Ebu Ejub el Ensari (radijAllahu anhu) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Kush e agjëron Ramazanin dhe e pason atë me gjashtë ditë nga muaji Sheual, është sikur të ketë agjëruar gjatë gjithë vitit.”
(Transmeton Muslimi)
Pyetja nëse lejohet agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit pa i plotësuar më parë ditët e mbetura nga Ramazani nuk është pyetje e saktë, sepse në parim kjo është e lejuar dhe nuk kemi të bëjmë me çështje lejimi apo ndalimi.
Pyetja e duhur është:
A arrihet shpërblimi i përmendur në hadith nëse një person agjëron gjashtë ditët e Sheualit pa i plotësuar ende ditët e mbetura nga Ramazani, apo është kusht që fillimisht të plotësohet Ramazani?
Disa dijetarë, si Ibn Rexhebi (v. 795H), në librin e tij “Letaif el Mearif” (fq. 497), ku përmend mendimet rreth kësaj çështjeje, janë të mendimit se për të arritur shpërblimin e përmendur në hadith, duhet fillimisht të plotësohet agjërimi i Ramazanit dhe më pas të agjërohen gjashtë ditët e Sheualit.
Këtë mendim e kanë përkrahur edhe disa nga dijetarët e mëdhenj bashkëkohorë, si shejh Ibn Bazi, shejh Albani dhe shejh Ibn Uthejmini.
Ndërsa disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se lejohet vonimi i plotësimit të ditëve të mbetura nga Ramazani dhe agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit, duke u mbështetur në faktin se koha për shlyerjen e ditëve të Ramazanit është më e gjerë, ndryshe nga gjashtë ditët e Sheualit, sidomos kur muaji është drejt përfundimit.
Sidoqoftë, më e mira dhe më e sigurta, për të arritur shpërblimin e përmendur në hadith, është që fillimisht të plotësohet agjërimi i Ramazanit, e më pas të agjërohen gjashtë ditët e Sheualit.
Dosje: #agjerimi #Sheuali, Muaji i Ramazanit
Të Ngjashme
- Vlera e Agjërimit të Gjashtë Ditëve të Sheualit Dr. Fatmir Strumi
- Prej Dispozitave të Sadakasë së Fitrit Dr. Fatmir Strumi
- Nata e Kadrit dhe Dhjetë Netët e Fundit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi
- Reflektim rreth Ngjarjeve që Ndodhin në Vendet Muslimane Dr. Fatmir Strumi
- Përgatitja para hyrjes së muajit të Ramazanit Dr. Fatmir Strumi