin e shëndoshë për një të verbër.”

Pastaj tha:

“Ah sikur nëna të mos më kishte lindur!

Ah sikur të kisha ndjekur fjalën që tha Omeri!

Ah sikur të isha bari deveje në shkretëtirë,

ose rob te fiset Rabia apo Mudar.”

Pra mbreti thoshte:

“Ah sikur të isha bari”, megjithëse kishte gjithë këtë pasuri dhe mirësi.

Pastaj uli kokën me trishtim për atë që kishte ndodhur. Vendosi dorën në fytyrë dhe – thotë tregimtari – “Pasha Allahun, pashë lotët e tij që rridhnin mbi mjekrën e tij si kokrra margaritarësh”, derisa shërbëtoret u turpëruan dhe u larguan.

Dr. Abdullah el Asker

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...