“Akide el Uasitije” – Kryevepra e shkruar midis dy namazeve

May 9, 2026

​Në vetëm pak orë pas namazit të pasdites (ikindisë), Ibën Tejmije shkroi këtë risale (libërth). Kur libri arriti te kundërshtarët e tij, ata mblodhën dijetarët më të mëdhenj të kohës në kuvendin e zëvendës-sulltanit për ta shqyrtuar. Kuvendi nuk u shpërnda derisa të gjithë dolën me një vendim të vetëm: “Ky besim është i bazuar te metodologjia e selefëve të mirë.”

Kanë kaluar shtatë shekuj, dhe dijetarët ende vazhdojnë të shpjegojnë atë që ai shkroi brenda pak orësh.

Vlera e veprës

“Akide el Uasitije” është një traktat i çmuar i Shejhul Islam Ibn Tejmijes, ku ai përmbledh çështjet kryesore të bazave të fesë (usul ed-din) dhe metodologjinë e Ehli Sunetit dhe Xhematit në burimet e argumentimit.

Ajo dallohet për:

​- Koncizitetin e fjalëve dhe saktësinë e kuptimeve,

​- thjeshtësinë e stilit,

​- gërshetimin e argumenteve logjike dhe tekstuale.

Imam Ibn Bazi e ka përshkruar si një përmbledhje e dobishme dhe gjithëpërfshirëse. Ai ka thënë: “Nuk njoh ndonjë vepër të ngjashme që bashkon besimin e selefëve me shprehje kaq të qarta dhe stil aq të bukur.”

Shkaku i shkrimit

U shkrua në vitin 698 h. pasi një gjykatës nga qyteti Uasit (Irak) u ankua për përhapjen e injorancës dhe padrejtësisë në vendin e tyre gjatë sundimit tatar. Ai i kërkoi shejhut të shkruante një përmbledhje të besimit. Ibn Tejmije fillimisht i tha: “Njerëzit kanë shkruar mjaft libra besimi”, por gjykatësi nguli këmbë duke thënë: “Nuk dëshiroj tjetër, përveç një libri besimi të shkruar nga dora jote”. Kështu, ai e shkroi atë duke qëndruar ulur pas namazit të Ikindisë.

Përmbajtja kryesore

Ibn Tejmije u tregua besnik ndaj ndjekjes së Kuranit dhe Sunetit, duke thënë: “Për çdo fjalë që kam përmendur kam sjellë si argument një ajet, një hadith ose ixhma (pajtim) të selefëve.”

​Libri përfshin shtyllat e mëdha të besimit:

1- ​Emrat dhe cilësitë e Allahut: Kapitulli më i gjerë ku trajtohet lartësimi i Allahut mbi Arsh (istiva dhe el uluu), të folurit dhe shikimi i Tij, sipas parimit: pohim pa ngjasim dhe lartësim pa mohim.

2- ​Shtyllat e imanit: Besimi në Allahun, engjëjt, librat, të dërguarit, ditën e fundit dhe kaderin.

3- ​Mëkatet e mëdha: Qëndrimi i mesëm; ata që bëjnë mëkate të mëdha nuk nxirren nga feja (siç bëjnë havarixhët), e as nuk cilësohen si banorë të përhershëm të zjarrit (siç bëjnë mutezilitët).

4- ​Caktimi dhe paracaktimi (kaderi): Shpjegimi i shkallëve të tij, duke pohuar njëkohësisht veprimin dhe zgjedhjen e njeriut.

5- ​Bota tjetër (ahireti): Dënimi dhe mirësitë e varrit, llogaria, peshorja, sirati, haudi, ndërmjetësimi (shefati), xheneti dhe xhehenemi.

6- ​Mrekullitë e evlijave: Çfarë Allahu shfaq përmes tyre jashtë rregullave të zakonshme.

7- ​Sahabët dhe Ehli Bejti: Dashuria ndaj tyre dhe përmbajtja nga diskutimi i konflikteve që ndodhën mes tyre.

Trashëgimia shkencore

Vite më vonë libri u bë arenë e një beteje të madhe shkencore. Në vitin 705 h. u mbajtën tre seanca debati në Damask midis Ibn Tejmijes dhe dijetarëve të tjerë, të cilat përfunduan me pranimin e saktësisë së këtij traktati.

Hafidh Ibn Rexhebi ka thënë: “Pavarësisht shkurtësisë dhe qartësisë, ai përmbledh gjithçka që duhet besuar nga bazat e imanit.”

Shejh Muhamed Halil Herras ka thënë:

​”Është ndër veprat më përmbledhëse që është shkruar rreth besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit, duke bashkuar koncizitetin e fjalëve me saktësinë e shprehjeve.”

Komisioni i përhershëm për kërkime shkencore dhe fetva (Lexhnetu ed-daime) ka deklaruar:

​”Libër madhështor që përfshin sqarimin e besimit të Ehli Sunetit dhe Xhematit, me argumente nga Libri (Kurani) dhe Suneti. Ju këshillojmë të besoni atë që gjendet brenda tij dhe të ftoni njerëzit drejt këtij besimi.”

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...