Shtjellimi i argumenteve që vërtetojnë se Suneti është shpallje, ashtu si Kurani.
Hyrje:
Nuk njihet ndonjë profet tjetër përveç profetit Muhamed ﷺ, jeta dhe suneti i të cilit t’i jetë kushtuar një kujdes kaq i madh, hadithet e tij të jenë numëruar me aq saktësi dhe të jenë regjistruar me një përpikëri të jashtëzakonshme.
Allahu i Lartësuar ka bërë shumë shkaqe dhe faktorë për ruajtjen e Sunetit, të cilat hyjnë në kaderin e Allahut të Lartësuar, për ruajtjen e Kuranit, dhe gjithashtu ruajtjen e shpjegimit të Kuranit.
Kjo çështje është e kuptueshme dhe e ndërlidhur, sepse Kurani fisnik lidhet ngushtë me përsonin e Profetit ﷺ nga dy anë:
Nga njëra anë, për shkak se ai e ka marrë nga Allahu të Lartësuar dhe ia ka përcjellë Umetit ashtu siç e ka marrë në fjalë dhe në kuptim.
Dhe nga ana tjetër, sepse Allahu i Lartësuar ia ka besuar atij detyrën të sqarojë për njerëzit atë që Ai ka dashur me fjalët e Tijﷻ.
Nga këto dy aspekte, është krijuar një lidhje e fortë midis Kuranit dhe Sunetit pra një lidhje e pandashme nga njëra tjetra. Prandaj kush përpiqet të argumentohet vetëm me Kuranin duke lënë pas Sunetin, ose me Sunetin duke lënë pas Kuranin, është si ai që përpiqet të ndajë degët e pemës nga rrënja, ose të ndajë të afërmin nga i afërmi i tij.
Çdo përpjekje për t’u mjaftuar me njërin burim duke përjashtuar tjetrin është një përpjekje e kotë, një ecje në verbëri dhe një dalje nga rruga e drejtë, sepse Suneti është binjaku i Kuranit dhe shoqëruesi i tij në argumentim dhe dëshmi.
( Shiko librin: Es-sunetun nebevijeh vahjun i Husejn ibn Muhamed Ajet Seid fq: 43.)
Argumente nga Kurani Famëlartë se Suneti është shpallje hyjnore:
Shpallja që i është zbritur Pejgamberit ﷺ nuk kufizohet vetëm në Kuranin fisnik, por ajo është gjithëpërfshirëse për Kuranin dhe Sunetin. Ka shumë argumente që tregojnë për këtë, ndër to:
- Fjala e Allahut të Lartësuar:
وَمَا يَنطِقُ عَنِ ٱلۡهَوَىٰٓ إِنۡ هُوَ إِلَّا وَحۡيٞ يُوحَىٰ [النجم: 3-4]
“Ai (Muhamedi ﷺ) nuk flet sipas nga dëshirës së vet; por ajo (që thotë ai) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet”. [En-Nexhm: 3–4]
Muhamed ibn Nasr el-Meruezi ka thënë, duke u bazuar në këtë ajet: “Prandaj, i Dërguari i Allahut ﷺ shpalli ligjet (e fesë) dhe sunetet me lejen e Zotit të tij dhe me shpalljen e Tijﷻ, jo nga vetja e tij, dhe Allahu ka dëshmuar për këtë, duke thënë:
“Shoku juaj (Muhamedi ﷺ) nuk ka humbur e as nuk ka devijuar. Dhe ai nuk flet sipas dëshirës së vet. Ajo (që thotë ai) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet”. [En-Nexhm: 2-4]”.
(Libri: Es-Sunneh fq: 14, shiko dhe librin: Uema jentiku anil heua -Merkez Ihsan lidirasat es-sunetin -nebeuijeh fq: 12.)
Ebu Haj-jani ka thënë: “Kjo tregon se sunetin ia ka zbritur Allahu të Dërguarit të Tij ﷺ”.
(Tefsiri: El-Bahr el-Muhit, 4/491)
Et-Tufiu ka thënë: “Kjo dëshmon se ai (Pejgamberi) ﷺ nuk gjykonte me ixhtihad (mendim personal), por me shpallje, dhe se suneti që ka ardhur nga ai është shpallje që i shpallej atij”.
(El-Isharat el-Ilahijje ila el-Mebahith el-Usulije (3/291), gjithashtu shih: Ahkamu el-Kur’an i El-Xhas-sas (3/345), Sherh Sahih el-Buhari i Ibn Battal (13/573), dhe Fet’h el-Kadir (5/265). )
Imam Buhariu ka transmetuar në Sahihun e tij (7274), nga Ebu Hurejra, se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
“Nuk ka ndonjë profet prej profetëve vetëm se i është dhënë ndonjë mrekulli që njerëzit i kanë besuar për shkak të saj; ndërsa ajo që më është dhënë mua është shpallja që Allahu ma ka shpallur, dhe shpresoj të kem më shumë ndjekës Ditën e Kiametit”.
Pejgamberi ﷺ sqaron në këtë hadith se mrekullia e tij më e madhe është shpallja (wahji). Kjo shpallje nuk kufizohet vetëm në Kuranin Famëlartë, i cili është “mrekullia më e madhe, më e dobishmja dhe më e përhershmja, ngase përmban thirrjen, argumentin dhe përfitimin e vazhdueshëm prej tij deri në fund të kohës, por përfshin gjithashtu edhe sqarimin dhe shpjegimin e Kuranit, që Allahu e bëri nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij ﷺ në Sunetin e tij të pastër.
(Shiko librin: Es-sunetun nebevijeh vahjun min Allah mehfudhatun kel kur’anil kerim i Ebu Lubabe Husejn fq: 18)
Vijon…
Përgatiti: Dr. Behar Hyseni
Dosje: hadith, Kurani, Profeti, Suneti
Të Ngjashme
- Prej Rregullave dhe Dispozitave të Kurbanit Dr. Fatmir Strumi
- Festat joislame – Dita e 1 Majit Dr. Fatmir Strumi
- Një lutje që rikthen qetësinë e zemrës pas trishtimit Udha e Besimtarëve
- Agjërimi i gjashtë ditëve të Sheualit kur ka ditë të mbetura nga Ramazani Dr. Fatmir Strumi
- Qëndrimi në xhami është adhurim dhe shpërblim i madh Dr. Fatmir Strumi